La muzikën dhe mbylli rrjetet sociale/ Historia enigmatike e Azet, nga burgu te kryesimi i toplistave europiane

| 15:32
SHPËRNDAJE

Azet është shqiptari më i famshëm në Europë, i cili pavarësisht suksesit të madh, i ka çuditur të gjithë me “zhdukjen” e tij jo vetëm nga muzika, por edhe nga rrjetet sociale, ku ka mijëra fansa që e ndjekin.

27-vjeçari me origjinë nga Podujeva por i rritur në Gjermani, emrin e vërtetë e ka Granit Musa, por në muzikë njihet si Azet. Muaj më parë, në llogarinë e tij në “Instagram”, njoftoi se ka vendosur të marrë pushim nga muzika dhe nga rrjetet sociale, pasi dëshironte t’i përkushtohej më shumë familjes së tij.

“Unë bëj atë që duhet bërë për familjen. Unë kam bërë 10 vjet burg për familjen. Në atë kohë, ne u bëmë të njohur në Gjermani. 15 vjet më parë, e takova Nashin për herë të parë dhe filluam të krijonim muzikë së bashku në bodrumin e tij, për shkak të krizave. Në një moment erdhën vëllezërit e mi, Zuna dhe Miami, dhe që nga atëherë ne jetuam për muzikën. Unë jam tepër krenar për vëllezërit e mi për çfarë kanë bërë për mua deri tani.

Miami, Zuna dhe Nash, një bandë, një familje. Vendosëm të sjellim diçka. Kjo është arsyeja pse unë do të lëshoj një EP sonte, që do të jetë në dispozicion në të gjitha platformat, por edhe falas për ju. Në dhjetor, në rrjetet sociale do të pushoj pak. Do të bëj pak pushim. Do të kthehem me patjetër, por nuk e di akoma kur. Vitet e fundit kanë ndodhur shumë gjëra në familjen time, për të cilën tani duhet të kujdesem. Jo si një Azet, por si një Granit. Qoftë në ‘Instagram’ apo turne, ju jeni gjithmonë në fillim dhe ne ju jemi mirënjohës për këtë”, shkruante Azet në “Instagram” ndërsa u drejtohej fansave.

Asokohe u raportua se humbja e të atit e detyroi Azet të shkonte drejt këtij vendimi, duke stopuar karrierën në kulmin e tij. Si fëmija më i madh në familje, ai është i detyruar t’u qëndrojë sa më pranë njerëzve të tij të afërt. Dhe pushimi ka marrë fund, pasi tashmë është rikthyer sërish në rrjetet sociale, ku ka paralajmëruar këngën e re.

“InshAllah” titullohej ky projekt, pjesë e albumit “Fast Life 2”. Ajo që i emocionoi më shumë ndjekësit nga kjo video ishte fakti që në pjesën e parë nis me një mesazh tejet të ndjerë të nënës së reperit që ka mall për djalin, i cili është vazhdimisht në koncerte. Reperi Azet ka thyer heshtjen disamujore në rrjete sociale, duke njoftuar se po kthehet më i fuqishëm se kurrë. Pas projekteve u konsiderua një enigmë zhdukja e tij, duke mos u shfaqur askund. Por Azeti është kthyer dhe ka paralajmëruar një album e disa këngë të reja, mes të cilave “Sin City” me artistin Albi, apo ‘Hayabusa’ me Miami Yacine, projekt që ka arritur gati gjysmë milion klikime në “Youtube” vetëm pak orë pas publikimit.

HISTORIA E SHQIPTARIT AZET, NGA BURGU DIREKT NË KRYE TË TOPLISTAVE MUZIKORE

Ajo që e bën të veçantë këtë artist shumë karizmatik, ndër më të pëlqyerit në Europë, është fakti se Azet sapo doli nga burgu, ku mbahej për tregti droge dhe për shkaktim lëndimi të rrezikshëm trupor, direkt pas daljes nga hekurat u shndërrua në një star në muzikë.

Reperi me origjinë nga Kosova, i njohur me emrin artistik Azet, me albumin e tij aktual “Fast Life” zë vendin e parë në toplistën zyrtare gjermane të muzikës. Por ajo që e bën të veçantë historinë e tij është se ai sapo kishte dalë nga burgu, kur fati i ndriti në muzikë.

Megjithatë, ai lejohej të dilte nga burgu, ndërsa i ishte ndaluar vetëm takimi me kolegët e tij nga grupi “KMNGang”. Ky grup ishte i njohur veç tjerash edhe për përfshirjen në një rrahje masive në stacionin hekurudhor të Dresdenit me grupin kundërshtar “Miri-Clan”, sipas mediave të Kosovës. Për këtë arsye, Policia kohë më parë kishte ndaluar një koncert të reperëve “Kollegah” dhe “Fardid Bang”, nga frika se fansat e “KMN-Gang” mund të ushtronin dhunë.

Por duket se e gjitha kjo nuk e ka penguar grupin prej 4 anëtarëve që të ketë sukses në skenën muzikore. Albumi i Azet, “Fast Life”, zuri menjëherë vendin e parë në toplistën zyrtare gjermane. Granit Musa njihet si bashkëthemelues i grupit të gangster-rapit ”KMNGang”. Familja e tij u vendos në Gjermani kur ai ishte 4 vjeç.

Fillimisht, Azet formoi grupin “Crew Ghetto Stars”, bashkë me shokun e tij Ali (Nash), të cilin e kishte shok që në shkollën fillore. Në vitin 2010, ata formuan grupin “KMN”. Pjesë e grupit u bënë dhe dy reperët e tjerë, Ghasan (Zuna) dhe Yassine (Miami Yacine). Në një kohë të shkurtër, ata u bënë shumë të njohur dhe të dashur për publikun.

Një pjesë të suksesit e kanë arritur përmes këngës së Miami Yacine “Kokaina”, e cila ka arritur deri në 150 milionë klikime. Nga viti 2016 e deri tani, këngët e tij janë bërë hite, ndërkohë që veçohet edhe një bashkëpunim që ka me Dhurata Dorën.

/Panoramaplus.al

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.