“Ky vit do jetë rekord”, Ahmetaj: Ja taksat që ulen. 1 mld USD investime të huaja

Jun 19, 2018 | 9:18
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Investimeve se të mërkurën në mbledhjen e qeverisë do të miratohet paketa e re fiskale.

Ministri Ahmetaj përmendi disa nga lehtësitë fiskale që do të miratohen në mbledhjen e së mërkurës në qeveri. Kreu i Financave tha se lehtësitë fiskale do të tërheqin më shumë investime.

AHMETAJ

“Besoj që këtë të mërkurë e gjithë paketa kalon edhe në Këshillin e Ministrave. Një lëvizje shumë e rëndësishme është dhe rishikimi i tavanit të tatim-fitimit, që praktikisht e ul me tri herë ngarkesën fiskale për bizneset e prekura.

Tatim-fitimi për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë ulet me tri herë, nga 15 për qind në 5 për qind. Me këtë masë, rreth 91 për qind, që i bie afërsisht 95 mijë ndërmarrje në Republikën e Shqipërisë përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale me tatim-fitim ose 0, ose 5 për qind”, u shpreh ministri. Kreu i Financave u ndal edhe te lehtësitë fiskale për sektorin e agroturizmit dhe bujqësisë.

“Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit do të përfitojnë ulje të tatim-fitimit nga 15 në 5 për qind. Pra, nuk ka rëndësi sa sipërmarrje e madhe do të jetë në agroturizëm, do të trajtohet me 5 për qind tatim-fitimi dhe normë të reduktuar të Tatimit të Vlerës së Shtuar prej 6 për qind për shërbimet e akomodimit dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja për qëllim agroturizmi. Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të përfitojnë rimbursimin e TVSH-së në masën 20 për qind, si të ishin fermerë, por tashmë pa limit në aspektin e qarkullimit, dhe do të trajtohen me tatim-fitim të reduktuar nga 15 në 5 për qind”, tha Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se lehtësitë fiskale do të tërheqin më shumë investime të huaja.

“Para disa ditësh, firmosënmme kompaninë Forchner një ofertë që i hap rrugë një investimi të ri të kësaj kompanie ku do të punësohen rreth 1 mijë punonjës. Kemi interes të avancuar nga një kompani gjermane ose zvicerane për ndërtimin e një porti jahtesh dhe mjete luksoze lundrimi dhe Lufthansa IT Solution, nuk është më sekret, është këtu për të bërë potencialisht një partnership për të prodhuar për kërkesën globale në industrinë e softwareve, duke punësuar inxhinierë dhe specialistë të kualifikuar”, u shpreh ministri.

Kreu i Financave, duke iu referua të dhënave të bilancit të pagesave, tha se për 3mujorin e parë të 2018-s, investimet e huaja direkte arritën 284 milionë euro. Ministri tha se pritshmëritë për vitin 2018 janë pozitive dhe investimet të arrijnë 1 miliard dollarë.

“Një javë më parë, statistikat e bilancit të pagesave treguan se në tremujorin e parë të vitit 2018, flukset hyrëse të investimeve të hua ja direkte në Shqipëri, siç i referohemi investimeve të huaja në Shqipëri, për tremujorin e parë të vitit 2018, shënuan shifrën 284 milionë euro, një rritje e konsiderueshme vjetore prej 62 për qind ose në nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit. Viti 2017 u mbyll me investime të huaja në nivelin 907 milionë euro. Nëse i referohemi ecurisë dhe krahasueshmërisë së tremujorit të parë të këtij viti me tremujorin e parë të vitit 2017, atëherë besojmë që ky vit do të jetë sërish një rekord, me gati 1 miliard dollar investime të huaja”, tha Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura