Kush është hetuesi Shyqyri Çoku që “detyroi” Ramën të kërkojë falje?

Dec 16, 2015 | 19:00
SHPËRNDAJE

Shyqyri Çoku, i dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” si veteran i kategorisë së parë me rastin e 70- vjetorit të Çlirimit, ka hetuar dhe torturuar 92 të dënuar, kryesisht politikë. Çoku, i cili e ka mbyllur karrierën e tij si oficer i lartë i Sigurimit në vitin 1990, ka qenë hetues në çështje të rëndësishme, kryesisht në Veri të vendit, me përfaqësues të lartë të kishës katolike.

Coku1Ndër më të spikaturit mbeten At Zef Pllumi, por edhe imzot Ernest Çoba, Ipeshkëv i dioqezës së Shkodrës, apo meshtarin Marin Shkurti dhe vëllain e tij, Ndrekë Shkurti, po ashtu edhe Dom Lec Sahatçinë.

Ata që kanë vuajtur nga torturat e Çokut dhe proceset e improvizuara politike të tij, tregojnë se ai ishte një njeri që donte të përmbushte misionin e luftës ndaj klerit, duke përpiluar deklarata dhe fakte të paqena në dosjet e tyre. Vetë At Zef Pllumi, në librin e tij “Rrno vetëm për me tregu” ka rrëfyer për hetuesin e tij, Shyqyri Çoku.

Hetuesi Çoku ka përdorur deklarimet e At Zef Pllumit rreth fjalimeve të Enver Hoxhës për ekzistencën e lirisë së fesë dhe besimit në Shqipëri, si akuza për t’i ngritur atij një proces tërësisht politik kundër regjimit komunist e për ta dënuar me 25 vjet burg.

Torturat dhe përndjekjet e Shyqyri Çokut i ka provuar në trup edhe publicisti dhe historiani Sami Repishti, i cili ka vuajtur në burgun politik.

Shyqyri Çoku në periudhën kur torturoi klerikët
Shyqyri Çoku në periudhën kur torturoi klerikët

“Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 24 muaj hetuesie”, është shprehur profesor Repishti.

Ka qenë Shyqyri Çoku, i cili ka hetuar dhe përgatitur dosjen e imzot Ernest Çobës, i cili në 1976 u dënua me 25 vjet burg, me akuzën se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.

Hetuesi i Sigurimit të Shtetit ka përgatitur dosjen e Don Marin Shkurtit përmes torturave. Si njeri i klerit katolik, nga frika e përndjekjes, Marin Shkurti dhe 17 pjesëtarë të familjes së tij, arratisen në ish-Jugosllavi, por UDB i kthen mbrapsht si tradhtarë. Marin Shkurti dhe vëllai i tij, Ndrekë Shkurti, dënohen me pushkatim.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura