“Kush e solli Doruntinën” në Tiranë

Jan 21, 2016 | 16:20
SHPËRNDAJE

E hipur në një rrasë varri të shndërruar në kalë, Doruntina kaptoi male e fusha për të takuar Zonjën Mëmë. Kostandini e mbajti besën. Po a është e mundur? A mos është një herezi? Si mund të ngjallet një i vdekur? Ku zbriti Kostandini? A ishte ai nga Greqia, Serbia, Shqipëria, apo ndonjë vend tjetër i Ballkanit? Legjenda e vëllait të vdekur dhe besës së mbajtur, ende mban në “sherr” ballkanasit, që duan ta bëjnë të vetën atë grua që kalëroi vdekjen dhe atë burrë që mbajti fjalën edhe në një tjetër botë.

margarita-xhepa

Dhe “lufta” nuk bëhet thjesht për një legjendë, por për përjetësinë. Kanë kaluar shekuj, ndoshta mijëvjeçarë, që kur legjenda nisi të përhapej gojë më gojë, princër e hetues vazhdojnë kërkimet, por enigma nuk është zgjidhur ende: Kush e solli Doruntinën? Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, do të shfaqet në Tiranë, në datat 28, 29, 30, 31 janar, në sallën e Universitetit të Arteve drama “Kush e solli Doruntinën”.

Mbështetur mbi veprën e Kadaresë, me të njëjtin titull, që i dha një dimension të ri mitit, kjo dramë vjen nën dramatizimin dhe regjinë e Laert Vasilit, si një prodhim i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Është forca që përcjell teksti i Kadaresë, mbështetur në një nga legjendat më të njohura shqiptare, por edhe puna e regjisorit, që ka bindur të pranojnë ftesën e të ngjiten në skenë disa nga emrat më të njohur të teatrit shqiptar. Bëhet fjalë për një nga ikonat e teatrit dhe kinematografisë, aktoren Margarita Xhepa, e cila tashmë, në moshën 83-vjeçare, interpreton një nga rolet e saj të preferuara, rolin e Zonjës Mëmë, që lëshon kujën shekullore: Kostandin, të ardhtë gjëma! Një rol ky, me një ngarkesë të fortë emocionale, të cilin ajo e ka interpretuar shumë vite më parë, nën regjinë e Piro Manit. Rikthehet në skenë, pas një periudhe të gjatë mungese, aktori Bujar Lako.

Që prej interpretimit në filmin “Muaji i mjaltit”, me regji të Goran Paskaljeviç, Lako nuk ka pranuar të tjera projekte, qofshin këto në teatër apo film. Pjesë e kastit të aktorëve është edhe artisti Viktor Zhusti, të cilin një vit më parë e kemi parë në skenën e Teatrit Kombëtar, në rolin e markezit de Sad, në dramën e muzikuar “Vrasja e Maratit”. Interpreton po ashtu vetë regjisori Laert Vasili, aktorja Luli Hoxha, në rolin e Doruntinës, dhe aktorë të tjerë të trupës së Durrësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura