Kush e formon opinionin për Shqipërinë e “Euro 2016”?

Jul 8, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

besnik dizdariBESNIK DIZDARI

Për një çast më vjen të them se këtë opinion sportiv e formon Qeveria, e formon  Federata Shqiptare e Futbollit, e formojnë opinionistët “e caktuar” prej kësaj të fundit, simpatizantët e Qeverisë, televizionet pranë Qeverisë dhe, për fat të keq, gazetarët, po pranë Qeverisë dhe FSHF-së. Kësisoj, rrezikojmë të mos e vlerësojmë sa e si duhet vetë paraqitjen e bukur të Kombëtares së Shqipërisë në “Francë 2016”.

Madje, rrezikojmë që të na cenohen pikërisht vlerat e vërteta të Kombëtares së Shqipërisë në “Francë 2016”. Pra, rrezikojmë të mbivlerësojmë pikërisht vlerat. Sepse dihet, mbivlerësimi i vlerave është gënjeshtër. Siç e kam thënë në një editorial të dy ditëve më parë në gazetën “Panorama Sport”, Shqipëria është renditur e 18-ta në fundoret (finalet) e Kampionatit Europian.

As më pak e as më shumë. Madje, saktësisht, matematikisht, sportivisht, teknikisht, “gjeopolitikisht” apo “politikisht”, e po deshe, edhe “qeverisisht”. Dhe nuk ka opinion publik në botë, aq më pak një opinion publik shqiptar, që këtë vend a renditje të 18-të ta bëjë vend a renditje të parë dhe as të fundit. Siç nuk mund ta bëjë as të dytë dhe as të parafundit.

Është e vërtetë, ky vend i 18-të përbën arritjen renditëse më të lartë të Shqipërisë në fundoret (finalet) e një Kampionati Europian. Dhe tejet me vlerë është ndërkaq, përmbajtja e bukur e paraqitjes së një futbolli të nivelit të lartë ndërkombëtar të Shqipërisë. Ndeshje thuajse të barabarta, karakter i lartë sportiv dhe, për fat, eliminim për shkak golavarazhi. (Siç dihet po me 3 pikë u kualifikuan Irlanda e Veriut dhe Portugalia).

* * *

Nuk dua të përsëris ata çka kam shkruar këto ditë, kur kam pohuar se “gati si në një marramendje, Kombëtarja nderet po i rrëmben si të ishte e parë!… Këtu e kam fjalën për formimin e një opinioni jo të zhdrejtë, por të një opinioni të drejtë, për paraqitjen e Kombëtares së Shqipërisë. Edhe unë, si dhe të tjerët, them se përfshirja e Shqipërisë në turneun fundor të një Kampionati Europian është një arritje e madhe.

Po ndërkohë, opinioni, apo më saktë formuesit e opinionit publik për këtë paraqitje, nuk kanë pse të harrojnë që Shqipëria, përveç ndeshjeve të saj të nivelit të lartë, në “Francë 2016” ka shkuar edhe falë një 3-pikëshi me vendim tryeze, madje mbas një dënimi të padrejtë të një gjyqi të fituar si asnjëherë në historinë e të gjitha kualifikimeve europiane.

Dhe më të rëndësishmen: organizimi i këtyre fundoreve me 24 skuadra, doemos që i dha mundësi gjysmës së kontinentit të Europës të shkojë në një Kampionat Europian. Bie fjala, a mund të shkonte Shqipëria në këto ditë të bukura franceze nëse do të vazhdonte sistemi i vetëm 4 skuadrave pjesëmarrës, si në fillimet e kësaj Kupe? Kurrsesi! A mund të shkonte Shqipëria nëse do të vazhdonte sistemi i ardhjes së vetëm 8 finalistëve pjesëmarrës, siç qe në edicione të mëvonshme?

Them se kurrsesi! A mund të shkonte Shqipëria nëse do të vazhdonte qoftë dhe sistemi i 16 finalistëve pjesë- marrës – pra jo 24 – siç qe deri para pak? Prapë them se kurrsesi. Sepse, siç e dini fort mirë prej historisë, asnjëherë Shqipëria nuk arriti të kualifikohej për një turne fundor të një Kampionati që pranonte vetëm 4, 8 apo 16 finalistë. Kështu pra, përveç të tjerave, shtimi i finalistëve në 24, bëri jo pak të mundur që në këtë kampionatit të vitit 2016 të mbërrinin edhe të vegjël të tillë si Islanda, Uellsi, Shqipëria apo Irlanda e Veriut.

Janë ide që mbërrijnë prej fakteve kryeforte, të cilat “formuesit e opinionit të mbivlerësimit”, çuditërisht, i harrojnë. Ose nga mosdija, ose nga “shërbimi”, që kanë marrë përsipër të kryejnë. Shtroj pyetjen: Përse kjo eufori që ka kapë përmasa si të ishte fituar Kampionati i Europës? Përgjigjja më e parë mund të mbërrijë prej një deduksioni krejt të thjeshtë: sepse ky vend i vogël, ende i varfër, kurrë nuk ka arritur të jetë në fundoret e një Kampionati kësisoj të një sporti kolektiv (skuadre).

Kjo, pak a shumë, është si marramendja e një njeriu të varfër që papritmas i bije lotaria dhe, për një çast, i duket se del përgjithmonë nga varfëria. Natyrisht, nuk është tamam kështu, sepse ky kualifikim ende nuk e ka shpëtuar nga varfëria as futbollin e brendshëm shqiptar. Dhe, nga ana tjetër, përderisa nga 20 lojtarët e Shqipërisë që luajtën në “Francë 2016”, plot 14 ishin lojtarë të cilët nuk i ka formuar futbolli i Republikës së Shqipërisë, edhe për këtë fakt apo dukuri emblematike (shembullore) pra, gjykimi dhe vlerësimi i paraqitjes së bukur të Shqipërisë, duhet të bëhet me mend në krye.

Kujtoni për një çast: Gashi, Ajeti, T. Xhaka, Abrashi, Basha, Veseli – të gjithë kanë veshur fanellat e Kombëtares zvicerane (ende ka “opinionistë” që i thonë “zvicerjane”) nga 16 deri në 21 vjeç të Zvicrës. Krejt i rrallë është rasti i Veselit, i cili ka luajtur me plot 7 kombëtare të Zvicrës: Zvicra NEN 15, NEN 16, NEN 17, NEN 18, NEN 19, NEN 20, NEN 21! Mund të jetë një rast botëror. Dhe ky djalë i plot shtatë kombëtareve të Zvicrës veshi më në fund edhe fanellën e Kombëtares së parë të Shqipërisë! Opinionbërja shqiptare, jo ajo e mbivlerësimit, por ajo e vlerësimit, ia vlente ta shënonte në “bllokun” e saj këtë dukuri thuajse fantastike! (Po cili punon me fletë a me një shënim përpara? Rroftë kujtesa apriori!).

Doemos pa harruar rastin gjerman: Kombëtarja e Shqipërisë ka një lojtar, i cili ka luajtur deri dhe me Kombëtaren e Gjermanisë së 21-vjeçarëve. Është Mërgim Mavraj! Shqipëria e sotme ia ka kaluar edhe rastit të “oriundëve” italianë të viteve ’60, sepse thuajse mbi 90 për qind e tyre të paktën nuk kishin zhvilluar asnjë ndeshje me kombëtaret e shteteve të tyre të Amerikës së Jugut. Ishte krejt e papranueshme mënyra pompoze se si u prit Kombëtarja në “zhegun” e Rinasit.

Historia e pritjeve asisoj, madje edhe të skuadrave Kampione të Botës, nuk njeh rastin e “tipit shqiptar” të përdorimit të fjalimeve “politiko-shoqërore” të njëmbasnjëshme, siç ndodhi me Kombëtaren e Shqipërisë. Që filluan nga “zhegu i Rinasit” e nuk ndalën deri në “zagushinë kryeministrore”.

* * *

E pra: Kush e formon këtë opinion të mbivlerësimit të paraqitjes së Kombëtares në “Francë 2016”, që na bëka “krenarë” deri në mërzi? Përsëris: e formon Qeveria, e formon Federata Shqiptare e Futbollit, e formojnë opinionistët “e caktuar” prej kësaj të fundit, simpatizantët e Qeverisë, televizionet pranë Qeverisë dhe, për fat të keq, gazetarët, po pranë Qeverisë dhe FSHF-së. Pikërisht të gjithë këta. Sidomos falë fuqisë televizive.

E kam thënë njëqind herë: Si ka mundësi që një nga televizionet publike më të fuqishme në botë, ZDF-ja gjermane, i kushton vetëm një emision “EURO 2016”-s? Po kështu, edhe RAI. Dhe e dini që atje këto evenimente të mëdha janë monopol të televizioneve publike? Ashtu siç ndodhte edhe deri para pak kohe në Shqipëri.

Ashtu siç merret me mend ndërkaq, se këtë ata e bëjnë me një profesionalizëm dhe thjeshtësi tejet të respektueshme: vetëm me nja dy a tre të ftuar, ndërsa Shqipëria, e pakta pesë emisione të njëkohshme brenda një nate, me një tufë të ftuarish (pesë, gjashtë, shtatë), të cilët rropatën që me një “kompetencë” qiellore të të mbushin mendjen se historia nuk ka parë si kjo paraqitje e Shqipërisë në një Kupë të Kombeve të Europës, siç është quajtur qysh në themelim.

Edhe pse ajo thjesht është renditur e 18-ta? Është vërtet e rëndë, tejet e rëndë, kur “opinionformues të mbivlerësimit të Kombëtares” bëhen edhe deputetë e njerëz të politikës. Si nuk pashë te stacionet e tjera perëndimore, ekipet e të cilave madje synojnë titullin e Europës, që të thërrasin një deputet a politikan për të folur për Kampionatin!

* * *

Po aq: si nuk pashë në këto televizione vajza të bukura që assesi nuk kanë as njohuritë më të pakta për sportin, për futbollin e as edhe për një Kampionat Europian që të mbushin studiot e rubrikave televizive, si në rastin e Shqipërisë së varfër (po, po të varfër), e cila përfshihet në një eufori futbollistike të pafalshme sa herë vjen një Kampionat Europian apo Botëror? E kemi cenuar keqas kulturën e këtyre punëve, teksa kemi cenuar po keqas profesionalizmin e medias shqiptare.

Është vërtet e çuditshme se si ky vend qenka kaq i pasur me opinionistë, si askush në Europë, për të gjykuar deri në “ekstazë” një Kampionat Europian të futbollit, përmes në kryelartësie gazetarie të një mënyre kaq “të ditur”, kaq “kompetente”, kaq “absolute” në vlerësim! Më saktë, në mbivlerësim.

Kjo është zotësi e një lloji tjetër: “zotësia” e “opinionit të mbivlerësimit”, që pak ka të bëjë me më të çmueshmen: të vërtetën, realen, objektiven, maturinë, diturinë. Interesant vërtet! Ka një kréni këtu në Shqipëri thjesht për faktin se ‘po ua transmetojmë ne ndeshjet’ e Kampionatit Europian”.

Është njëlloj krenarie a vetëkrenarie apo mbivlerësimi edhe këtu. Ndonëse ato i transmeton e gjithë bota, natyrisht duke e marrë figurën prej organizatorëve. Ndërkaq, nëse nga ana linguistike do të marrim dhe të krahasojmë stilin po linguistik, të përcaktimeve, vlerësimeve, epiteteve, ndërtimit të fjalive, të publicitetit prej parullash thirrëse për këto transmetime, edhe këtu Shqipëria mund të mahnisë Europën.

* * *

Kisha dëshirë ta mbyllja me transmetimet zanore, pra të telekronikës shqiptare. E kemi pranuar në mënyrë absolute kështu siç është. Duket që nuk ka asnjë përzgjedhje, asnjë fitim i vendit të punës falë një konkursi, madje. Doemos edhe as humbje e vendit të punës ngaqë, për shembull, konkursi që “bëmë, papritmas ka zbuluar një djalë të ri që mund të jetë më i mirë se ti”.

Dhe ashtu si në monopolin e transmetimeve, kemi mbërritur te monopoli i telekronikës në të njëjtat duar. Në Shqipëri, roli i telekronistëve ende nuk është prekur, pse jo edhe në instanca akademike. Për fat, me përjashtim të shkrimeve që prej gati 20 vjetësh të autorit të këtushëm (për këtë ai nuk krenohet, sepse detyrën ka bërë), kjo është e vetmja fushë për të cilën prej gjuhëtarëve dhe institucioneve shkencore të gjuhësisë shqiptare nuk ka asnjë rresht të shkruar.

Ata e kanë humbur lidhjen me realitetin e zhvillimeve publike gjuhësore. E, për fat të keq, nuk u shkon ndër mend se në formimin gjuhësor të rinisë shkollore sidomos, ndoshta më fort se Naimi i madh apo se Mjeda po i madh, po ndikojnë telekronistët e futbollit. Çka edhe kjo vjen mû prej idesë së temës që ka të bëjë me formimin e gabuar të “opinionit mbivlerësues” të Shqipërisë në “EURO 2016”, çka u përpoqa të trajtoj në këtë shkrim.

Për radiotelekronistë apo radiotelekomentatorë të mendimit sportiv, Shqipëria nuk ka bërë një përzgjedhje profesionale të vërtetë qysh në kohën e regjimit komunist. Në këtë jemi mbi nja 30 vjet mbrapa. Madje, deri aty sa të më vijë ndër mend të kaloj në retorikë: Ku e kemi Anton Mzrekun, Ismet Bellovën, Veli Radën, Frederik Ficon, Skifter Këlliçin, Ahmet Shqarrin, Vladimir Grillon, Aleko Gjergon, Ymer Striniqin?… Mos jam një nostalgjik?

Aspak! Dhe nuk dua të mohoj apriori të tashmen e përparuar, aq pak sa ajo është. Por jam gati për garë, madje. Po, mblidhemi një ditë, marrim incizimet e këtyre protagonistëve, i ballafaqojmë me të sotmit. Jo thjesht në kulturë, por edhe në zërin, edhe në pastërtinë e diksionit, edhe në ritmikën e duhur të gjuhës shqipe, edhe në terminologjinë joshqiptare, që po na mbyt. Dhe mandej diskutojmë.

* * *

Për fat disa prej të sipërpërmendurve nuk jetojnë më. Fort pak janë nderuar. E pra kanë përshkuar historinë e Kombëtares në radio e televizion qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në Kampionatin Europian (1963-64). Nuk ua dëgjova askund emrat këto ditë dhe jo më të mëtoj që të thirreshin diku në një studio televizive. Jam i sigurt se do të bëheshin nxitës për ta ndaluar deri diku “kompaninë” sunduese të formimit mbivlerësues të gabuar të opinionit publik për paraqitjen e bukur të Shqipërisë në “Francë 2016”.

Dhe këtë po ua thotë autori i këtij shkrimi, i cili nuk ka asnjë ambicie televizive kësisoji. Sa keq kur dikush don, mendon e guxon e thotë, qoftë dhe me veprime nënkuptuese, se “historia fillon me mua!” Tash po e mbyll me një vlerësim të vjetër, jo me një mbivlerësim të ri. Kujtoj se edhe hera e parë e kësaj paraqitjeje të Kombëtares, në një kuptim disi tjetër, nuk është aq fort e parë.

Vetëm për një gol të Zbignjev Bonjekut, Shqipëria e vitit 1985 pat mbetur pa shkuar në fundoret (finalet) e një Kampionati Botëror, atij 1986. Pra jo të një Kampionati Europian të 24 finalistëve prej 54 shteteve, por të një Kampionatit Botëror të po 24 finalistëve, por prej plot 200 shteteve anëtare të FIFA-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura