Kur “fryma” e etërve nuk vdes…

Apr 13, 2015 | 11:58
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   Problemet e mëdha që po kalon vendi ynë në shumë fusha, në perceptimin tim modest, duket sikur ngushtojnë përditë e më shumë hapësirat për më shumë shpresë. Shqiptarët, ata të jetës së përditshme që njoh dhe takoj unë, vazhdojnë të ndihen në udhëkryq, të braktisur e të zhgënjyer, nga një klasë politike në pushtet (pozita) apo që e synon atë (opozita). Ndër njerëz të thjeshtë ka shumë pasiguri dhe mosbesim, të cilat u kanë hyrë në palcë qysh me qeveritë e djathta e tani edhe me qeverinë e majtë socialiste. E fatkeqësisht, përveç përgjegjësive të padiskutueshme të qeverisë për gjendjen, në horizont nuk shihen alternativa të besueshme dhe të qarta për shqiptarët që normalisht duhet t’i ofrojë opozita.
Përse vazhdon sot e 25 vjet kjo gjendje që përsëritet pa mbarim, duke shënuar pak ose aspak përmirësime?
Arsyet janë dhe vazhdojnë të jenë të shumëfishta. Analisti Lubonja flet vazhdimisht për sistemin e ngritur, i cili është fajtor. Por ky sistem, në fakt, nuk është ngritur pa ne. Askush prej nesh, përveç ndoshta foshnjave, nuk mund të lajë duart duke thënë që sistemin e kanë ngritur të tjerët e ne jemi jashtë. Të gjithë kemi kontribuar në këtë sistem, e fatkeqësisht, jo vetëm politikanët, por edhe biznesi, edhe akademikët, edhe mediat e opinionistët e tyre, edhe fetarët, pjesë e të cilëve jam edhe vetë. Ne jemi pjesë e sistemit dhe ndërtues të tij. Diku është kontribuar me veprime, diku me mosveprime, diku duke “llapur” kohë e pa kohë, vend e pa vend, duke shpifur e duke vjellë vrer ndaj çdo kundërshtari të mundshëm e diku duke u strukur si struci, apo duke larë duart si Ponc Pilati apo, më keq akoma, duke heshtur. E me anë të heshtjes thjesht jemi bërë palë me të keqen. Një pjesë tjetër ka ikur nga ky vend (edhe pse
shumë sish nuk përtojnë e nuk pushojnë së dhëni leksione se si duhet të jetojmë ne këtu). Ajo pjesë thjesht ka bërë një zgjedhje për veten e vet, por që edhe brenda kësaj zgjedhjeje shihet qartë një j’açuse, një protestë, ndaj një gjendjeje të mjerueshme në Shqipëri.
Mund të rrimë ditë e net e të flasim përse kjo gjendje. Pa u hyrë fort thellë arsyeve historike të largëta në kohë, ne jemi këtu dhe kështu, sepse jemi të gjithë bijtë e etërve tanë e nuk jemi të shkëputur prej tyre aspak. Nuk kemi guximin ta bëjmë, sepse etërit kanë hyrë me forcë brenda nesh, edhe pse mund të jenë të vdekur tashmë. Ata na kanë lënë forma mentis–in e tyre, por jo vetëm, edhe “frymën” e tyre, e cila jo rrallë kundërmon e vjen diku erë tradhti, diku erë diktaturë, diku pabesi e hipokrizi, diku tjetër varfëri e mjerim. Ne jemi bijtë e një shekulli të ri, por të ngjizur në shekullin e vjetër e që fatkeqësisht mbartim shenjat e atij shekulli dukshëm në fytyrat, në jetët dhe në sjelljet tona.
Unë jam prej atyre që nuk beson në atë gjoja “dokument të Katovicës”, d.m.th. një gjë e sajuar në tavolinë me aq përpikëri. Por logjika e atij pseudodokumenti është një e vërtetë e madhe. Enver Hoxha me shokë, pseudobaballarët e kombit shqiptar për 40 vjet, kanë mbjellë kundërmimin e frymës së tyre në shumë prej atyre që na kanë udhëhequr e vazhdojnë të na udhëheqin. Është fryma, është mendësia, janë makinacionet dhe intrigat, janë forma e relacioneve që krijohen në politikë e kudo, që theksojnë dukshëm këtë frymë konspiracioniste, njeriurrejtëse, korruptive, që të fik edhe ato pak shpresa që mund të ndizen në net të bukura pranvere. Mjafton të shohësh se si po zgjidhen, përzgjidhen apo riciklohen kandidatët për kryetarë bashkie dhe kupton mjaft qartë se ç’po ndodh. Me plot bindjen e them që është një lojë e pistë, pasi kriteri i përzgjedhjeve nuk janë vlerat qytetare e demokratike, por thesi i votave e aftësia për të sjellë vota me hir apo me pahir, me dhunë apo me blerje votash, me mashtrim apo me kërcënim për prishje biznesi, mosmarrje tenderash e heqje nga puna.
Kjo është e papranueshme, ngado ta kapësh. Këtu luhet qytetaria dhe e ardhmja e saj. Dhe ky është vetëm një shembull ndër shumë të tjerë.
Ne nuk po gjejmë guximin të shkëputemi nga etërit, nga modelet e tyre, nga fryma e tyre e vdekur, e të krijojmë një shikim të ri tonin, mbi realitetin dhe aktualitetin, që do të thotë mbi të ardhmen tonë. Por që kjo të ndodhë duhet të nisë një proces konvertimi. Ky konvertim nuk ka të bëjë me fenë, jo. Është sigurisht një proces shpirtëror, i thellë, i cili do kohën dhe mundin e vet, por është i domosdoshëm, madje jetësor për të ardhmen e vendit tonë. Ky konvertim është një mënyrë e re shikimi i personave dhe i gjërave, i punës dhe i pushtetit, i kërkimit shkencor dhe i marrëdhënieve kontraktuale etj. Është një shikim i pastruar ndaj personit që kam përpara, i nevojave të tij si individ, si familje dhe si shoqëri. Të kuptosh se nuk mund të jesh kundër njeriut, por kundër veprimeve të tija kur ato janë të këqija, dhe solidar e bashkëpunues kur ato janë të mira, është kontributi i parë për këtë konvertim. Njeriu shqiptar ka nevojë të konvertohet nga logjika korruptive, e cila nuk është vetëm e atyre që kanë pushtet, por edhe e atyre që me anë të votës ua japin pushtetin të tjerëve. Korrupsioni është prishje e një marrëdhënieje, e cila nuk bazohet më mbi të qenët njeri, mbi virtytet më të pastra njerëzore, por në bazë të një shitblerjeje, e cila nuk është një kontratë normale mbi gjëra, por është një shitblerje e dinjitetit të personit, është kontratë e mbështetur mbi vesin dhe krimin. Rreth dinjitetit nuk ka kompromis. Kur shqiptarët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë më korrupsion ose ky do të jetë minimal. Dhe nuk ka ligj që ta heqë korrupsionin, nëse nuk bëhet ky konvertim i thellë shpirtëror. Sa mund të ndodhë kjo në të vërtetë? Nuk e di ta them, por e shpresoj shumë.
Ndoshta ky shkrim mund të duket i gjithi një mllef i mbledhur apo që e mbledh hera-herës në kontaktet e përditshme me personat e thjeshtë, që mundohen të sigurojnë me shpirt nëpër dhëmbë bukën e gojës për fëmijët e tyre, lekët për shkollat e djemve dhe vajzave studente, lekët për ilaçet etj. etj. Ndoshta ky mllef është gjithë pafuqia ime, por edhe ndjenja e fajit që edhe unë kam kontribuar në ngritjen e këtij sistemi, që ende është peng i korrupsionit, intrigës, urrejtjes dhe pasigurisë. Sistemi është i kapur dhe ka 25 vjet që mbetet i tillë, dhe zor të shqitet prej kësaj kapjeje. Po e shohim përditë, por më shumë dhe më qartë ndërsa afrohen zgjedhjet vendore.
Zot, për inat të djallit e të shqiptarëve, shpëtoje Shqipërinë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura