Kur Edi Rama zgjedh fushën e gabuar për të humbur me Ilir Metën

Oct 27, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

LUAN RAMA

luan-rama-753x450

Edi Rama ka dështuar ta shkarkojë Ilir Metën nga detyra e Presidentit të Republikës vetëm prej një faktori: Kushtetutës. Parimësia dhe konsekuenca e Ilir Metës si President i Republikës në mbrojtje të Kushtetutës ndau edhe të drejtën prej padrejtësisë dhe përcaktoi humbësin.

E ndërsa do të duhej që ai të kishte nxjerrë së paku mësimin e vetëm se beteja me Ilir Metën është gjithnjë e humbur kur merret për referencë Kushtetuta dhe ligji, ka zgjedhur të ecë sërish nëpër të njëjtin shteg të humbjes, duke preferuar edhe këtë herë të njëjtën lojë e të njëjtën fushë; Kushtetutën dhe Ligjin.

Mungesa e njohurive më elementare mbi organizmin e shtetit dhe mënyrën e funksionimit të tij, paaftësia e dhimbshme për të përvetësuar disa norma apo kode të sjelljes së një njeriu normal që kryen detyra të rëndësishme apo mbart përgjegjësi të larta shtetërore, e shtyjnë Edi Ramën Kryeministër të humbasë arsyen dhe drejtpeshimin e domosdoshëm në të tilla raste e të kapet pas disa “gjetjeve”, që i shiten publikut si “zbulime” të shkeljeve të Presidentit të Republikës në ushtrimin e të drejtës së tij kushtetuese për dhënien e shtetësisë.

Edi Rama e di që e ka betejën të humbur, më shumë sesa prej atyre që ka zgjedhur të përdorë, prej atij vetë e gjithë sa ai përfaqëson bashkë me modelin e tij të qeverisjes, i cili nuk do të mund të gjejë shpëtim as prej idiotësive të tipit “nuk ka hajdut dy metër”. Por, nën hallin e madh që gjendet, Edi Ramës i duhen disa shkarkues që ta imitojnë e t’i përdorë, për t’i flakur më pas edhe këta siç bëri në vitin 2009 pasi Ilir Meta shpalli koalicionin e LSI-së me PD-në me shumë përfaqësues të PSsë në atë kohë dhe që sot nuk janë askund.

Por Edi Ramës i duhen edhe disa “gjetje”, si kinse “shkeljet e Presidentit në dhënien e shtetësisë”, për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga skandalet e mëdha të korrupsionit, siç është njëri ndër to edhe zhytja kokë e këmbë në aferën korruptive të inceneratorëve apo impianteve të djegies së mbetjeve, çka, në fakt, është një dëshmi e pakundërshtueshme dhe provë në dritën e diellit e korrupsionit si tipari më i spikatur i qeverisjes.

I duhet edhe që të fshehë dështimin e tij më të madh, mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, edhe pse ka emëruar një kryenegociator pa negociata, duke i bllokuar kësisoj Shqipërisë përmbushjen e prioritetit kryesor ndër prioritetet kombëtare; integrimin europian.

Akti hapur në shkelje të Kushtetutës i deklarimit nga ana e tij në pozitën e Kryeministrit dhe pa u konsultuar më parë as me Presidentin e Republikës dhe as me Kuvendin e Shqipërisë, por edhe pa e diskutuar në mbledhjen e qeverisë dërgimin e çështjes së kufirit detar me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, është po aq një arsye se përse Edi Rama jo vetëm e sulmon Presidentin e Republikës, por edhe provokon e sajon tema të tjera, me qëllim shfokusimin e vëmendjes së opinionit qytetar dhe intelektual prej tij e bëmave të tij me tipar thellësisht antikombëtar, antipopullor dhe antishtet.

Edi Rama mund të shpikë e sajojë shumëçka për ta sulmuar Ilir Metën në cilësinë e Presidentit të Republikës. Mund të gjejë edhe ndonjë argument apo edhe ndonjë provë gabimi, pasi edhe Ilir Meta njeri si gjithë të tjerët është e si i tillë ka edhe ai gabime, por shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës as ka gjetur dhe as ka për të gjetur, siç nuk ka gjetur as ai vetë në shtatë vjet Kryeministër, duke rrëmuar e gërmuar nëpër arkivat e qeverisë me tërë lukuninë e minjve që ka ndërsyer, njësoj siç patën bërë edhe të tjerë para tij.

Të gjithë kanë humbur e të gjithë kanë ikur. Tani radhën e ka Edi Rama. 25 prilli i vitit 2021 është vetëm caku i fundmë i fundit të marrëzisë që ka emrin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura