Kur Ardian Klosi premtonte se do të bëhej eremit, po të mos ia dilte me RTSH-në

May 13, 2017 | 19:09
SHPËRNDAJE

Këtë intervistë me Ardian Klosin, gazetarja Rudina Xhunga e ka realizuar më 6 gusht 1998. Asokohe Klosi u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i RTSH. Dritare.net e sjell të plotë in memoriam të një njeriu të lirë që si i tillë jetoi dhe vdiq./dritare.net

ardian-klosi-me-femijet-1-637x381Nga Rudina Xhunga

Në fund të çdo shpirti rebel, struket një ëndërr karriere, apo dhe rebeli më ekstremist lodhet një ditë me “si nuk duhet bërë”, por do të thotë “bëhet dhe kështu”?

Karriera nuk më ka tërhequr ndonjëherë shumë, siç nuk më ka tërhequr as grumbullimi i pasurisë ose grumbullimi përfundimtar i jetës. Më ka tërhequr të qenit i pavarur, mes ëndrrave për të ndryshuar bashkëkombësit dhe befasive, e shoqëruar kjo me vepra. Megjithatë në jetën time ka ardhur sot një prag tjetër, ku aftësia për të krijuar një vepër nuk varet më aq shumë nga thithja e informacionit, kategorizimi i dijeve dhe përdorimi i tyre në mënyrë krijuese në dhomën e punës, por në radhë të parë nga zotësia për të punuar me njerëzit, për t’ua përçuar ato që di dhe për t’i bindur se rruga që ti propozon është ajo nga mund të dilet prej pluskimit në moçalin ku ndodhemi.

Kurse e përbashkët me veprat e deritanishme është aftësia për të parë pak a shumë se ku do të arrish në fund të punës, ajo që sot shpesh e quajnë, me një fjalë njëçikëz të madhe, vizion.

Nëse ju i gjeni arsyet e një rikthimi të gjatë në Tiranë, po arsyet e sakrificës së bashkëshortes suaj, cilat janë?

Kur e morën vesh njerëzit e rrethit tonë më të afërt në Munih, mjekë, filologë ose arkitektë, se ç’kemi ndërmend të bëjmë, na hodhën vështrime admiruese, gati-gati ziliqare. Ju kujtoj edhe një herë mundësinë ose pamundësinë që i jepet njeriut për të ndërtuar në jetë diçka të re. Kjo vlen edhe për time shoqe, e cila është një fotografe mjaft e respektuar sot në vendet gjermanike, sajë botimeve dhe ekspozitave të shumta dhe që, për më shumë, temë qendrore në krijimtarinë e saj ka Shqipërinë. Veç kësaj njeh mjaft mirë edhe kamerën, kështu që mendojmë se për të dy mundësitë krijuese këtu janë më të mëdha se në Munih.

Pse pikërisht në krye të “territ informativ”?

Kjo është një broçkull e cila që sot e ka humbur vlerën e saj propagandistike, ashtu siç ka humbur vlerën “orientuese” i famshmi amendament Arbnori. Në qoftë se e njihni ligjin e ri për radiotelevizionin publik, do ta keni parë se aty paanshmëria e informimit, mospërkatësia partiake dhe hapësirat e barabarta ose proporcionale që u lihen të lira parlamentit ose partive të ndryshme në fushata zgjedhjesh janë mjaft të qarta. E kam krahasuar këtë ligj edhe me modele të tjera si ligjin e radiotelevizionit publik bavarez, e radiotelevizionit slloven etj., dhe e gjej të të njëjtit nivel, të saktë dhe pa asnjë ekuivok. Çfarë më irriton deri-diku është pamja e Këshillit Drejtues, i cili nuk përbëhet, siç ndodh në shoqëritë me përfaqësim demokratik, kryesisht nga përfaqësues grupesh interesi (sindikata, forume, komuna, shoqata, komunitete fetare etj.), por nga “individë të shquar”, nga shkrimtarë, muzikantë, aktorë dhe gazetarë. Ndoshta ka kohë të korrigjohet kjo; por mundet që është edhe e vështirë, për arsye se vendit tonë ende i mungojnë në një masë të madhe nivelet dhe forumet e përfaqësimit demokratik të qytetarëve.

Ju jeni një njeri që do të bëni sa të mundeni dhe do të tërhiqeni, nëse nuk mundeni?

Natyrisht që do bëj vetëm ato që mund të bëhen, pasi s’kam ndërmend të përplas kryet deri sa ta çaj pas një muri që mund të jetë edhe prej betoni. Por, në qoftë se dikur do të them se ishte diçka që mund ta bëja dhe nuk e bëra, atëherë do të më vijë me të vërtetë zor nga bashkëqytetarët dhe njerëzit që sot kanë besim te unë.

Po dështova dhe, meqë s’kam ndërmend të kthehem prapë në emigracion, ka mundësi që të shkoj të jetoj si eremit majë ndonjë mali, e zëmë në Gllavë, si kujdestar i ndonjërit prej përforcuesve të Televizionit Publik Shqiptar.

Nga impresioni i parë i përballjes me televizionin, si drejtues, cili qe ai detaj, që ju ngjalli stepje, madje ju tmerroi?

Lodhja dhe mungesa e shpresës që pashë në një numër fytyrash punonjësish.

Pakkush beson se një televizion shtetëror, bëhet. Ju do na bindni për të kundërtën dhe si?

Të ishte se vija thjeshtë drejtues i një radiotelevizioni shtetëror, nuk do të pranoja. Por shndërrimi i këtij institucioni në një radiotelevizion publik hap mundësi të panjohura ndonjëherë në median shqiptare. Madje do ta quaja fat që oferta m’u bë pikërisht në këtë periudhë.

Do të ndryshojë gjithçka, që nga mënyra e financimit, konceptimi i programeve, strukturimi i institucionit, marrëdhëniet kontraktuale e deri te thithja e njerëzve të rinj të talentuar dhe teknikave e procedurave bashkëkohore. Dhe mos harroni që RTV ka sot, veç rrjetit të fuqishëm të transmetimit dhe kapaciteteve të tjera teknike, megjithatë hemorragjinë që vërehet kohët e fundit, – e kam fjalën për disa njerëz që kalojnë në stacione private bashkë me materiale të vjedhura nga arkiva e institucionit tonë – kapacitete njerëzore jo të vogla, profesionistë të shkëlqyer që në një pjesë, për fat të mirë, nuk janë lodhur aq sa mos ta kenë më vullnetin për ndryshime.

A mund të informohen edhe nga televizioni shtetëror shqiptarët e mësuar të lexojnë vetëm gazetat?

Shqiptarët ende s’janë mësuar të informohen siç duhet nga televizioni shtetëror, në ndryshim nga gazetat që kanë pësuar njëfarë demokratizimi. Mirëpo sot në botën tej kufijve njerëzit informohen në radhë të parë nga televizioni e nga mediat e tjera audiovizive, ndërkohë që gazetat janë në njëfarë tërheqje që shkon nganjëherë deri në panikun e humbjes së primatit. Nuk kam asnjë dyshim se edhe në Shqipëri e ardhmja ju takon në një pjesë të madhe mediave elektronike. Që sot adoleshentët ose fëmijët tanë zgurdullojnë sytë me orë të tëra përpara televizorëve, pavarësisht se pjesa më e madhe e atyre që shohin është kashtë, vulgaritet, dhunë pa kuptim. Mirëpo ne shpresojmë, dhe shpresojmë shumë, në një ofertë tjetër me rreze shumë më të gjerë, në një emetim që do të thithë vëmendjen e shqiptarëve si asnjë transmetues tjetër, pikërisht pse do të mbartë kulturë, informacion, edukim, shqiptarizëm, vlera të papërsëritshme të këtij vendi. E ky është, në të vërtetë, misioni i një televizioni publik, të cilin s’mund ta konkurrojë në gjerësinë e tij asnjë emetues privat, që parimin e funksionimit e ka krejt ndryshe.

Vendosja juaj dhe Edi Ramës në poste të rëndësishme, ju duket shenjë se në Shqipëri po qeveriset ndryshe?

Dy vetë nuk mund të përbëjnë ende një rregull, megjithatë ndryshimi është i madh. Të mos harrojmë që deri dje njerëzve si ne u zaptonin apartamentet e banimit, u gjakosnin hundët, u çanin kokat me leva errësirave. Konstatojmë se Djalli po del pak nga pak nga skena e politikës shqiptare. Njerëzit po qetësohen, skenat e tmerrit që pamë në vitin 1997 duket se i përkasin gjithmonë e më shumë historisë. Megjithatë asnjëherë nuk është e tepërt t’u bësh thirrje shqiptarëve që, në punën ose vërtitjen e tyre të përditshme, të mendojnë ca më shumë edhe për fqinjin, për komunitetin, për përparimin tonë si bashkësi.

Çfarë latë në Gjermani?

Në Gjermani lashë jetën “e rregulluar” dhe, meqë ishte kaq e rregulluar sa filloi të më rregullonte edhe mua (e keni parasysh shprehjen tonë të bukur “do të ta rregulloj qejfin”), vendosa të kthehesha edhe një herë aty ku isha në fillim të viteve ’90, domethënë, te liria për të krijuar, liria për të ndryshuar veten në vendin që sot ndryshon më shumë se asnjë tjetër në Evropë, në Shqipëri.

Natyrisht, pjesa që tërheq më shumë është mundësia që të jap edhe unë një dorë në këto ndryshime. Nëpër vite kam krijuar bindjen se Perëndimi për ne, njerëzit që e duam Shqipërinë dhe jemi të lidhur aq shumë me të sepse jetojmë përmes fjalës dhe botës shqiptare, është tharës, në mos vdekjeprurës. Në emigracionin shqiptar, krahas së vërtetës dhe punës së rëndë, ka gjithmonë edhe tone teatrale, pozante, rrenëse. Shumica ose të gjithë, siç shkruajnë në letra ose kumtojnë në telefon, janë “rregulluar shumë mirë”. Megjithatë unë, si krijues dhe studiues, jam mëse i bindur që Perëndimi dyert për krijuesit e lidhur kaq fort me botën shqiptare ose i ka të mbyllura, ose i hap paksa fare, një rreze, sa për të plotësuar ngjyrat e ekzotizmit dhe të marrëdhënieve bilaterale.

Çfarë gjetët në Tiranë?

Atë që kam gjetur gjithmonë, çdo herë që kam zbritur në aeroportin e Rinasit ose në bankinën e portit të Durrësit në këta 5 vjet. Dhe meqë ra fjala, unë dhe pjesëtarët e familjes sime kemi ardhur shumë shpesh në Shqipëri gjatë kësaj kohe, gati çdo dy muaj. Shpenzimet më të mëdha në këto vjet i kam pasur me bileta avionit, bileta trageti dhe fatura shtypshkronjash për libra që kam prurë në Shqipëri. Këtë mund ta mësojnë edhe disa klasikë të kulturës dhe të jetës sonë të ndenjur intelektuale, të cilët në çastin që u zgjodha Drejtor i Përgjithshëm i RTV nxituan të fabrikojnë trillime, shpifje që mund t’i grupojmë nën tri rubrika: se kam qenë agjent i sigurimit shqiptar në moshën 18 vjeçare, se kam botuar në Gjermani një libër me titull të pisët dhe se paskam 9 vjet pa ardhur në Shqipëri. Im atë, i ndjeri, përsëriste shpesh se “plakut duhet t’i dëgjosh ato që thotë, jo ato që i shpëtojnë”. Edhe unë korifenjve të kulturës sonë që më pritën në atdhe me shpifje, fjalën e bukur poetike do vazhdojë t’ua dëgjoj, kurse ato që u shpëtojnë tani në moshë të kaluar jo.

E pra, siç thashë, çfarë gjej gjithmonë: vapë, mungesë uji dhe idesh, luftë klanesh, luftë gazetash, çjerrje, demonstrate pa demonstrues, urrejtje, zili, thashetheme, folklore dhe shumë humor. Një humor i pakrahasueshëm që të bën ta duash këtë vend përjetësisht. Bie fjala, gjetja më e fundit: UÇT (Ushtria Çlirimtare e Teatrit)./dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura