Kumbaro rrëfen skenat erotike të Fllokos dhe Bulkut: Kur qeshte Enveri filmat na miratoheshin

Sep 20, 2015 | 15:53
SHPËRNDAJE

Një sy i mprehtë mundet që ta kuptojë kur në një skenë filmi gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Por vëmendje profesioniste mund të kenë vetëm njerëzit e fushës, rrallëherë shikuesi nga jashtë. Sa prej jush kanë vënë re që te filmi ‘Koncert në vitin 1936’, njëra nga aktoret kryesore, Manushaqe Qinami, ecte gjithnjë disa hapa mbrapa Margarita Xhepës?!

Saimir KumbaroEdhe nëse e keni pikasur këtë detaj, me siguri që nuk i keni dhënë shpjegime që shkojnë përtej zgjedhjes regjisoriale. Në fakt, po, ka qenë zgjedhje e regjisorit të filmit, Saimir Kumbaro, por vetëm sepse donte të fshihte shtatzëninë e Qinamit, që e mësoi vetëm gjatë xhirimeve të filmit. Kishte edhe një alternativë tjetër që aktorja të abortonte, por kjo nuk ndodhi.

Përshtatja ngeli mundësia e vetme. Ndofta jo të kësaj rëndësie, por të papritura e peripeci, xhirimet e realizimet e filmave shqiptarë kanë pasur mjaft. Përveç pengesave e mangësive teknike, regjisorët duhet të luftonin me përfaqësuesit e partisë për të marrë aktorët që donin.

Nga ana tjetër, edhe nëse i merrnin, duhet t’i bindnin këta të fundit për të realizuar ndonjë skenë që koha nuk e pranonte lehtë- sisht. E tillë ishte skena ‘për pak’ erotikë, te filmi “Vdekja e Kalit’ me protagonistë aktorët Timo Fllokon dhe Raimonda Bulkun. Ishte fundi i vitit 1991, kufiri i ndërrimit të sistemeve, kohë kur vetëm për jetën artistike të vendit që nuk mund të mendohej.

Pavarësisht kësaj, regjisori i siguroi mundësitë minimale për realizimin e filmit, pa ditur që të tjera pengesa do të dilnin gjatë rrugës. As Bulku e as Flloko nuk do të pranonin të bënin skenën e puthjes. Ç’ndodhi që u realizua?! Në intervistë, regjisori Kumbaro tregon për detajet e skenës së parë të puthjes në kinematografinë shqiptare dhe të tjera ngjarje nga paskuintat e xhirimeve të filmave shqiptarë.

Peripecitë, mundet të kenë qenë më të mëdha përpara viteve ’90, por, të realizosh një film pikërisht gjatë ndërrimit të sistemeve, siç keni bërë ju me ‘Vdekja e kalit’, duhet të ketë qenë përtej çdo pengese që mund t’ju kenë nxjerrë anëtarët e Byrosë dikur…
Është e vërtetë sepse filmi “Vdekja e kalit’ është realizuar në kushte anormale. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit. Kanë nisur kur ishte ende në pushtet Partia Komuniste e kanë përfunduar në arritjet e para të demokracisë. Ishte një kohë kur njerëzit nuk kishin me ç’të ushqeheshin e jo më të mendonin për filma. Vështirësia nuk qëndronte vetëm nga pikë- pamja financiare, por edhe nga ajo teknike. Bashkë me ekipin, nuk kishim asgjë në dispozicion, përveç 12 km film. Vetëm se duhet të them për të marrë kuajt apo helikopterin, që më duhej për t’i filmuar nga lart, nuk pata pengesa. M’u siguruan këto edhe sepse ata që ishin në pushtetin e vjetër, sigurisht që pa kushtuar ndonjë vëmendje të madhe menduan se isha duke bërë një film si gjithë të tjerët, por rezultoi të ishte, siç u përcaktua edhe më vonë nga një gazetë franceze, një autopsi e diktaturës.

Si nisi ky film, nga u ngacmua?
Ngacmimi erdhi nga historia e një punonjë- si të Kinostudios, Xhemal Koçit, që kishte shërbyer në fermën e kuajve të ushtrisë. Ishin disa gjeneralë që e kishin shumë qejf këtë kafshë dhe kuajt mbaheshin kryesisht për ta. Xhemali kryqëzonte duart që njëri nga gjeneralët, Petrit Dume, meqenëse ishte i shkurtër, të kishte lehtësi për të hipur mbi kalë. I kishte shumë pasion kafshët. U aprovua si film dhe filloi me sakrifica të jashtëzakonshme, pa grupin e xhirimit nuk do arrija ta bëja këtë film.

Në disa pikëpamje, filmi konsiderohet si i pari që ka thyer tabu…
Ishte edhe momenti kur po realizohej që më lehtësoi. Përfitova nga agonia e sistemit për të realizuar një film pa censurë. Sado që Partia e Punës ishte ende në pushtet, askush nuk ishte i fokusuar në të tilla çështje e ndoshta prandaj më ndihmuan me lehtësi si për kuajt apo helikopterin.

Kali i bardhë, në film, ka një histori më vete…
Kali në film është Naniusi, djali i Nakllonit. Ky i fundit erdhi në Shqipëri përpara prishjes së Shqipërisë me ish-BS dhe është përdorur në paradat ushtarake nga Beqir Balluku. Ishin kafshë të rralla, mjaft të kushtueshme, arrinin shifrën 1 milion dollarë. Në tërësi, filmi është i rëndë. Skena torturash në qelitë burgut, ekzekutimi i kalit, atmosfera e përgjithshme është mjaft e ashpër. Të vetmet çaste që shikuesi mund t’i jetë larguar pështjellimeve të Agron Kurtit, janë skenat e puthjeve mes Timo Fllokos dhe Raimonda Bulkut. Ishte ende herët për ndryshim mendësish.

A e pranuan me lehtësi protagonistët realizimin e kësaj skene?
Jo vetëm nuk e pranuan me lehtësi, por e refuzuan. As Timo e as Monda nuk donin që puthja të realizohej.

Çfarë ndodhi që ndryshuan mendim?
Një situatë krejt e rastësishme. Për fatin tim, në sheshxhirim erdhi një gazetare italiane e Rait. Aktorët, për të treguar që ishin të emancipuar dhe që nuk kishin komplekse të këtij lloji, pranuan që ta realizojnë skenën, por Flloko kishte një kusht; duhet të përdornim çarçafët e shtëpisë së tij. Unë nuk e konsiderova fare kusht në fakt, ishte në dobinë e filmit. Siç ju thashë, të ardhurat ishin aq të vogla saqë aktorët nuk janë paguar. Mua realisht më duheshin çarçafë me ngjyra, por nuk kisha ku t’i gjeja. Meqenëse Flloko u ofrua, pranuam dhe e xhiruam skenën.

Nuk paska qenë shumë e vështirë. Ç’ndodhi gjatë realizimit, tërheqje, ngurrim?
Shikoni, asnjëri prej të dyve, po ma do mendja të gjithë, nuk kanë dëshirë që unë apo të tjerët të flasim për këtë temë, nuk dal dot jashtë dëshirës së tyre.

Epo, edhe emancipimi ka nevojë të kalojë nëpër etapa, sidoqoftë! Një tjetër film i juaji, ndër të shumtë, është ‘Koncert në vitin 1936’, realizuar në 1978. Dy zonjat protagoniste, ende, me syrin e sotshëm, duken sharmante. Si u janë dukur ato banorëve të Libohovës? A kishte e dhe ky film peripecitë e veta?
Te ‘Koncert në vitin 1936’, njëfarë pengese fillestare ka qenë marrja e aktorëve. Zakonisht, unë i piketoja që në fillim ata që doja, mirëpo, për Robert Ndrenikën, atë kohë nuk ishte shumë e thjeshtë. Atij sapo i kishin hequr rolin kryesor te filmi “Fije që priten” dhe ishte në fije të perit, o do përfundonte në ndonjë provincë si aktor dytësor, ose do t’i nxihej fare. I ishte arratisur i vëllai e pasojat, patjetër që do dukeshin edhe tek ai vetë. Këmbëngula gjatë, u bënë mbledhje pa fund me Komitet Partie e me gjithfarë njerëzish, derisa Roberti u lejua të ishte pjesë e filmit. Mirëpo kjo ishte vetëm faza fillestare sepse nëse do të pranohej e nëse do të shfaqej filmi, vendosej më vonë. Filmat i shihte Enver Hoxha dhe duhet të jepte ai aprovimin. Nëse ai qeshte, gjërat për ne shkonin mirë, në të kundërt…

Qeshi ai në këtë rast?
Në Kinostudio kishim një spiun në Bllok, projeksionistin që shfaqte filmat, komunist. Ndërsa projektonte filmin, Bajrami kishte mundësi të shihte përmes vrimës së aparaturës reagimin e Enverit. Në çdo rast të ngjashëm, ne prisnim me padurim në Kinostudio të shfaqej Bajrami, ai ishte sinjali ynë i parë. Ai doemos që i jepte shumë rëndësi vetes. Kur e pyetëm në këtë rast thoshte “Do flas me drejtorin”. “Hë mo Bajramo si vajti tani?!”. “Qeshi, qeshi shoku Enver”….

Ky ishte sinjal i mirë për filmin në tërësi, bashkë me interpretimin e aktorëve…
Po, ky ishte edhe fati i Ndrenikës, sepse ai sapo e kishte parë, kishte thënë këta qenkan aktorë të mrekullueshëm. Përveç aktorëve, filmi u pëlqye menjëherë, ndofta edhe për shkak të simpatisë që kishte Enveri për Tefta Tashkon. Sigurisht që pas kësaj, askush nuk u mor më me Ndrenikën dhe u bë aktori që të gjithë duan sot.

Këto ishin pengesat e vetme të këtij filmi?
Jo, të tjera u shfaqën gjatë xhirimeve, e të tjera akoma pas shfaqjes së parë të filmit te ‘kontrolli i lartë’. Më vjen një ditë të bukur Ndrenika dhe më thotë: E di ti që e ke Manushaqen me barrë?! Ishim në mes të xhirimeve dhe asaj kishte nisur t’i dukej barku. ‘Si more është shtatzënë?!”, i thashë. Si t’ia bëjmë? E thërras Manushaqen dhe e pyes se si mund të vepronim? Se me ç’mendje nuk e di, por mblodhëm shtabin e filmit, pesë burra ne, dhe marrim vendimin që Manushaqja duhet të shkonte në maternitet të dështonte. Ia përcollëm vendimin dhe e shkreta e pranoi.

Si? E hoqi?
Nuk e hoqi, por kjo vetëm prej doktorit. Ai nuk e mori përsipër. Atë kohë ajo nuk ishte pak, ishte pesë muajsh dhe ndërhyrja nuk mund të bëhej. Atëherë thirrëm kostumografin të bënte kostume të përshtatshme në mënyrë që të kamuflohej barku dhe ashtu u bë. Po të vini re, te të gjitha skenat, ajo qëndron mbrapa Margaritës. Sigurisht që duhet një sy i mprehtë për të dalluar këtë truk.

Ndonjë skenë e prerë në film?
Ka pasur, por gjëra të vogla që sigurisht, po të ishin, mund ta bënin të ishte edhe më argëtues, por sidoqoftë… Nënprefekti, Fotaqi, bashkë me Shazivarin shohin nga sheshi duke kënduar. Aty, njeriu më aktiv ishte një nëpunës poste që e luante i ndjeri Roland Trebicka. Rolandi që nga filmi “Debatiku” nuk kishte marrë pjesë në filma dhe në këtë rast, desha ta riaktivizoj. Fotaqi pyeti:’ Çështë ky Nesti? Mirushi përgjigjet,- është ‘Ko, ko, Ko…’. korçar? Kjo tingëlloi pak keq në atë kohë, sepse të gjithë drejtorët e Kinostudios kishin qëlluar të ishin nga Korça. Jo-, thotë ai, – komunist. Mirëpo kjo hapi telashe sepse thanë, ti po tallesh me fjalën komunist. Një film tjetër që më kanë sakatuar ka qenë “Nxënësit e klasës sime”. Në fakt, edhe unë bëra një veprim më të guximshëm seç duhej. I vura Robert Ndrenikës një kasketë si të Enver Hoxhës në sekuencën kur ai bie e thyhen krahun. Kjo u interpretua sikur pushteti ishte i plagosur dhe sigurisht skena u rixhirua, tashmë, pa kasketë. Mund të të prishte shumë punë kjo, aq më tepër që unë isha në rrethin e kuq. Shumë vonë doli dokumenti ku unë isha futur si antirevolucionar.

Vetëm për shkak të kësaj situate?
Jo, kishte pasur akumulime situatash të vogla, sepse unë edhe i jepja njëçik gojës, por nuk isha i vetmi. Kush ishte tjetër? Po ishim disa, Vaçe Zela, Roza Anagnosti, Bardhyl Martiniani, Rikard Ljarja, Limos Dizdari, Marije Kraja…, nuk di është një listë e gjatë. Ne përgjithësisht na shpëtonte ndonjë fjalë më tepër, nuk e mbanim veten. Sigurisht që spiunët që kishim përreth, ishin gjithnjë aktivë. Për shembull, Vaçja fliste gjithë kohës, Limosi kishte thënë “këta janë të poshtër se nuk më fusin në parti”…e situata të tilla të ngjashme.

Cila është puna juaj e fundit? Nuk jeni dëgjuar shpesh kohët e fundit?
Nuk jam dëgjuar, sepse nuk kam fort dëshirë të trokas nëpër dyer për të kërkuar para. Puna e fundit ka qenë “Ne dhe Lenini” që ishte një bashkëpunim franko-shqiptaromaqedonas. Kam bërë përpara pak kohësh një dokumentar për flotën ajrore edhe aty peripeci pafund. Kërkuam helikopter, e morëm me leje e kur uleshim, na vihej pas policia se kujtonim se ishim me drogë!

ANI JAUPAJ

Shkrimin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të “Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura