Kujtimet e “Bllokut” në funksion të “aristokracisë”

Sep 1, 2015 | 13:54
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Ka një garë të shfrenuar për të shkruar kujtime nga personazhe të ndryshme të ish-Bllokut komunist në Tiranë, vit pas viti, më shumë së fundmi. E gjithë kjo scribtari po merr formën e një fenomeni historik tipik shqiptar, si “kontribut origjinal” në historiografinë moderne europiane, i ngjashëm me “kontributin” që kemi dhënë në prostitucion apo në trafiqet kontinentale.

Të turrshëm, të pange, të nxituar, janë të gjithë ata që jetuan aty deri në minutën e fundit e po aq ata që u larguan prej tij në periudha të ndryshme, për të përfunduar burgjeve që ndërtuan vetë. Qëllimi, injektimi në kohë i një gjykimi siç e duan vetë për veten. Duket ambicie humane në pamje të parë.

Te ky lloj humaniteti qëndron problemi! Edhe të përjashtuarit përkohë- sisht, gjithë nostalgjinë e kanë të përqendruar në atë kuadrat. Blloku është për ta hierarki sociale, “aristokracia” e rendit të ri ose “gjaku i kuq” i Shqipërisë. Memorialistika në shumë raste e për shumë personazhe ka shërbyer si rrëfim, si katarsis, si një marrëdhënie e re besimi me shoqërinë dhe historinë. Ndërsa kujtimet që dalin prej Bllokut shqiptar janë thjesht perverse. Ato janë një tentativë vetërehabilitimi pas një ankthi disavjeçar.

Të ndrojtur mos do vendosej drejtësi apo reagim shoqëror scribet priten. Kur gjithsa ata frigeshin nuk ndodhi kurrë, morën në dorë pendën për të rishkruar testamentin e tyre. Shpresa, se mijëra faqet e tyre do t’u shërbejnë si gur varri mbi të vërteten kriminale, protagonistë të së cilës ishin, i shtyn në nxitim për ta hedhur të zezën mbi të bardhë.

Meqenëse nuk pësuan asgjë në Shqipëri, qenka e mundur të pretendosh edhe pak lavdi! Në një shoqëri të lirë dhe demokratike kushdo e ka mundësinë e fjalës, si tekst apo si verb. Por tjetër ligji e tjetër etika. Në rastin tonë, ligjit nuk i vjen në ndihmë etika, përkundrazi, ajo e ka braktisur atë. Scribet bllokistë, njerëzia e të cilëve është e diskutueshme në bazë të një morali që shoqëron njeriun qysh nga Adami e Eva, nuk kanë të drejtë të flasin.

Së paku ata duhej të heshtnin, të strukeshin skutave të vetëpersekutuar sentimentalisht, që të mos i kapë asnjë shikim, të maskoheshin kur ecnin rrugës që të mos ndynin ekologjinë emotive, të mos trazonin të përdhunuarit e tyre. Por, mesa duket, ata e kanë bërë testin dhe kanë kuptuar që ish-robërit kanë vdekur në shpirt dhe në krenari!

Profesor Sami Repishti e quan epërsi morale sjelljen e ish-të persekutuarve, akt i rrallë faljeje, por atyre nuk ua kërkoji kush kurrë faljen, që ta jepnin atë. Bllokistët zgërdhihen me këtë fjalë. Ndoshta Repishti, edukuar me parime të mëdha universale, ka të drejtë, ndoshta, megjithëse ndonjë dyshim me feks! Repishtit i kërkoi kush falje, së paku?!

Sipas një metamorfoze vështirë të kuptueshme në mënyrë racionale ngjan se ata, të shtypurit e djeshëm, e kanë pranuar nënshtrimin moral dhe politik, duke bashkëjetuar me mungesën e drejtësisë si fatalitet, duke u vetëpërdhunuar kësaj rradhe. Sindromi i Stokholmit meriton të quhet “sindromi i Tiranës”.

Me përjashtim të Bashkim Shehut, e sidomos të Spartak Ngjelës, një rast i rrallë i devijimit nga shtresa, i dominuar nga kultura dhe mosha e re kur doli prej atij rrethi për t’u përballur me tiraninë si kundërshtar i bindur i saj pikërisht aty ku dinjiteti njerëzor thyhej, në honet e errëta të tercinave danteske, në burgje, në tortura, në një bashkëbisedim mbi 15-vjeçar me elitën e vendit lidhur me pranga, askush nga “aristokracia” e komunizmit nuk i përdori kujtimet për t’i shërbyer së vërtetës dhe mentalitetit demokratik.

Ajo është një e vërtetë që noton në gjak. Ngjela e ka sfiduar Bllokun dhe e ka rrëfyer atë si askush tjetër te “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, por e ka humbur betejën politike me të, ndonëse ka fituar dinjitetin. Blloku është kudo, tani ai është mental. Kemi dy lloje memorialistikash, njëra e lavdishme, njerëzore dhe heroike, e tjetra e turpshme, fëlligështia vetë. E para së paku një gjë të thjeshtë ta rras në krye, që njeriu nuk është zhdukur përfundimisht nga shoqëria shqiptare dhe bisha nuk e ka zënë përfundimisht vendin e tij as në kohën kur njeriu konsiderohej thjesht një kafshë pune.

Ato janë faqe dinjiteti, pasuri e pakët, por e patjetërsueshme për fëmijët tanë. Jo gjithçka do t’i bëjë ata me turp. Këto janë kujtimet e At Zef Pllumit, Sami Repishtit, Arshi Pipës, At Konrad Gjolajt, Spartak Ngjelës, Bashkim Shehut, Pjetër Arbnorit, Engjëll Çobës, Petrit Mustës, Beqir Ajazit, Maks Velos e shumë të tjerëve përballë taftit që del nga Blloku.

Si mundësi hipotetike, kur dikush merr në dorë një libër “blloku” pret një “mea culpa”, duke shpresuar se njëri, në kapërcim botësh, i druhet ferrit dhe pret që rrëfimi të niste me një thirrje- “shqiptarë bëni një përpjekje për të na falur!”… për të vazhduar “ne ishim tiranë, ne ishim vrasës, ne ishim perversë, ne ishim meskinë, ne ishim mediokër e më përtej, ne gëzoheshim kur ju vuanit, ne, ju urrenim, ne suksesin e jetës sonë e ndërtuam mbi fatkeqësinë tuaj, telat me gjemba i kishim vetëm për ju, ne ishim armiq të lirisë, ne argëtoheshim me njeriun kafshë pune dhe të depersonalizuar, ne ushqeheshim me të gjithë të mirat kur fëmijët tuaj vuanin anoreksinë, ne përdornim dhe përçudnonim çdo talent, çdo gjë duhej konsideruar si dhuratë e dhënë prej nesh, ne ishim hajdutë, ne urrenim dinjitetin dhe personalitetin, ne kultivuam njeriun e ri monstër, po ne ishim e keqja absolute, por duam të kthehemi përsëri, njerëz”.

Njeriu sa është sfidues në ligësi i çdo qenieje tjetër, po kaq është i brishtë dhe i thyeshëm përballë së vërtetës. Kjo është enigma e tij mistike. Si tendencë njeriu vetvetiu priret të besojë tek aftësia rikuperuese që efekti kohë krijon përballë së mirës dhe së keqes. Asnjë të vërtetë që të na thyejë zemrën, që të hapë një brazdë në ndërgjegje, nuk gjejmë në librat e Bllokut.

Në bashkëkohësinë europiane nuk kanë munguar rastet kur hierarkë të nazizmit, fashizmit, madje edhe të komunizmit lindor, kanë dëshmuar se t’i rikthehesh së vërtetës është e mundur. Të lypësh me insistim faljen, mund ta ndeshesh atë. Në Shqipëri jo vetëm bllokistët që nuk e bënë, por gati askush. Këto ditë një intervistë hapi debate mbi kontrollin e Sigurimit në art e kulturë.

Mund të bëjmë një pyetje retorike: Kush i kërkoi falje Luk Kacajt, artistit me famë ndërkombëtare, për dëshmitë e rreme kundër tij? E pra, disa dëshmitarë ishin kolegë që i shkatërruan jetën! Pjetër Arbnorit, kush? Po Mihallaq Luarasit, Ali Osekut, Maks Velos, Sherif Merdanit, familjarëve të Blloshmit e Lekës, atyre të Havzi Nelës dhe dëshmitarët apo ekspertët e gjyqeve të tyre nuk ishin lumpen, por njerëz letrash etj.? Askush nuk ndjeu nevojë shpirtërore për të ecur në të tilla shtigje.

Ndoshta jo publikisht, po natën në heshtje, në maje të gishtave, dikush mund të linte një letër nën derë bashkë me ankthin e vet nëse nuk përballonte shikimin, por jo, nuk ka ndodhur, nuk kanë ankth! Në vendet e tjera përtej nesh, të investohesh në mbrojtjen e së keqes konsiderohet vazhdim i krimit. Ish-nazistë, ish-fashistë dhe ish-komunistë në Europë rrëfyen me detaje mekanizmin e tyre mendor që i ka çuar në veprime shokuese ndaj njerëzimit.

Disa kanë shkuar edhe më larg, kanë vendosur të mos bëjnë fëmijë nga frika se gjeni i tmerrshëm mund të ripërsëritet, për të mos i bërë një të zezë tjetër kombit të vet, por edhe si shpresë që turpin ta marrin me vete, pa e lënë trashëgimi. Kush nuk veproi as kështu e as ashtu u zhduk në errësirën e përjetshme të heshtjes, pa guxuar të shfaqet kurrë publikisht. Në Shqipëri po përvijohet me shpejtësi krenaria e krimit.

Në kujtimet e tyre ka vetëm vendime të drejta, paqe, lumturi, dashuri, harmoni, thjeshtësi, një jetë romantike e denjë për përralla. Shprehje të tilla “Po ashtu ishte koha”, “Ç’të bënim ne xhanëm?!”, “Bëmë më të mirën?”, “E lehtë të flasësh tani”, “Ashtu ishin ligjet” sikur kohën, ligjet dhe vete njeriun shqiptar ta kishin zbritur mbi tokën 28 mijë km katrorë UFO-t.

Manipulimi merr trajtë te furia për të rindërtuar një imazh tjetër të vetes, si dhe imazhin që ata duan për çdo individi që u doli duarsh, çdo talenti, personi a personaliteti, kundër çdokujt që ngriti zërin mbi kobët e tyre, kryesisht ndaj të persekutuarve me qëllim cenimin e statusit moral të tyre.

Të flasësh për të kaluarën e para 25 viteve konsiderohet folklor. Duke përqeshur çdo tentativë për të hedhur dritë fillon përqeshja kompleksuese ndaj çdo iniciative. Tashmë ky është një synim historik dhe politik i kastës. Lëndinave të atyre kujtimeve ka gjithçka tjetër që imagjinata nuk ta rrok, që turpi si sinor njerëzor të thotë “mos, si ka mundësi deri këtu?!”. Kauza e Bllokut nuk ka humbur. Blloku ka krijuar një model te shoqëria e sotme.

Ai shfaqet ende si kështjella e artë dhe e ëndërruar. Kufijtë e kësaj ëndrre janë fytyra e demokracisë shqiptare, vraga dhe turpi i saj. Pos scribeve për vetën angazhohen të flasin sekretarët, “gjeneralët e lavdishëm” të Sigurimit të Shtetit dhe të Ushtrisë e më pas, rojat, kuzhinierët, orëndreqësit, bahçevanët, doktorët, shkrimtarët, dhe kështu konteksti plotësohet në perfeksion.

Dhe njeriu i shkretë hedh me rropamë tutje çdo dilemë, duke vikatur: “Ata paskëshin qenë të duhurit në kohën e duhur, nipërit dhe mbesat e tyre gjithashtu!”. Trajektorja e scribeve është interesante, në zigzaget e saj nëpërkëmbet vullneti i dobët për të ndërtuar shtet demokratik.

Pas “rrëzimit”, filloi tërheqja dhe fshehja, kur askush nuk ua bëri me gisht, u shfaqën në rrugë, në kafene, pastaj në shtyp, në televizione, në biznese dhe pak më vonë krenaria e të qenit bllokist u shndërrua në aksiomën më të suksesshme politike në vend, si legjitimitet monarkik mbi trashëgiminë e drejtimit të vendit.

Ndaj duhen këto kujtime si vazhdimësi dialektike, ndaj duhen të tilla, si kauzë morale për të merituar “përzgjedhjen”, ndaj duhen kaq të shpeshta si investim në harresë, aq sa, një ditë, e vërteta e Bllokut do të jetë e vërteta unike e Shqipërisë dhe njëkohësisht perversiteti ynë afatgjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura