“Ku qenkan këto lagje me furnizim 24 orë?!”- Dash Shehi në Kuvend: Ujësjellësit punësojnë këngëtarë e gazetarë! 120 mln euro në tarraca

Apr 21, 2022 | 14:34
SHPËRNDAJE

Deputeti Dashamir Shehi foli në Kuvend për furnizimin me ujë në Tiranë dhe menaxhimin e ujësjellësve.

Shehi deklaroi se këto institucione janë të “fryrë” me një numër të lartë punonjësish ndërsa me ironi theksoi se kanë marrë në punë këngëtarë dhe gazetarë.

“E shoh nga një pikëpamje pozitive që po interesoheni për ujësjellësin e Tiranës. Prapambetja e këtij sektori është kaq e dukshme. Ne jemi me vërtetët një vend që ka shumë ujë. Duhen investime, seriozitet, transparencë dhe kontrolle që nuk janë bërë prej vitesh. Kjo qeveri nuk e fillon sot historikun e vet. Përvajtimi nuk vlen më në Shqipëri.  

Nuk do vazhdojmë po me këtë frymë se kjo punë nuk mbaron ndonjëherë. Kjo qeveri e ka pasur kohën e mjaftueshme për të krahasuar veten e vet. Të ardhurat janë 65%. Nga 57 ndërmarrje, 12 nuk mbërrijnë as te kostot jo të arrijnë të arkëtojnë fitim. Kemi staf 5.3 vetë për çdo 1000 lidhje. A thua se Tirana ka 4-5 mln banorë. Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë bëhet me deporatorët e ujërave. Punësojnë këngëtarë e gazetarë”, deklaroi Shehi.

Ai shtoi se qeveria duhet të marrë masa për depozitat dhe pompat që janë të vendosura në çdo tarracë pallati.

“Do marrë disa masa kjo qeveri? Do marrë përsipër detyrimet që ka ndaj këtij sektori? Këtë luks që kemi pasur për ta shpërdoruar ujin nuk do ta kemi gjithmonë. Unë jetoj në pallat, në kat të pestë. Kam 16 depo sipër. Gjysma e pallateve kanë pompa.

Pompë për të ngjitur ujin lart dhe pompë për ta shpërndarë. Tirana ka 120 mln euro mbi tarraca, depo uji, pompa, sistemi lidhje, zgjidhje. Nuk ka asnjë plan si do përqendrohen këto depo. Ku qenkan këto lagje që paskan ujë 24 orë në Tiranë?!”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura