Kronikë e çmendur

Aug 28, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

bociLUÇIANO BOÇI

Kur një gazetar investiga tiv deklaroi se informatorit të tij të arave me kanabis i kishin futur një plumb kokës, askush nuk e “vrau kokën”. Ngjarja u përjetua  si një normalitet, nga ato që as kronikë e zezë nuk mund të quhen. Shtetit nuk i lëvizi as nervi më i vogël, ndërsa opinionit publik iu duk një ngjarje e konsumuar dhe, si e tillë, e pakuriozitet. Jo vetëm që nuk i ngjalli emocion, por përkundrazi. Dyshimet dëshirore se gazetari “rren” u shtuan më shumë. Tek e fundit, “çunat” s’po bëjnë ndonjë hata. Thjesht po ushqehen me bukë. Punë s’ka, subvencione s’ka, dritë në tunel jo e jo.

Profesionistë jemi që jemi, mendojnë ata. Mediat në përgjithësi, me përtacëri e përmendën tek-tuk si një batutë të radhës. Me shumë bojë e zë u dedikojnë vrasjeve aksidenteve, incesteve që rriten çdo ditë me një sukses të makthshëm. Ndërkohë, kronikat e ditëve nxijnë nga policët-korrës, që duket se “me dhimbje”, presin “pemët” magjike të kanabisit. Presin ato që janë “mashkull”- thotë një bujk – që s’kanë prodhim.

Ky, siç duket është trajnimi më i ri, të cilit i janë nënshtruar këto ditë policët e mjerë. Zakonisht pamjet shoqërohen me numra rrënjësh që shkojnë në dhjetëra-mijëra, për të bërë aty reklamën e “shtetit” dhe me qindra persona në kërkim. Po t’i mbledhësh në këto ditë, numri i tyre në total del më i madh se e gjithë trupa e policisë. Këta me status “në kërkim” policia nuk guxon t’i gjejë asnjëherë, sepse fshihen në arat “femra”, pjellore e të paprekshme, me kallash në dorë, duke ruajtur “piramidën” e “virgjërinë” e memorandumit për “gjuetinë”! Shefat e policëve, të pashqetësuar, me laps në dorë bëjnë bilancet e humbje-fitimeve, minuseve e pluseve, përqindjeve e pjesëtimeve.

Ndërsa disa “të fortë”, me origjinë nga këto “ara”, në mbështetje të liderit të tyre, në një fushatë me makina dogane, në vend që të brohorisnin kandidatin konkurrues, gërmusheshin për “mretin” e vet. Ngatërruan pa dashje zgjedhjet lokale me ato politike. Po kjo s’ka rëndësi, kur të njëjtin gabim e bën me dashje dhe vetë Kryeministri. I bërë jeshil (mos e dhëntë Zoti prej kanabisit!), i binte me grusht podit të fushatës dhe përsëriti se opozita nuk e do reformën. Ndërsa partneri i tij i Aleancës vazhdon nxirjen me konsensus.

Turma, e sjellë gjysma më pahir, duartroket me “hare” dhe “zgërdhihet” nga “mençuria” e pakufij e atij që flet dhe e trisit rastësor të formuar prej llagapeve, si pjesë e pokerit të prillit. Lufta brenda maxhorancës e ka tejkaluar tashmë sallën llafazane të Parlamentit dhe është zhvendosur në “arenën e blertë”. “Të dashuruarit deri në urrejtje” nuk gjuhen më, me njëri-tjetrin me fjalë, por me ara kanabisi. Krahinat e territoret dominante të njërës palë, pushtohen herë pas here nga “uniformat” e palës tjetër. D.m.th., shteti vjen erë! Të rëndë, madje. Sidomos tani që ka dhe zgjedhje bashkish me bakshish. Dëmi shkon në miliona euro. Brenda këtyre kutërbimeve shtetërore ka paralajmërim të qartë: “po më braktise, të godas aty ku humb më shumë para”.

Këtu tashmë dihet që formula ndërlidhëse e Aleancës është kanabis = para = vota = pushtet. Balancat brenda quasi-qeverisjes kanë filluar të lëvizin ndjeshëm. Çamët po kënaqen me “dhurata greke” nga shqiptarët. Ndërsa vetë shqiptarët po ushqehen me lugë bosh nga serbët, të cilët autostradën e Nishit e morën “për hir të rajonit” me një firmë idiote të atij që fryhet sa herë e fërkojnë para foltores. Ndërkombëtarët, nga ana e tyre “krihen” përpara Reformës në Drejtësi me drejtësi drapri dhe dhurojnë buzëqeshje pa doganë suksesi të paimagjinueshëm. Një “Reformë” me tapet jeshil anë e kënd, kjo. Më e bukura është se ekspertët e tyre e gjetën zgjidhjen, antidodin e korrupsionit, pikërisht tani në fund, në mesin e fushatës korrje-shitje.

Madje, jashtë politikës. Kjo ishte dhënia e pagave milionëshe gjyqtarëve e prokurorëve. Aleluja! Ndërsa të gjitha ato “broçkullat” e tjera AKLMNOD…. BKJHFDE…, pra sistemi, na paskëshin qenë kot fare. Ato u bënë se i duheshin atij spekulantit të përfolur ndërkombë- tarisht, bashkë me këtë liderin global, për ta shpëtuar me demek nga “kapja” e për ta kaluar përfundimisht në “zaptim” Drejtësinë e bërë zhele. Askush nga këta nuk e sheh invadimin e “gjethes”, që është bërë hiti absolut i kësaj vere.

Sepse të gjithë merren me të. “Hallexhinjtë” e pushtetit e mbjellin, “turistët” e papunë e punojnë, shteti e ruan, policia e shet, popullsia do e marrë në fund një kacidhe lëmoshe në zgjedhje. Tamam si tek loja fëminore: “unë jam lokomotiva dhe thërras vagonin e parë, unë jam vagoni i parë…”. Por në një rreth çmendurie të paimagjinuar më parë. Megjithatë, heshtja vazhdon. Duket se është e mbjellë në proporcion të drejtë me hashashin. Ose shkojnë shumë bashkë, ose kanë të njëjtin efekt.

Reagim ende nuk ka. E vetmja është braktisja gërryese drejt askundit. Siç duket, të gjithë janë “të lumtur”. Por nuk e kuptoj se cilët janë më të çmendur pas kësaj “lumturie”, ne apo ata (ndërkombëtarët)?! Më i mërzituri në këtë mes duket se është Lazarati. Mirë që i morën erzin e shpirtin, por po i rrëmbejnë edhe famën tani. Sesa për Shqipërinë, duket se po marshon çmendurisht me ballin lart, drejt anëtarësimit në BE-në e tronditur nga tërmetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura