Kronika e verës ul qepenat!

Aug 23, 2018 | 12:46
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj11

AGRON GJEKMARKAJ

Filloi me shi e po mbyllet me rrebesh kjo verë! Askush nuk i përmbylli planet e veta siç desh! Të gjithë pushuan si mundën me përjashtim të skribeve, që nuk rrimë dot gjatë pa krypur mend! Përveç ndonjë glase që hodhën personazhe të dorës së dytë, si Qeveria dhe Opozita, për gati 20 ditë na lanë në të shenjtën paqe! Utopistët e përqendruar mbi ndonjë shishe birre mes gromësimave, bareve të kryeqytetit hidhnin ide për një shtet të lumtur pa qeveri dhe pa opozitë!

Ëndrrat dhe realiteti janë në kontradikite historike krejt si dashuritë e njëanshme e të pamundura, që ia plasin xhanin të vluarit që rraskapitet psherëtimash! Ministrat filluan të duken një nga një, pas tyre opozitarët dhe vetë kryetari i PD-së, teksa Kryeministri qeth leshrat e pakta rraheve të Dhërmiut! Edhe ai do të kthehet si benzina mbi zjarrin e lagur nga shirat e pabesë e tahmaqarë të gushtit! Ministrushja e Shëndetit, Manastirliu, para se të përleshej në mejdan me Tit Vasilin gjuhëpërveshur, doli syrin nepsqar të paparacëve me artilerinë e rëndë plazheve të jugut, duke këllasur në mendime një dynja të tërë!

Të tjerët erdhën pa bujë e zhurmë në zyrat e tyre, ku pihet shumë kafe e hidhur këto ditë! I madhi po mejton për ndryshime në kabinet! Ndarja me karrigen është më e rëndë se ajo me familjen. Karrigia është edhe nënë, edhe babë. Edhe atdhe, edhe botë! Është dije universale, këshillë, libër dhe trashëgimia më e mirë për fëmijët. Është shëlbim, thagmë, tharm, lezet e bereqet. Të rrotullohesh mbi të nuk ia ke lakmi as Juri Gagarinit e as ekuipazhit të Apollos.

Ajo të bën të mençur e ashik! Ajo të bën të bukur, hijerëndë dhe me raste të pasur. Thonë se ata që e ndiejnë se do largohen, mbyllin derën dhe e lajnë me lot, e lëpijnë dhe me oiii mallkojnë të prapmet e atyre që do fërkohen mbi të. Gushti, i cili po shkimet më ngadalë seç duhet, vazhdon ende me surprizat e tij. Taulant Ballën nuk po e lënë rehat. Ja zunë verën në fyt maluketërit. Akuzë pas akuze! Tani së fundi, Gazmend Bardhi, një djalë, mbase më dinjitozi i teknikëve ministra që pat ofruar Basha për qeverinë e çuditshme që menaxhoi zgjedhjet e shkuara, çdo ditë i bën nga një pyetje a ndonjë akuzë numrit 2 të socialistëve.

Tani për një të ndaluar në Greqi. Bah, duket e gjitha si xhelozi pas takimit të tij me Trampin. Pas një heshtjeje kurioze, Grida Duma kishte darovitur mjegullat e opozitës duke u mejtuar gjatë mbi hendekun që gërryen Kryeministri për të ndarë popullin nga opozita. Kësisoj i kishte dhënë një leksion enigmatik Bashës se si hendeku mund të shndërrohet në urë. Të jem si Basha, do mërzitesha me miq e armiq, me kundërshtarë e kritikë.

Do të dilja në një konferencë shtypi e do iu nxirrja gjuhën, duke iu thënë hajt sikter se do vej siç dua vetë se ma ka falur Doktori mua. Si do jetë shtatori e vendos ky fundmuaji. Do bjerë Teatri apo do mbahet? Do të dijë ta mbrojë opozita, duke korrur një fitore që do t’i duhej shumë pas kaq vitesh? Do të rishpikë ajo (PD) vetveten dhe fabulën e re? Mbetet për t’u parë. Enigmë e madhe pas kaq tulatjesh nëse do ketë sukses arroganca e pafre e Kryeministrit apo do të kompozohet një vullnet qytetar për t’u përballur?

Një gjë është e sigurt. Që në shtator fillon fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Sytë janë zgurdulluar mbi Tiranën. Nga “Rilindja” me gjasë mbetet Erion Veliaj, një kandidat i vështirë, mjeshtër i propagandës dhe autor i disa punëve publike me spikamë qytetare, sado që mbi to nuk reshtin preferencat dhe diskutimet. Nga opozita ka ende mjegull. Analistët thonë se përballë Velisë do të jetë Jorida Tabaku, një nga asetet më me vlerë që ka opozita aktuale në rrafshin qytetar dhe politik.

Do të ishte një betejë interesante ndërmjet dy profilesh të kithta. Në Kosovë, krahas kufijve që po bën tërkuzë Thaçi, diskutohet edhe për Albanologjinë. Seminar i përvitshëm mes dy Fakulteteve Filologjike, atij të Prishtinës dhe Tiranës. Çeljen e punimeve e inauguruan Kryeministri Haradinaj dhe ministrja Nikolla, detaj njerëzor e politik ky me domethënie kombëtare për një gjë kaq themelore për kombin tonë, siç eshte Albanologjia.

Kur duan, disa politikanë bëjnë edhe ndonjë gjest të lëvdueshëm. Personalisht ndahem me keqardhje me kronikën time të dashur verore, meqenëse për një batutë e djeg jorganin. Pirandelo, shkrimtar i madh italian për ata pak që nuk e dinë, shkruante që humori është forma më serioze e komunikimit.

Sa ia kemi dalë të jemi seriozë në të qeshur, një Zot e di e po aq lexuesit. Në shtator kthehemi te gjerat e bezdisshme e serioze, të cilat mbesin të tilla vjeshtë pas vjeshte, si një ëndërr e keqe që nuk i shqitet vendit tonë. Ndërkohë, si dikur në radio poste, ju përshëndes me këngën e Modugnos: “Amara terra mia”!

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura