“Krijuan kompani për t’i dhënë vetes para”- Klodiana Lala për arrestimin e ish-zyrtarëve të Bashkisë Tiranë: Si u shtrua asfalti elektoral me urgjencë dhe pa tender! SPAK po heton dhe persona të tretë

Mar 28, 2024 | 22:51
SHPËRNDAJE

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar mbrëmjen e sotme se historia ‘5D’ që çoi pas hekurave 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë për pabarazi në tendera dhe korrupsion, është një aferë e rëndësishme korruptive.

klodiana lala dosja 5d

Lala u shpreh në emisionin ‘Open’ se Redi Molla dhe Mariglen Qato, përmes kompanisë së tyre ‘defacto’, i jepnin para vetes. Babëzia ishte aq e madhe, thotë gazetarja, saqë edhe tenderat më të vegjël i qarkullonin përmes kësaj kompanie.

Ndër të tjera Lala ka treguar një rast, ku u shtrua një asfalt elektoral me urgjencë dhe pa tender.

LEXO EDHE: EMRAT+AKUZAT/ Dosja ‘5D’ çoi pas hekurave ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranë dhe biznesmenë. Si Mariglen Qato dhe Redi Molla i dhanë tendera kompanisë së tyre

 “Historia 5D është një aferë e rëndësishme korruptive. Zyrtarët më të lartë të bashkisë së Tiranës, për kohën që janë hetuar ishin në detyrë. Redi Molla dhe Mariglen Qato që u arrestuan sot dhe Taulant Tusha që u arrestua për inceneratorin e Tiranës. Përgjatë viteve 2016-2020 kanë krijuar një kompani 5D që e kanë kontrolluar përmes një administratori që është Nestor Muhametllari.

Molla kur ishte drejtor te UKT dërgonte Qaton që e bënte kryetar ose anëtar të komisionit të vlerësimit ofertave dhe ka firmosur 7 procedura tenderimi, pra i ka dhënë para vetes së vetë. Dërgonte njerëzit e tij, bënte tenderin fiktiv dhe kalonte paratë te kompania e tij. Pra nuk ishte në emrin e tij, por me Qaton kontrollonin kompaninë. Për të dhënë tenderat fuste njerëzit e tij të besuar të bashkisë.

Ka shkuar deri në atë pikë sa drejtorët e bashkisë kanë krijuar një kompani për t’i dhënë para vetes. Babëzia ka shkuar deri aty sa kanë shtruar një rrugë, asfalt elektoral për të marrë vota dhe tenderin e kanë bërë një muaj më vonë. Nuk kishte kompani të kontraktuar për asfaltin në fjalë për zgjedhjet e majit.

Nisur nga kjo indicie ka nisur një hetim për këtë asfaltin elektoral që u bë me urgjencë dhe u bë me gropa shumë herët. Kjo rrugë ishte bërë pa tender sipas konstatimit që u bë. Sot kemi tre zyrtarë të bashkisë, Mariglen Qato ka qenë ndër njerëzit më të rëndësishëm të IKMT të bashkisë së Tiranës dhe ka nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpia. Mënyra si është vepruar tregon jo vetëm akte korruptive dhe babëzi, por edhe tenderat me vlera minimale i kanë qarkulluar përmes kësaj kompanie.

SPAK ka zbarkuar në kompaninë 5D dhe ka mbledhur prova ku kanë dalë të dhëna edhe për persona të tretë që po hetohen. Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, janë ushtruar kontrolle dhe janë mbledhur celularët e zyrtarëve në drejtoritë që drejtonte Taulant Tushe. Nga këto celularë janë gjetur disa aplikacione ku drejtorët dhe zyrtarët më të lartë komunikonin me njëri-tjetrin”, zbuloi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura