Kreu i ri, vendoset afat për anëtarësimet në PD. Kryesia: Dy ditë

Jun 30, 2013 | 9:58
SHPËRNDAJE

Kryesia e PD-se
Në regjistrat e selisë blu numërohen 95 mijë anëtarë me teserë. Të hënën në mbrëmje skadon afati për shtimin e anëtarëve në PD

Çdo qytetar që deri të hënën në orën 20:00 bëhet anëtar i Partisë Demokratike, mund të marrë pjesë në zgjedhjet që do të zhvillohen muajin e ardhshëm për kryetarin e kësaj partie. Kryesia e PD-së, e mbledhur të premten në mesditë, ka vendosur që nga e dita e martë të hartohet lista e zgjedhësve që do të marrin pjesë në procesin elektoral brenda selisë blu. Në këtë mënyrë, ky forum i demokratëve ka lënë edhe dy ditë kohë për të gjithë ata simpatizantë që nuk kanë ende teserën e partisë. Burime në PD bëjnë të ditur se sipas regjistrave dixhitalë që ka kjo forcë politike, deri tani numërohen rreh 95 mijë anëtarë me të drejtë vote, të cilët do të thirren për të zgjedhur kryetarin e ri. Në selinë blu katër janë emrat që qarkullojnë si kandidatura të mundshme të demokratëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-themeluesi dhe kryetari i PD-së, Eduard Selami janë emrat që përfliten si pasardhës të Sali Berishës. Këtyre emrave iu shtohet edhe ai i ish-deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili ka shprehur ambicien për të kandiduar. Dy ditë më parë Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode deklaruan se nuk do të jenë pjesë e garës. PROCEDURA Pas vendimit të fundit të Kryesisë së PD-së, brenda ditës së premte në sekretariatin e demokratëve do të regjistrohen kandidatët që do të marrin pjesë në garë. Më pas do të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i vetmi forum që mund të ndryshojë Statutin e partisë, i cili do të amendojë nenin 35, pika 4, për t’i dhënë të drejtën anëtarësisë të zgjedhë kryetarin e ri.

Vendimin për thirrjen e Kuvendit e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e partisë, me propozim të kryetarit. Në nenin 35, pika 2 e Statutit të PD-së, thuhet se vetëm Kuvendi Kombëtar mund të miratojë ndryshimet në ligjin e funksionimit të kësaj partie. Kryesia e PD-së do të përcaktojë gjithashtu kohën se kur do të bëhet fushata elektorale si dhe datën e votimit.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kreu i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se ai nuk do të ndërhyjë në garën për kryetarin e ri, duke e lënë atë të hapur për secilin prej anëtarëve të PD-së që do të kandidojnë. “Unë jam njeri i sinqertë. Nëse unë do të doja të shënjoja pasardhësin, ai do të dilte në shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë. Pse? Sepse unë do ta lë të jetë një garë e hapur. Cilido nga strukturat e Partisë Demokratike, cilido, le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht: të pranojë garën”, tha Berisha. Ai tha gjithashtu se lidershipi i ri i PD-së do të bëjë analizën e zgjedhjeve të 23 qershorit si dhe do të ketë mundësi të ketë shumicën në forumet drejtuese.

(Lajmin e plote nga Adi Shkembi e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura