Kredia e BB për turizmin, anulohet tenderi që përfshin katër qytete

Jul 17, 2017 | 9:29
SHPËRNDAJE

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri me dije se ka anuluar tenderin për shprehjen e interesit lidhur me shërbimet e mbikëqyrjes për ndërhyrjet që do të bëhen në katër qytete në Jug të vendit. Bëhet fjalë për një nga procedurat e parashikuara në kredinë prej 63.8 milionë eurosh që Banka Botërore i ka dhënë qeverisë shqiptare me fokus Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin.

Saranda
Saranda

Tenderi parashikonte mbikëqyrjen e punimeve në pika të veçanta në qytetin e Sarandës, Përmetit, Gjirokastrës dhe Beratit. Konkretisht këto ndërhyrje parashikojnë:

1) Rehabilitimin e Shkallëve në Sarandë

2) Rigjenerimin urban të shëtitores ekzistuese “Naim Frashëri”

3) Pazarin e Gjirokastrës dhe rrugët me kalldrëm

4) Shtegun e Ali Pashës dhe stabilizimin e pjerrësisë

5) Ndriçimin e rrugëve të Gjirokastrës dhe ndriçimin e monumenteve në qendrën historike

6) Rehabilitimin e kalldrëmeve në rrugën “Mihal Grameno” që të çon drejt kalasë

7) Rehabilitimin dhe përmirësimin e rrugës “Muzak Topia” për aksesin me makinë drejt kalasë

8) Ndriçimin e rrugëve dhe qendrës historike të qytetit të Përmetit

Në njoftimin e bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk jepen arsyet për anulimin e procedurës, përveç faktit që tenderi do të hapet sërish në ditët në vijim.

E gjithë administrata ndërkohë është duke kryer procedura prokurimi me pikatore për shkak të një vendimi qeverie, i cili anulonte çdo lloj procedure, madje edhe ato që kishin shpallur fitues, por ende nuk kishin nënshkruar një kontratë.

Gjithsesi procedurat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk preken nga vendimi për shkak se ato financohen nga Banka Botërore në këtë rast dhe procedurat kryhen sipas standardeve që aplikohen nga ky institucion ndërkombëtare financiar.

Paralelisht me këtë si pjesë e kredisë 63.8 milionë euro, Fondi ka hapur procedurën për të gjetur një konsulent që do të hartojë një studim tregu, me fokus turizmin për të katër qytetet që përfshin marrëveshja e financimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura