Krahasimi me paketat e propozuara nga PD, Denaj tregon pse paketat e ndihmës së Qeverisë janë më të larta

Oct 1, 2020 | 8:23
SHPËRNDAJE

Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 40% dhe vendimi do merret javën që vjen. Këtë e saktësoi dje ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj, e ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në “News 24”.

Anila DenajSipas Denajt, krahas shtesës për mjekët dhe infermierët, qeveria do të rrisë edhe pagat e mësuesve, edhe pse pranoi se jo në këtë masë. Ministrja u ndal edhe në skemën e re, të njoftuar para dy ditësh, për rishikimin e taksës progresive mbi pagat. Duke analizuar se taksa e propozuar nga PD nuk jep rezultat pozitiv për shumicën e të punësuarve, ministrja ka theksuar se do të rishikohen TAP. Denaj u ndal edhe tek amnistia fiskale. Ajo tha se ligji është në Kuvend dhe se qeveria po konsultohet me të gjitha grupet, përfshi edhe ndërkombëtarët, për paraqitjen e një drafti final të gjithëpranuar.

Nga ana tjetër, ministrja ka bërë një rezyme të shpenzimeve që ka bërë qeveria për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. E pyetur pse nuk po testohen mësuesit, Denaj theksoi se për shkollat janë dhënë 10 milionë USD.

“Kostoja për të gjitha mjetet mbrojtëse në shkolla, që kur filloi më 14 shtator, pati një efekt për 10 milionë dollarë. Kjo kosto u kalua në pushtetin vendor, duke i dhënë një pjesë nga pushteti qendror dhe një pjesë nga ai vendor. Kështu, nevoja që do kishin shkollat do të ishte efektive. Nëse shtimi i numrit të testimeve është një strategji fituese, unë do thosha nga të gjitha debatet teknike që janë bërë nga zyrtarët e shëndetësisë, ku unë jam dëgjuese, nuk është efektive. Ne duhet t’u besojmë ekspertëve. Nuk them se nëse ne rrisim numrin e testimeve te mjekët është e gabuar, por parandalimi është strategjia më e mirë. Kjo gjë shërben edhe për mësuesit”.

PAKETAT E NDIHMËS

Denaj theksoi se paketat i erdhën në ndihmë ekonomisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, pasi ndihmuan 250 mijë shqiptarë dhe evituan nivelin e mundshëm të varfërisë me 40% për shtresën mesatare. “Situata në një vit si ky nuk është ajo që mund të na bëjë të ndihemi mirë. Jemi përballur me dy probleme që kanë goditur ekonominë dhe familjen. Buxheti familjar është tkurrur. Sot (dje) ka dalë raporti i INSTAT. Por, tkurrja e konsumit dhe ulja e të ardhurave familjare vjen prej shumë faktorësh, por e bëri më të vogël konsumin. Kemi një 3-mujor të dytë, me një 3-mujor të 2019 me ulje 10%. Kanë qenë situata të ditura që 40% e bizneseve kanë qenë të mbyllura. Por edhe ata që kanë dalë në punë, kanë kursyer. Mund të përkthehet se jemi më keq në njësi familjare mesatare se një vit më parë. Por ne do ta shohim në raport me gjithë vitin. Treguesit e sotëm të INSTAT, në krahasim me skenarët tanë negativë, janë pak më mirë. Kur kemi parashikuar 3-mujorin e dytë, tkurrja do ishte mbi 10%, ne e parashikuam që do ishte 14-16%. Të dyja paketat janë vlerësuar dhe nga raporti i BB-së, që nëse nuk do ishin dhënë, niveli i mundshëm i rritjes së varfërisë për një shtresë mesatare do ishte mbi 40%. Janë adresuar me paketa të paktën 250 mijë shqiptarë, biznes i vogël dhe të papunët. Tkurrja vërtet ndodhi, por nuk ishte në atë skenarin më negativ. Tremujori i tretë do dalë më vonë. Ne i kemi hetuar. Kemi hetuar korrikun dhe gushtin dhe nuk kanë qenë jo keq. Paketat u adresuan për 3 muaj, jo për 6. Ne adresuam paketën e parë në mars, paketën e dytë në prill. Dhe hapëm ekonominë në maj. Punuam edhe në aspektet e brendshme. Nxitëm punësimin. Në korrik kemi aprovuar jo pak ligje. Si një reaksion pas një mbylljeje dhe një rihapje, u miratua në korrik zerimi i tatimfitimit dhe rritja e pragut të TVSHsë. Shtymë të gjithë tatimfitimin dhe ka një kosto 190 milionë dollarë te buxheti i shtetit”, tha Denaj.

PAKETA E PD

E pyetur për paketat e ndihmës të propozuara nga PD, Denaj bëri një krahasim me ato të shpërndara nga qeveria.

“Ne nuk jemi treguar konservatorë, kemi pasur një strukturë për të mbështetur. Përmendët termin biznes përballë familjes. Biznes dhe familje është një qasje e ndryshme mes dy formimeve politike. Po të krahasojmë paketat për biznesin e vogël, ne u kemi hequr tatimfitimin, por morën edhe paketën e parë jo vetëm për vete, por edhe për një bashkëfamiljar. Duke u ndalur te paketa e zotit Basha për 35 mijë biznese, për çdo biznes ndihma jonë ishte 1 mijë e 45 dollarë dhe është më shumë se 1 mijë-dollarëshi i premtuar nga zoti Basha.

Ne paketat i adresuam te biznesi i vogël se ishte më vulnerabël. Mos harroni garancitë sovrane. Janë 260 milionë dollarë të ofruara, nuk kemi rritur borxhin, por kemi rritur mundësinë që çdo biznes nëpërmjet shtyrjes së tatimfitimit, të krijojë likuditet për të mbajtur njerëzit në punë, për të qëndruar në treg përtej kësaj situate. Garancia e parë ishte ofruar për pagat, nga 110 mln janë përdorur 67 milionë. Garancia e dytë është për të ndihmuar bizneset që do rrinë në treg, ne nuk kemi pritshmëri që kjo garanci e dytë do thithet menjëherë”, tha Denaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura