Koronavirusi dhe paralajmërimet profetike të Zhak Atali (Jacques Attali)

Apr 6, 2020 | 19:05
SHPËRNDAJE

Irena Islami

Jacques-Attali-twitter

Zhak Atali, shkrimtari, këshilltari i dy presidentëve të Francës, Miteran e Sarkozi,  ekonomisti, filozofi francez i kohëve moderne, shkrimtari e deri parashikuesi i shumë ngjarjeve është pa dyshim një nga personalitet e padiskutueshme dhe së fundmi me shfaqjen e krizës pandemike, një nga zërat e fuqishëm që e ka përshkruar këtë krizë dhe raportin e saj më njerëzimin, duke iu referuar të shkuarës dhe të ardhmes.

 “Të ndryshojmë për të parandaluar”, është titulli që shkrimtari Zhak Atali i kishte vendosur shkrimit të tij, të datës 3 maj 2009, kur bota u prek në atë kohë nga një tjetër krizë e rëndë shëndetësore, gripi A(H1N1). Prej më shumë se 10 vite më parë, shkrimtari kishte paralajmëruar:

“Historia na mëson se njerëzimi evoluon në mënyrë të konsiderueshme vetëm kur ka me të vërtetë frikë. Më pas ai vendos mekanizmat mbrojtës: nganjëherë të patolerueshëm (si psh totalitarizmin); ndonjëherë të thjeshtë, të kotë; ndonjëherë efektivë (terapeutikë, duke hedhur poshtë nëse është e nevojshme të gjitha parimet morale të mëparshme). Pastaj, pasi kriza të ketë mbaruar, këto mekanizma shndërrohen, në mënyrë të tillë që të mos bien në kundërshtim me liritë individuale, duke i përfshirë ata në një politikë demokratike shëndetësore”.

Fjalë që duket se marrin kuptim e vlerë edhe sot, kur pjesa më e madhe e botës është izoluar për shkak të koronavirusit. Zhak Atali, si ekonomist këtë herë, kishte paralajmëruar gjithashtu për pasojat ekonomike të lidhura me kriza të tilla shëndetësore, ai më konkretisht kishte parashikuar se nga kjo krizë “së pari do të ketë pasoja të konsiderueshme ekonomike”, diçka që duket se ka ndodhur si pasojë e krizës së Covid- 19, dhe “kjo do të sjellë rënien e bursave me rreth 15%”, ka shtuar Atali.

Sot, kur njerëzimi është i përfshirë nga kjo pandemi, asgjë nuk është më urgjente sesa të kontrollosh dy cunami, atë që ka përfshirë shëndetësinë dhe atë që ka përfshirë ekonominë. Nuk ka asnjë garanci që ne do t’i përballojmë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm që nëse dështojmë, vite shumë të errëta na presin. Për të shmangur skenarin pesimist duhet të shikojmë larg, si në të shkuarën për të kuptuar se çfarë ka ndodhur po ashtu edhe në të ardhmen për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë, pikërisht duke analizuar se çfarë po ndodh sot.

Çdo epidemi e madhe që ka ndodhur në mijëvjecarin e fundit ka sjellë ndryshime thelbësore në organizimin politik të kombeve dhe në kulturën që i referohet këtij organizimi. Për shembull, mund të themi se Murtaja e Madhe e Shekullit XIV, (e cila zvogëloi me një të tretën popullsinë e Evropës) ka ndikuar shumë në kontinentin e vjetër, duke vënë në diskutim rolin politik të fesë, duke i dhënë prioritet policisë, si forma e vetme efektive e mbrojtjes së jetës së njerëzve. Shteti modern, si dhe fryma shkencore, lindën si pasojë e kësaj tragjedie të jashtëzakonshme shëndetësore.

Ishte e njëjta gjë në fund të shekullit të 18-të, kur mjeku zëvendësoi policin si mbrojtjen më të mirë kundër vdekjes. Prandaj, ne kemi kaluar në disa shekuj nga një autoritet i bazuar në besim, në një autoritet të bazuar në respektimin e forcës, dhe më pas në një autoritet më efikas të bazuar në respektimin dhe sundimin e  ligjit. Historia ka edhe shembuj të tjerë dhe do të shohim që, çdo herë që një pandemi shkatërron një kontinent, diskrediton sistemin e besimit dhe kontrollit, i cili nuk ka arritur të parandalojë vdekjen e panumërt të njerëzve.

Kur epidemia të ketë përfunduar, thotë Atali “Ne do të ndalemi së bleri në mënyrë marramendëse gjëra të panevojshme dhe do të kthehemi në rrënjët tona, duke përdororur sa më mirë kohën tonë që kemi në dispozicion në planetin tonë, të cilën do të kemi mësuar t’a konsiderojmë  si të rrallë dhe të çmuar.. Roli ynë është ta bëjmë këtë tranzicion sa më të qetë të jetë e mundur duke iu shmangur shkatërrimit. Sa më shpejt ta zbatojmë këtë strategji, aq më shpejt do të dalim nga kjo pandemi dhe kriza e tmerrshme ekonomike që do të pasojë”.

Po ashtu, pas krizës, me shumë gjasa do të shohim lindjen e një sistemi të ri, i cili nuk do të bazohet as në besim, as në forcë, as në arsye ( dhe pa dyshim, as në para). Fuqia politike do t’u takojë altruistëve, pra atyre që mund të tregojnë më shumë “empati” thënë ndryshe kujdes e vëmëndje për të tjerët. Sektorët kryesorë ekonomikë do të jenë gjithashtu ata të “empatisë”: kujdesi shëndetsor, ushqimi, arsimimi, ekologjia. Duke u mbështetur natyrisht, në rrjetet e mëdha të prodhimit dhe qarkullimit të energjisë e të informacionit, të domosdoshëm në çdo rast…

Altruizmi do të jetë zgjidhja

Parashikimi i bërë në 2009 nga Zhak Atali është i vlefshëm edhe sot : “Në situatën aktuale, ka një zgjim të vetëdijes për nevojën që të kemi një formë tjetër të shoqërisë, e cila nuk lidhet domosdoshmërisht me egoizmin dhe fitimin”.

Mbrojtës i Altruizmit dhe i ndihmës e mbështetjes së ndërsjellë që qytetarët duhet ti japin njëri tjetrit, Atali edhe pas 11 vjetësh ka bindjen se janë pikërisht këto sjellje që do të përcaktonin mirë-funksionimin e një shoqërie.  Që në vitin 2009, Zhak Attali mbrojti idenë që duhet të nxjerrim mësimet e nevojshme nga gripi A, duke hedhur idenë e ngritjes së “mekanizmave të parandalimit dhe kontrollit, si dhe proceseve logjistike për shpërndarjen e barabartë të barnave dhe vaksinave” . Sot, ai pranon “se nuk ka pasur ndërgjegjësim”, por nga ana tjetër refuzon të kritikojë fort, duke u shprehur që  “..jam i lumtur që shoh që qeveria franceze dhe ndërmarrjet e mëdha tani po funksionojnë si në “luftë”.

Attali ka bindejn e thellë se kriza e Covid -19 do të ndërgjegjësojë më mirë qytetarët se çdo lloj ligjërimi humanitar apo ekologjik për nevojën e altruizmit.

Zhak Attali e konsideron pandeminë Covid-19 si një domosdoshmëri të kohës, që do ti japë një shtysë procesit të krijimit të një qeverie botërore me gjithçka që nënkupton kjo fjalë. .. Duhet të jesh Zhak për të menduar në këtë mënyrë!

 

Shënim : Në përgatitjen e këtij shkrimi janë marrë si referencë intervistat dhe shkrimet e Zhak Atali në shtypin francez.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura