Korçë, shkatërrohen natën veprat e artistit Kolevica

May 26, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Dy skulptura në qendër të Korçës janë rrëzuar dhe thyer nga persona të papërgjegjshëm, duke shkaktuar dëmtimin e radhës së veprave të artit në këtë qytet.

Vepra e Kolevicës, e dëmtuar në Korçë
Vepra e Kolevicës, e dëmtuar në Korçë

Skulpturat e vendosura pak muaj më parë në rrugën “Gjon Buzuku” mbanin autorësinë e skulptorit të njohur korçar, Vasillaq Kolevica. Ato janë shkatërruar plotësisht, ndërsa nuk dihet shkaku i këtij akti barbar. Pas konstatimit të rastit, policia e mbërritur në vendngjarje në orët e para të mëngjesit ka nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

Kjo është hera e disatë që skulpturat në qytetin juglindor dëmtohen, pasi më parë kanë qenë veprat e artit te parku “Rinia” ato që janë bërë pre e keqbërësve. Pas denoncimit të rastit ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë së qytetit juglindor, e cila ka dënuar dëmtimin e tyre. “Bashkia e Korçës denoncon aktin e paprecedentë të dëmtimit të skulpturave të vendosura te rruga “Gjon Buzuku”. Sot janë rrëzuar forcërisht nga platforma e tyre dhe janë dëmtuar skulpturat, vepra të artit bashkëkohor të skulptorit korçar Vasillaq Kolevica. Ky është një veprim i turpshëm, i cili fyen çdo qytetar të Korçës, qytetin, artin dhe një investim madhor të bashkisë, i cili i dha zhvillim dhe një frymë europiane kësaj zone”, bën të ditur Bashkia e Korçës.

Sipas saj, janë plot 81 milionë lekë që u investuan për rikonstruksionin e rrugës “Don Gjon Buzuku” dhe sheshit në krah të poliklinikës.

“Falë këtij investimi, rruga ‘Gjon Buzuku‘ u kthye në një segment që lidh pjesë të rëndësishme të qytetit. Zgjerimi i saj, sistemimi i parkimit të mjeteve, trotuaret dhe elementet dekorative sollën një zhvillim tepër të rëndësishëm urban për qytetin e Korçës”, pohohet në deklaratën e Bashkisë së Korçës.

Ndërkaq, Bashkia Korçë ka depozituar pranë organeve kompetente edhe një kallëzim në të cilin kërkohet të hetohet dhe të gjenden personat përgjegjës. Nga ana e policisë nuk është bërë i mundur ende identifikimi i autorëve, pasi në këtë zonë nuk ka të vendosura kamera sigurie.

DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura