Konsumi në krizë?! Të ardhurat nga TVSH bien në janar

Mar 14, 2017 | 13:22
SHPËRNDAJE

Të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi dhe tendencës së konsumit, kanë shënuar rënie në janar të këtij viti.

Capture5

Sipas statistikave fiskale të janarit, të publikuara nga Ministria e Financave, TVSH solli në buxhet 10.1 miliardë lekë, me një rënie prej 135 milionë lekë, ose 0.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rënia ka ardhur tërësisht nga TVSH që mblidhet në tregun e brendshëm, të ardhurat nga e cila ishin 264 milionë lekë, ose 4.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke zbritur në 5.77 miliardë lekë. Në të kundërt, TVSH në dogana (nga mallrat e importit) u rrit me gati 8%.

Në total, të ardhurat tatimore në janar ishin 30.9 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8% në raport me muajin e parë të vitit të kaluar. Zëri që ka “shpëtuar” tatimet e doganat është ai i taksave nacionale dhe të tjera, që është zgjeruar me 28%, apo 858 milionë lekë (si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të karburanteve e të tjera në tregjet ndërkombëtare), duke neutralizuar rënien e të ardhurave nga TVSH, dhe sidomos nga tatimi mbi të ardhurat personale (këto të fundit ranë me 160 milionë lekë, apo gati 5%). Edhe tatim fitimi, që vitin e kaluar kishte një rritje të ndjeshme dy shifrore, në janar kishte një zgjerim minimal prej 4%.

Të ardhurat në total në buxhet për janarin u rritën minimalisht me vetëm 0.2%, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave jo tatimore, teksa institucionet buxhetore derdhën gati 700 milionë lekë në buxhet. Të arhdurat nga fondet speciale (kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore) u rritën dhe ato minimalisht me 2.8%.

Në raport me planin, të ardhurat në total ishin 1.7 miliardë lekë më shumë, megjithatë plani i janarit 2017 ishte më i ulët sesa fakti i 2016.

E ndryshme ka qenë sjellja në kahun e shpenzimeve. Teksa vitin e kaluar financat e mblodhën dorën, duke rritur të ardhurat me ritme më të larta se shpenzimet, në janar shpenzimet u rritën me 5.1%, si rrjedhojë e harxhimeve më të larta për fondin e pensioneve, dhe zgjerimin e investimeve kapitale me 27%.

Pavarësisht se shpenzimet u rritën me ritme më të larta se të ardhurat, financat sërish rezultuan me një suficit buxhetor prej 7.8 miliardë lekësh, ndonëse ai ishte 1.1 miliardë lekë më i ulët se janari 2016./Monitor/

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura