Konferencë për “Hamletin”, mungon Luiza Xhuvani

Oct 9, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

Do të shfaqet sot për një publik të kufizuar, miq e gazetarë, për të pasur nesër premierën për publikun. Një Hamlet femër do të ngjitet në skenën e teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, interpretuar nga aktorja Luiza Xhuvani. Dje, regjisori Enke Fezollari dhe trupa e aktorëve dhanë një konferencë për shtyp për këtë vepër eksperimentale. Por, ndryshe nga ç’pritej, aktorja që ka kryerolin në vepër, Luiza Xhuvani, mungonte në panel.

Aktorja Luiza Xhuvani në provat e “Hamletit”
Aktorja Luiza Xhuvani në provat e “Hamletit”

Justifikimi nga ana e organizatorëve të konferencës nuk ishte shumë bindës. Ata u shprehën se ishte vendosur qysh në fillim që fushata mediatike të mos bëhej me Xhuvanin, pasi vepra ngrihej mbi lojën e 13 aktorëve dhe se ajo nuk është konceptuar si një shfaqje që vërtitet vetëm rreth një personazhi. Por në të vërtetë, e gjithë fushata mediatike e “Hamletit” është mbështetur pikërisht te Xhuvani, duke filluar që nga posteri me portretin e saj.

Nëse ky personazh nuk do të ishte “aq i rëndësishëm”, atëherë regjisori Enke Fezollari mund të kishte zgjedhur këdo aktor apo aktore tjetër. Prania e Xhuvanit, sidomos pas tragjedisë së saj personale, e bën më të ndjeshëm publikun dhe më kurioz, për ta parë atë sërish në skenë pas shkëputjes. Është e qartë që Xhuvani ka dashur të shmangë përballjen me gazetarët dhe ndonjë pyetje “provokuese” nga ana e tyre, edhe pse duhet thënë që aktorja nuk se ka qenë edhe aq e hapur për gazetarët edhe më parë.

Pa i hequr asnjë gjë trupës së aktorëve të rinj, gjysma e të cilëve luajnë për herë të parë, ata e kishin të pamundur të shuanin kërshërinë e mediave mbi këtë vepër eksperimentale. Sipas regjisorit Enke Fezollari, “Hamleti” ka në qendër njeriun dhe atë çka ne përjetojmë çdo ditë. Synimi i tij është ta bëjë publikun të reflektojë.

Por askush më mirë se vetë aktorja nuk do të mund të shpjegonte një personazh, që sipas regjisorit, nuk është as matemashkull e as femër, por thjesht një njeri, tek i cili mund të gjejë veten gjithkush. Por, në mungesë të saj, notonin mbi pishinë posterat, ndërsa kostumet e shfaqjes tundeshin nga era, të nderura në ambientet jashtë teatrit, pranë pemëve, në oborr.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura