Komisioni hetimor “Vokshi” dhe modeli i politikës ekspresive!

Mar 28, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA IRENA BEQIRAJ Irena-Beqiraj-696x555-696x470

Modeli i politikës ekspresive është shpjeguar më së miri nga Brennan dhe Lomasky në 1993. Në një punim të plotë, autorët përpiqen të shpjegojnë se: Argëtimi politik është një e mirë individuale; rezultatet politike janë të mira publike.

Për këtë arsye, politika vazhdon të ofrojë kryesisht argëtim individual, edhe jo rezultate publike. Ky model padyshim bazohet në faktin se thuajse në të gjitha fushat, njerëzit kanë zhvilluar në mënyrë progresive zakonin e të menduarit, “pro” ose “kundër” dhe më pas ata kërkojnë argumente për të mbështetur një nga këto dy opsione. Padyshim që ka njerëz me mendje të hapur, të gatshëm të pranojnë vlerën e opinioneve me të cilat nuk pajtohen.

Të tjerët, pasi kanë marrë një qëndrim në favor të një mendimi të caktuar, refuzojnë të shqyrtojnë çdo pikëpamje të kundërt. Kur në vend që të mendojnë, njerëzit shtyhen thjesht të marrim anë: pro ose kundër, ato shtyhen drejt një zgjedhje e cila zëvendëson aktivitetin e mendjes. Kjo është një sëmundje intelektuale; e cila fillon në botën politike dhe më pas përhapet, duke ndotur të gjitha format e të menduarit.

Në komisionin hetimor “Vokshi” nuk do të mungojë argëtimi individual, me pak ose aspak rezultatet publike, pasi të dyja çështjet janë nën hetimin e SPAK thuajse drejt përfundimit (sterilizimit i mbaron afati i hetimit në 1 prill). Ai komision është qartazi dëshmitar i metamorfozës politike, ku më e keqe se mungesa e rezultateve, është fakti që politika vështirë se përmirësohet.

Me këmbënguljen mbresëlënëse në përpjekjen për të ofruar vetëm modelin e politikës ekspresive, opozita po traskuron faktin që argëtimi individual krijon vetëm iluzionin e mbështetjes, duke lënë mënjanë faktin se nuk mjafton vetëm ta dëmtosh një qasje të caktuar qeverisëse apo politike, më e rëndësishme është të ofrosh një qasje të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura