“Kolegët tanë sot janë në burg”- Manja replikon me Tabakun për reformën në gjyqësor. Deputetja e PD: Do të ketë drejtësi kur të hetohet dosja 184

Sep 22, 2022 | 10:49
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja replikoi gjatë seancës plenare me deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

 

Shkak për inicimin e debatit u bë fjalimi i Tabakut mbi reformën në drejtësi, e cila ngriti pyetjet se cilat janë rezultatet konkrete të kësaj reforme dhe si ka shkuar ecuria e hetimeve për çështjet që po shqyrtohen.

Ishte Ministri Manja ai i cili iu përgjigj se tashmë nga reforma e drejtësisë janë duke vuajtur dënimin ish-ministra dhe kolegë, të cilët nuk do të ishin përpara drejtësisë nëse nuk do të ishte vullneti i kësaj mazhorance.

Tabaku iu përgjigj se për atë personalisht do të ketë drejtësi kur të dënohen personat e faktuar për krim zgjedhor në dosjen 184.

“Kolegia Tabaku pyeti pse e bëmë reformën në drejtësi dhe ku është drejtësia sot. E para e bëmë reformën që politika të rri larg drejtësisë, ky është thelbi. Se deri dje drejtësia ishte në këmbët e politikës. Nuk ke pse e bën më këtë pyetje në këtë sallë.

E dyta për atë që the ku është drejtësia sot. Drejtësia sot po bën detyrën. Nëse keni raste konkrete që është ndërhyrë të drejtësia është mirë që t’ua thoni qytetarëve në këtë sallë. Raporti ynë me drejtësinë ka qenë konseguent që nga 91-shi. Sot ke ministra ish-ministra, kolegët tanë që po përgjigjen përballë drejtësisë. Ka qenë kjo maxhorancë që ka inkurajuar drejtësinë për të hetuar këdo.

Retorikë politike në këtë sallë nuk mund të ketë, dil këtu e thuaj kush ka ndërhyrë. SPAK-u është duke bërë detyrën, do kohën e vet hetimi, duroni dhe prisni hetimin”, tha Manja.

Tabaku iu përgjigj: “Jam në detyrën time që të kërkoj informacion ku janë hetimet. Ku janë hetimet me dosjen 184. Për mua do të ketë drejtësi atëherë kur personat që janë kapur me prova për dosjet 184 do të jenë përpara drejtësisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura