Kolë Idromeno, artisti poliedrik që i dha Shkodrës aromë evropiane

Dec 14, 2023 | 11:48
SHPËRNDAJE

Mjeshtri i pikturës shqiptare, Kolë Idromeno, ndërroi jetë 84 vite më parë. “Kjo figurë emblematike, jo vetëm i dha qytetit të Shkodrës aromë bukurie qytetare evropiane, po hapi rrugën e zhvillimit të artit pamor modern shqiptar”, – shkruan DRTK Shkodër në një publikim “online”, në nder të Idromenos.

kol hidromeno

I vlerësuar si themeluesi i pikturës realiste shqiptare, Kole Idromeno njihet gjithashtu si arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor. Mban titullin “Piktor i Popullit”. Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone”, që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbit, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë.

Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale, që kishte depërtuar ndër shekuj.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në muzeun “Marubi”. Të gjithë e njohin Kolë Idromenon, si piktor i talentuar dhe sidomos si autor i veprës së njohur “Motra Tone”, e konsideruar si “Monaliza” e pikturës shqiptare. Por, jo të gjithë e dinë se ai ishte një arkitekt dhe urbanist i shkëlqyer dhe se ka projektuar, rrugë, shtëpi, objekte kulti, të cilat i kanë dhënë qytetit fizionominë dhe fytyrën që ka akoma sot. Kolë Idromeno pa dyshim është një artist poliedrik, i cili mjeshtrinë e vet artistike e shprehi përmes fotografisë, (ishte nxënës i Pjetër Marubit), pastaj si piktor (shkolla Veneciane e pikturës) dhe aritekt e urbanist. Ai është një personalitet që vetvetiu imponohet si një figurë e fuqishme e artit shqiptar në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX.

Gjurmët e veprës së tij gjenden kudo në qytet. “Dugajt” e reja në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qendrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos. Gjithashtu pamjet që sot shohim në një pjesë të mirë të këtij qyteti janë projektuar nga urbanisti dhe projektuesi Kolë Idromeno dhe janë rreth 100 të tilla. Kjo arkitekturë gjithnjë ka lënë gjurmë në kujtesën e të huajve që e kanë vizituar qytetin. Falë Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë. Skicat që mbajnë firmën e Idromenos kanë nisur të realizohen që prej vitit 1903. Kafja e Madhe është vepër e tij! Xhamia e re e Parrucës gjithashtu. Edhe zbukurimet në tavanin e Kishës së Madhe, janë realizuar me shumë kujdes e mjeshtri nga mjeshtri Idromeno.

Tri nga veprat më të rëndësishme të tij janë Kafja e Madhe, Pjaca dhe Kisha e Madhe. Kafja e Madhe është pjesë e atij kompleksi ndërtimesh, që mbushin rrugën e Pjacës të projektuara edhe ato nga Idromeno. Vërehet një gërshetim i traditës së ndërtimit të godinave qytetare me stile të ndryshme, veçanërisht të fasadave, dekoracioneve, kornizave, bordurave, mensola, ballkoneve të stisura dhe dritareve me grila. Është i dukshëm në këtë drejtim, ndikimi i arkitekturës së qyteteve të përparuara të Mesdheut. Kafja e Madhe ishte në ato vite shprehja tipike e zhvillimit të kapitalizmit në fushën e tregtisë dhe veçanërisht në atë të hotelerisë. Dhe kjo ndërtesë mban firmën e Idromenos.

Kisha e Madhe ndodhet në zemër të qytetit, shumë pranë Pjacës, apo pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit. Në fotot e vjetra shquhen afresket mbi mure, një pjesë e të cilave ishte vepër e piktorit të Shkodrës Kol Idromeno. Ai i punonte deri në hollësi zbukurimet. Meritë e tij është edhe projektimi i disa shtëpive karakteristike në Shkodër. Mes skicave të ekspozuara është dhe ajo e shtëpisë së vetë Idromenos, apo të tjera banesa të njohura të atyre viteve. Por mbi të gjitha nga projektimet, bie në sy më e bukura prej tyre, ajo që njihej si Pijaca e dikurshme (Pedonalja sot). Madje Pedonalja mban edhe emrin e mjeshtrit të urbanistikës, projektimit dhe të arkitekturës, Kolë Idromeno. Në projektimin e kësaj rruge, ajo që bie në sy është uniformiteti. Mjeshtri është treguar i kujdesshëm që ndërtesat e realizuara të ishin në sinkron me njëra-tjetrën, duke e bërë atë një nga rrugët më tërheqëse në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura