Koha për ndryshim në arsimin e lartë

Apr 23, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

MYFTAR BARBULLUSHI

   “Në Kili më sugjeruan të mbaja një temë mbi ‘pengesat për ndryshim’, mentalitet ky karakterizues për popujt e Amerikës Latine. Unë i thashë se nuk do shkruaj mbi pengesat e ndryshimit, por mbi pengesat në perceptimin e ndryshimit. Njihja një term për këtë lloj qëndrimi, “fracasomania”, që mund të përkthehet me shprehjen “kompleksi i dështimit”, profiluar dukshëm në prag të reformës së parë agrare, në Kolumbinë e viteve ‘30, nga qeveria “new-dealista” e Alfonso Lopez, e cila gjithmonë është paragjykuar, penguar dhe interpretuar që në projekt si një dështim total, kur të dhënat tregojnë të kundërtën”, – shprehet Albert O. Hirschman në librin e tij “Passaggi di Frontiera”.
Pikërisht nën pushtetin e këtij kompleksi të dështimit “frakasomanian”, me vargjet e himnit brazilian në mendje, “Bad Moon Rising”, «shoh të lindë një hënë e keqe, shoh probleme gjatë rrugës, shoh tërmete dhe rrufe, shoh një ditë të keqe, sot», filloi e u përvijua perceptimi i reformës në arsimin e lartë, ku aq sa pa u hedhur asnjë germë në letër, rrodhën akuzat për një reformë në mbrojtje interesash të privatit, të politizuar apo deri dhe në prezumim tendencioz të shkatërrimit të arsimit të lartë. Një sërë “fracasomanësh duarfërkues” kërkuan të jenë liderë opinionbërësish në paragjykimin ogurzi të reformës duke shfrytëzuar dezinformimin, i cili i bën njerëzit të besojnë në shakanë e parë që dëgjojnë, apo në «injorancën racionale», të cilën psikologët e interpretojnë si këmbëngulje për të mos dashur të dish.
            Sa e dhimbshme kur për një reformë që prek jetët tona e, akoma më keq, të fëmijëve tanë, nxitojnë të vihen në pararojë deri dhe njerëz me vlera! Komente ekspertësh, të përlyera nga emocione hatërmbetjeje, egocentrizmi apo papërgjegjshmërie, që dukshëm shërbejnë si tulla ne krijimin e barrierave të perceptimit të ndryshimit, lulëzuan gjatë tërë vitit dhe në çdo faqe gazete apo ekran televizori pa lënë të qetë deri dhe programet humoristike, duke prekur deri dhe absurdin se botimet shkencore, qoftë me bord ndërkombëtar apo ndërplanetar, nuk janë parametra performance shkencore, e madje e kundërta, pasi trendi është ruajtja e patentës.
 E pabesueshme! Sa vështirë është të përtypesh një gjë të tillë ardhur nga një personalitet referencë brezash për nivelin e arritur dhe rrugën model që ka përshkuar! Sa lehtë është për çdo akademik që nëpërmjet këtij pozicionimi “detaj” që prek zemrën e ligjit, shkencën, të gjykojë “të tërën” e ligjit duke na hequr barrën e analizës shpjeguese të ligjit!
Reforma në princip ka një çmim, jo aq në vlerë monetare, sa në atë që ajo mbjell, në kundërshti të forta që mund të trajtohen vetëm nga një frymë konsensusi si nga pedagogët, ashtu dhe nga studentët, që nuk është lehtë ta gjesh. Në thelbin e saj ajo është antipopullore, edhe pse në rastin tonë e mëshiruar nga i vetmi qëllim, që t’i japë fund masivizimit pa kriter të arsimit të lartë, të rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, të drejtojë diplomat drejt tregut të punës, të gjitha këto me objektiv pavarësinë në rritje të universitetit dhe me largpamje një model të ri të universiteteve tona. Një model të ri universiteti që ka nevojë për një pasaportë identiteti, që perceptohet si kërcim kultural dhe që te ne ngjan me një revolucion të vërtetë. Por, pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe e saj. Këtu fillojnë dhimbjet e lindjes cerebrale.  
A është e përgatitur klasa akademike dhe studentore për këtë kapërcim kulturor, për këtë lindje natyrale apo kërkon prerje cezariane, siç është bërë me projektligjet e deritanishme?
 Fatmirësisht, një numër i konsiderueshëm opinionesh konstruktive realisht kanë qenë si një vlerë dhe guidë për grupin e punës. Opinione, që edhe kur nuk kanë qenë dakord me shumë elemente të ligjit, kanë pasur kurajën ta përballojnë atë në mënyrë elegante, pa fyerje, e me respekt ndaj atyre që kanë punuar mbi një vit. Për më tepër, pjesëmarrja e gjerë në diskutimin e një dokumenti do të thotë se kjo klasë të paktën për një gjë bind: ajo e do ndryshimin. Ftesës për debat dhe “provokimit” për të shkundur gjendjen nga dremitja dogmatike, ajo ju përgjigj përtej pritshmërisë, më shumë se pozitivisht. Diskutimi kritik racional dominoi në shumicën e rasteve mbi atë cinik, shumëngjyrshmëria dominoi mbi grinë ë thellë në të zezë pa asnjë alternativë, përveç paralajmërimeve ogurzeza. E, nëse kësaj do t’i shtosh edhe qëndrimin privilegjues dhe vullnetin e fortë politik të orientuar nga ndryshimi ndaj arsimit, dhe për më tepër pavarësisë së tij, hapësirat virtuale të «injorancës racionale» erdhën duke u ngushtuar e rrudhur gjatë rrugës së gjatë të këtij procesi, që për ne, anëtarët e komisionit, ishte një malore, që dukej se nuk do të mbaronte kurrë.   
“Gjërat ndryshojnë”, psherëtin toger Nicola Montini (interpretuar nga Claudio Bigagli) në filmin kandidat për “Oscar” “Mediterraneo”, kur vartësi i tij dashurohet me një vajzë, e cila për atë heq dorë nga “të bërit jetë”, duke na krijuar shpresën se për të mirën e fëmijëve tanë edhe mbështetësit e irracionales do të ndryshojnë.  
Rrugëtim të suksesshëm ligjit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura