Kina me investime reale, drojë apo inkurajim

Aug 22, 2017 | 10:58
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Ka një fakt real: marrëdhëniet e mira ndërshtetërore të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës kanë nxitur një bashkëpunim më të madh ekonomik edhe në fush- ën e investimeve. Aktualisht, Kina është i vetmi realitet, një vend që lëviz konkretisht me investimet e saj në Shqipëri.

Marrja me koncesion nga kompania e njohur kineze “China Everbright” e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit apo blerja nga kompania tjetër, “GeoJade Petrolium Corporation”, të “Bankers Petrolium” janë nga investimet më të rëndë- sishme. Krahas tyre, vëllimi tregtar midis dy vendeve u rrit vitin e kaluar në mbi 9.8 për qind, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke e bërë Kinën edhe nga partnerët tanë më të rëndësishëm në fushën e tregtisë.

Vetëm në muajt e fundit një numër i madh biznesmenësh, që përfaqësojnë kompani e firma të ndryshme, kanë qenë të pranishëm në vendin tonë. 36 projekte kineze janë në studim e sipër. Ja pse Kina është një realitet i prekshëm në fushat që përmendëm, që funksionon suksesshëm. Në tërë këtë tablo shfaqen dhe qëndrime të tilla, që bien ndesh me arritjet e mësipërme.

Ato vishen me drojën se mos Shqipëria po i kthehet Lindjes, në vend që të kapet fort pas Perëndimit, se po i afrohet përsëri një shteti komunist e të tjera si këto. Por rruga e shqiptarëve dihet dhe nuk ka zot që ta sfumojë ëndrrën e kahershme, tashmë vendosmërinë për integrimin europian të tyre. Atëherë, a duhet ushqyer kjo lloj droje? Një pyetje, mendoj që nuk ka nevojë për përgjigje. Kina është një shtet i fuqishëm, jo vetëm në fushën e politikës globale, por dhe në ekonomi, e integruar kjo si në atë evropiane, edhe në atë botërore.

Por le të shkojmë më tutje. Së pari, kjo lëvizje, prani e Kinës gjithandej, është e lidhur me çështje ideologjie? A mund të jetë e vërtetë kjo? Ajo negocion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Gjermanin, me të gjitha vendet, shkojnë dhe vijnë te njeritjetri, nënshkruajnë marrëveshje të përbashkëta. Asnjë droje. Vizita e presidentit kinez tre vite më parë në Gjermani dhe kontaktet e tjera të mëpastajme kanë bërë që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë në nivelin e një partneriteti strategjik.

Ndaj dhe një muaj e gjysmë më parë, Presidenti Xi Jingping, në takimin në Berlin me udhëheqjen e qeverisë gjermane, në kuadrin e Takimit të G20-ës, përsëriti se “ka një fazë të re të këtyre marrëdhënieve”. Mbi tridhjetë për qind e tregtisë së Kinës me Europën, është e përqendruar në Gjermani.

Ndaj dhe ecejaket e Kancelares Angela Merkel në Pekin, mbi nëntë herë gjatë këtyre viteve, kanë domethënien e vet, sepse, siç shprehet me të drejtë ajo, Gjermania është partneri më i besueshëm i bashkëpunimit të Kinës dhe se marrëdhëniet dypalëshe mbeten të forta dhe në nivelin më të lartë historik.

Së dyti, kjo lëvizje e Kinës bëhet për arsye gjeopolitike? Ajo, sigurisht, mund të jetë e vërtetë. Të gjitha fuqitë e mëdha synojnë për më shumë zona influence. Askush nuk e mohon që Kina luan një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Puna është sa legjitime, sa morale është përdorimi i rrugëve nga kjo fuqi për synimet e veta. Nëse ajo konkurron pa ndikime politike, investimi është i moralshëm. Sikurse është i tillë edhe pa përdorimin e lobingjeve, pa presione politike dhe pa korrupsion apo manipulim të politikës së brendshme dhe të njerëzve në këtë politikë.

Ose, sikurse themi më shqip, pa futur duart te kjo e fundit. Atëherë, kur për këto nuk bëhet fjalë, përse duhet të na shqetësojë roli i madh i kësaj fuqie? Përkundrazi. Të gëzohemi, sepse, si në rastin tonë, jemi bërë një terren atraktiv dhe me interes për këtë fuqi të madhe. Parë në këtë optikë, duket pa kuptim shqetësimi naiv që vihet re dhe në politikanë të ndryshëm, “pse, prapë me fytyrën nga Kina?”.

Nga ana tjetër, disa merakun e lidhin gjithashtu me prezencën në blloqe, sipas të cilit, duke lëvizur me një bllok tjetër, mos kemi të bëjmë me mungesë luajaliteti ndaj aleatëve tanë strategjikë? Mendoj se as kjo tezë nuk qëndron. Pse? Partnerët e fuqishëm perëndimorë, sikurse përmendëm, bëjnë përpjekje të hapura për t’u lidhur me Kinën, për volum të rritur tregtar e investime më të gjera.

Cili vend nuk e ka atë partner të rëndësishëm? Bota është bërë globale, por është bërë dhe aq e vogël për shkak se jetojmë në kohën e një teknologjie të lartë, të dixhitalizimit, në ekonominë globale. Interesi bazë, kuptohet, është interesi ekonomik i Kinës, por ai nuk mund të realizohet pra, vetvetiu, por në partneritet. Le t’i kthehemi këtij partneriteti me vendin tonë.

Këto muaj ka një rritje të ndjeshme të bizneseve kineze në Shqipëri. Një grup prej dymbëdhjetë firmash kineze po kontaktojnë këto ditë me institucionet tona dhe firma tregtare. Kuptohet, gjatë negociatave mund të mos arrihet gjithçka, palët mund të mos bien dakord për projekte të ndryshme, mund të ketë tërheqje nga kjo apo ajo kompani. Por ky është një proces normal. Rëndësi ka të mos bjerë interesi dhe numri i kompanive që vijnë. Nuk ka dyshim që rezultatet e dëshiruara lidhen me punën e palës sonë, me mjedisin shqiptar të investimit.

Dhe këtu, disa faktorë bëhen kyç: E para, klima e përgjithshme e investimeve, e cila është e njohur tashmë nga të gjithë, sepse bëhet e ditur përmes raporteve ndërkombëtare. E dyta, cilësia dhe pjekuria e projekteve që pala shqiptare u ofron të huajve. E treta, puna dhe profesionalizmi i përfaqësive tona diplomatike për t’u aktivizuar, për të sqaruar sa më sipër dhe për të organizuar misionet e biznesit. Dhe këtu, rol të pazëvendë- sueshëm ka ambasadori, pa lënë mënjanë veprimtarinë e punonjësve të ambasadës, të ngarkuar me çështjet ekonomike.

Nga përvoja, mendoj se një titullar i mirë nuk punon vetëm me palën ku është i akredituar, por dhe me palën që përfaqëson: qeveria, autoritetet lokale, biznesi shqiptar me tërë mjedisin e vetë. Dhe jo vetëm kaq. Një titullar kompetent i bën madje sugjerime konkrete palës së tij. Lidhur me këto të fundit, mendoj se, nëse marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe investimet e saj ndjehen më shumë në realitetin shqiptar, nuk mund të shkëputet kjo nga emërimi i titullarit të ambasadës shqiptare në Pekin, Selim Belortaja, kur çuditërisht kjo ambasadë u la pa ambasador për gati një vit e gjysmë.

Emërimi i zotit Belortaja, i këtij eksperti mjaft të njohur të problemeve ekonomike dhe diplomati me aftësi të admirueshme, ishte një zgjedhje e duhur nga ana e Qeverisë. Sipas rrjeteve sociale, deklaratave të disa drejtuesve të firmave të ndryshme në Kinë, kontaktet me ambasadën tonë në Pekin janë shtuar. Emri i titullarit të saj është bërë referencë, jo vetëm nga pala shqiptare, por dhe nga kompani të njohura kineze.

Ata çmojnë komunikimin e hapur, kompetencën ekonomike dhe juridike, ftesën e sinqertë për bashkëpunim, besueshmërinë tek ai, që vjen nga gjithë CV-ja e tij, një figurë e kompletuar. Në këtë mënyrë, vendit i bëhet një shërbim i madh, investimet kineze inkurajohen kështu Edhe më tej dhe çdo drojë e paragjykim ndaj tyre, në fund të fundit, nuk do të bëheshin pengesë në rrugën e bashkëpunimit të të dy vendeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura