Keti Bazhdari kopjon videon e Barak Obamës për fushatë? Shihni ngjashmëritë

Jun 18, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Një spot elektoral i publikuar nga kandidatja e maxhorancës për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, duket se është i ngjashëm me një video-mesazh të presidentit Barak Obama në SHBA. Edhe pse spoti promocional i politikave të Presidentit amerikan është publikuar para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2012, duket se pjesë të këtij mesazhi janë aktuale për kandidaten e PS-së në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015.

Foto marre nga videot e Keti Bazhdarit dhe Barak Obames

Të dy materialet filmike nisin me afatet kohore që kanë mbetur për të votuar si dhe thirrjen drejtuar qytetarëve për të bërë dallimin mes dy programesh të ndryshme. “Gjatë katër muajve që vijnë ju keni një zgjedhje për të bërë. Jo thjesht dhe vetëm midis dy partive politike, apo mes dy individëve. Është një zgjedhje mes dy planeve krejt të ndryshme për vendin tonë”,-thuhet në videon e Obamës.

Ndërsa në videon e Bazhdarit deklarohet se: “kanë mbetur dhe pak ditë dhe ti duhet të zgjedhës. Nuk është një zgjedhje mes dy partish, as me dy individësh, është një zgjedhje mes dy programesh krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e Shkodrës”.

Pas hyrjes, mesazhi përqendrohet tek propozimet e kundërshtarit politik, që për Obamën ishte Romni, ndërsa për Bazhdarin është pala kundërshtare. “Plani i guvernatorit Romni është që të ulë taksat për të më të pasurit, të ndryshojë komplet rregullat e funksionimit të bankave të mëdha, dhe ai thotë se nëse ne arrijmë që të rritim ekonominë tonë, atëherë do të përfitojmë të gjithë”,-thotë Obama, ndërsa Bazhdari shprehet se: “Programi i palës tjetër është një kopje e sajuar në nxitim, marrë nga disa projekte të skaduara që premtojnë sukses, duke u nisur të njëjtat gabime”.

Pas përcaktimit të ofertës së kundërshtarit politik si një e ‘keqe’ që nuk duhet votuar, mesazhi i drejtohet drejtpërdrejt qytetarit me po të njëjtën pyetje. “Por a e dini çfarë. Ne e kemi provuar më parë këtë qasje piramidale. Dhe është pikërisht ajo që ka shkaktuar këtë katrahurë”,-thuhet në videon e Obamës dhe pyetja përsëritet edhe në mesazhin e Keti Bazhdarit. “Por a e dini çfarë? Ne e kemi provuar qasjen politike pa ide, pa projekte ndaj qeverisjes vendore. Është pikërisht ajo qasje që e ka renditur Shkodrën ndër vendet më të varfëra në Shqipëri”.

Më pas, të dy materialet filmike përqendrohen shkurtimisht në objektivat e kandidatëve për përmirësimin e ngjendjes ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës.

Në mbyllje, mesazhet duken se kanë të njëjtën përmbajtje. “Ca herë politikat mund të duken të vogla, por zgjedhjet që juve ju dalin përpara mund të jenë të mëdha”,-thuhet në videon e Obamës. Ndërsa në materialin filmik të Keti Bazhdarit thuhet se: “Të votuarit ndonjëherë duket e parëndësishme, por zgjedhja me të cilën përballesh është vendimtare”,-thuhet në videon e kandidates së mazhorancës.

Por ngjashmëria shfaqet edhe në pamjet ilustruese. Videot shfaqin të dy kandidatët në një zyrë dhe fjalimi i tyre alternohet në dy plane. Ndërsa pjesa e mesazhit që flet për premtimet, alternohet me takime të tyre me qytetarë të ndryshëm.
 

Fjalim i zbardhur i Obamës:

“Gjatë katër muajve që vijnë ju keni një zgjedhje për të bërë. Jo thjesht dhe vetëm midis dy partive politike, apo mes dy individëve. Është një zgjedhje mes dy planeve krejt të ndryshme për vendin tonë.

Plani i guvernatorit Romni është që të ulë taksat për të më të pasurit, të ndryshojë komplet rregullat e funksionimit të bankave të mëdha, dhe ai thotë se nëse ne arrijmë që të rritim ekonominë tonë, atëherë do të përfitojmë të gjithë.

Por a e dini çfarë. Ne e kemi provuar më parë këtë qasje piramidale. Dhe është pikërisht ajo që ka shkaktuar këtë katrahurë.

Unë besoj se e vetmja mënyrë për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme është duke forcuar shtresën e mesme. Ti kërkosh të pasurit të paguajë pak më shumë, në mënyrë që të paguajmë borxhin në mënyrë të ekuilibruar. Në këtë mënyrë ne kemi mundësi të investojmë në ekonomi, industri dhe të rritim potencialin prodhues të brendshëm për të rritur punësimin e klasës së mesme. Ca herë politikat mund të duken të vogla, por zgjedhjet që juve ju dalin përpara mund të jenë të mëdha”.

 

Fjalimi i zbardhur i Keti Bazhdarit:

“Kanë mbetur dhe pak ditë dhe ti duhet të zgjedhës. Nuk është një zgjedhje mes dy partish, as me dy individësh, është një zgjedhje mes dy programesh krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e Shkodrës. Kanë mbetur dhe pak ditë dhe ti duhet të zgjedhës. Nuk është një zgjedhje mes dy partish, as me dy individësh, është një zgjedhje mes dy programesh krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e Shkodrës.

Programi i palës tjetër është një kopje e sajuar në nxitim, marrë nga disa projekte të skaduara që premtojnë sukses, duke u nisur të njëjtat gabime.

Por a e dini çfarë? Ne e kemi provuar qasjen politike pa ide, pa projekte ndaj qeverisjes vendore. Është pikërisht ajo qasje që e ka renditur Shkodrën ndër vendet më të varfëra në Shqipëri. Unë besoj se drejtimi i duhur për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme është për nga transparenca, për nga përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, për nga investimet në infrastrukturë, në turizëm, në bujqësi, në lehtësi fiskale ndaj biznesit dhe në uljen e papunësisë. Vetëm kështu ne mund të bëjmë më shumë për shtresat në nevojë, për të pastrehët, për arsimin, për artin, për kulturën, për sportin.

Të votuarit ndonjëherë duket e parëndësishme, por zgjedhja me të cilën përballesh është vendimtare. Kam besim tek ti, zgjidh besimin e duhur”. 

 

TI DUHET TË ZGJEDHËSH !

Posted by Keti Bazhdari on Lunedì 15 giugno 2015

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura