Këshilltaret bashkiake krijojnë Rrjetin Kombëtar të Aleancave

Nov 24, 2017 | 10:47
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Aleancat e Grave Këshilltare të bashkive në të cilat janë krijuar, u mblodhën në Gjirokastër nga 10 deri 12 Nëntor 2017, për të diskutuar arritjet 2016-2017 si edhe përcaktuar objektivat strategjike të së ardhmes.

Në të gjithë vendin janë ngritur dhe funksionojnë 15 Aleanca të Grave Këshilltare, ose në 25 përqind të bashkive duke përfaqësuar 40% të grave këshilltare. 80 përqind e Aleancave janë ngritur në bashki me mbi 100,000 banorë çka do të thotë se ato mbulojnë 55 përqind të popullsisë.

Gjirokastra 1

Kjo tregon se Aleancat e Grave Këshilltare mund të kenë një ndikim shumë të madh në jetën e grave.

Vetëm dy vjet pas ngritjes së Aleancës së parë të Grave Këshilltare, të bashkisë së Tiranës, UN Women me mbështetjen e qeverisë suedeze, organizoi në qytetin e Gjirokastrës takimin e parë kombëtar të 15 Aleancave, që formalizoi në këtë mënyrë dhe Rrjetin Kombëtar të tyre.

Në këtë takim, këshilltaret diskutuan për zbatimin e politikave mbrojtëse dhe gjithëpërfshirëse për gratë në nevojë si edhe arritjen e barazisë gjinore në nivel vendor.

“Takimi iu mundësoi Aleancave të analizonim nismat më efektive, të vlerësonin rezultatet e arritura dhe të shikonin sëbashku mundësitë për ndërhyrje të reja në nivel vendor por edhe mbarëkombëtar drejt një platforme të përbashkët mbi të drejtat e grave dhe barazinë gjinore”, u shpreh Fiorela Shalsi, Drejtuesja Kombëtare e Programit “Lidership dhe Pjesëmarrje Politike”, UN Women.

Gjatë këtij takimi, u prezantuan tre modele pozitive që mund të ndërmerren nga Aleancat. Një prej tyre ishte “Fondi për Gratë Sipërmarrëse”.

“Aleancat e pritën me shumë interes përvojën e mirë të bashkisë së Tiranës për mbështetjen e sipërmarrjes së grave në nevojë. Fondi ka qenë një risi në buxhetin bashkiak dhe i është dedikuar krejtësisht fuqizimit ekonomik të grave për të dalë nga varfëria dhe për të prosperuar ekonomikisht. Aleanca e Tiranës e propozoi Fondin në Këshillin Bashkiak dhe pati miratim unanim nga të gjitha forcat e ndryshme politike”, u shpreh Merita Pone, kryetare e Aleancës së Tiranës.

gjirokastra 2

Dy modelet e tjera ishin Karta Europiane për Barazi midis Burrave dhe Grave dhe Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen (VKQ). Të dyja modelet u mundësojnë këshilltareve jo vetëm të përdorin praktikat më të mira europiane, por t’i përshtasin ato me nevojat dhe prioritetet e qytetarëve. VKQ-ja i informon këshilltaret për nevojat kryesore të grave në komunitetet e tyre dhe për cilat mund të lobojnë në planet dhe buxhetet përkatëse.

Fillimisht skeptike, për shkak të pozicionimit partiak brenda këshillave bashkiakë, gratë këshilltare sot propozojnë sëbashku nisma për fuqizimin e grave në të gjitha nivelet.

Vjollca Koko, Kryetare e Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë, dega Gjirokastër, anëtare në Këshillin Bashkiak, dhe sekretare e përgjithshme Aleancës së Grave Gjirokastër, kërkoi një vëmendje më të madhe të bashkive ndaj kësaj kategorie, që nuk prek vetëm gratë, por dhe gjithë shoqërinë.

“Aleancat e Grave Këshilltare duhet të lobojnë për të krijuar pranë bashkive një Fond Social, të planifikuar për problemet sociale që me të ardhurat e bashkive, të sigurohet kujdes për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe grupet në nevojë në territorin që bashkitë administrojnë; Të ngrihen qendrat ditore multifunksionale në bashkitë ku ato mungojnë; Të përshtaten në mënyrë të standartizuar ambientet publike për P.A.K në fondin e investimeve për rikonstruksion në Bashkinë Gjirokastër, për vitin 2018 duke synuar përshtatshmërinë e trotuareve ekzistues me rampat dhe shiritat relievore për të verbërit”, u shpreh zonja Koko.

Rrjeti Kombëtar i Aleancave, mbështetur në argumentat dhe informacionet e paraqitura në takim, u angazhua për sigurimin  e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara si detyrim institucional dhe moral, pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në legjislacion. Rrjeti u angazhua edhe për adresimin e një sërë çështjesh si fuqizimi politik i grave, por dhe me lehtësimin e problemeve sociale të grave kryefamiljare, atyre në kushte të vështira ekonomike e sociale si dhe përmirësimin e mjediseve të sigurta dhe miqësore për fëmijët për të minimizuar e zhdukur ngacmimet ndaj tyre (bullizmin).

Mbeten ende dhe dy vjet, deri në fund të mandatit, që gratë këshilltare, të cilat për herë të parë përbëjnë 35% të këshillave të sjellin ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve që përfaqësojnë. Deri në takimin e ardhshëm kombëtar, Aleancat përcaktuan tetë nisma për të cilat do të punojnë së bashku. Gjithashtu ato ranë dakord në hartimin e një strategjie për të bashkëpunuar dhe lënë gjurmë në jetën e grave dhe vajzave në komunitetin e tyre do jetë hapi i dytë pas këtij takimi kombëtar. Rrjeti Kombëtar i Aleancave do të nxisë edhe bashkitë ku ende nuk janë krijuar aleancat e grave këshilltare për ngritjen dhe angazhimin e tyre si pjesë e këtij rrjeti.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura