Kapllan Resuli boton veprën e 135-të

Nov 27, 2015 | 12:04
SHPËRNDAJE

Këto ditë lexuesit i është dhënë vepra më e re e akademikut, prof. dr. Kapllan Resuli, me titullin “Fjala është karajfil”. Kjo është vepra e 135-të e Resulit. Në listën e gjatë të botimeve, rreth 80 vepra janë shkruar e botuar në gjuhën shqipe, kurse të tjerat janë shkruar e botuar në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën serbo-kroate, po edhe në maqedonisht, në gjuhën franceze, angleze, edhe pse tematika e tyre është shqiptare.

kapllan-resuli

Shumë syresh janë përkthyer në gjuhë të huaj dhe kanë njohur disa ribotime. Një vend të rëndësishëm zë krijimtaria publicistike, por edhe ato letrare e shkencore.

Një karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori është se fjalës së shkruar, si publicist dhe si shkrimtar, ai i ka qëndruar me konsekuencë e besnikëri, duke e shoqëruar edhe me veprime konkrete në fushën e aktiviteteve të tij politiko-shoqërore, kudo që ka qenë, si në Jugosllavi e në Shqipëri, ashtu edhe në Zvicër, në liri e në burg.

Kjo është edhe arsyeja pse është ndjekur e persekutuar, deri në arrestim, madje ka pasur përpjekje edhe për ta eliminuar atë fizikisht, gjë që e pranoi botërisht këto ditë edhe ish-ministri i Kulturës së Malit të Zi, Budimir Dubak. Në fushën e publicistikës shqiptare ai është i njohur sidomos me veprat “Paqja nuk arrihet duke shpifur e intriguar” (polemikë, Gjenevë 1994), “Letra nga Burreli” (përmbledhje epistolare, Gjenevë 1999), “Mikrologjira” (Gjenevë 2000. Ka qarkulluar nëpër qelitë e burgut të Burrelit qysh prej vitit 1970), “Marginalije” (Gjenevë 2003), “Fytyra e vërtetë e Kadaresë” (Gjenevë 1992.

Edicioni në gjuhën franceze dhe serbo-kroate në Gjenevë, më 2001), “Bumerangu i Enver Hoxhës dhe i hoxhistëve” (Gjenevë 2004), “Ngadhënjimi mbi vdekjen” (studime dhe artikuj, Tiranë 2009), “Ambasadori shqiptar” (reportazhe, Ulqin 2010), “Mbi dashurinë” (vëllim me ese, Gjenevë 2001), memoaret për Adem Demaçin dhe Esat Mekulin etj.

Akademiku Resuli është edhe themeluesi dhe drejtuesi i revistës “YLBERI”, të cilën edhe e ka financuar për vite me radhë, si dhe të organeve të tjera të shtypit në gjuhë të huaja. Në fushën e letërsisë shqiptare Resuli është shquar si poet, tregimtar, novelist dhe romancier, po dhe si teoricien e kritik letrar. Është i njohur sidomos me romanet “Fanola” (Prishtinë 1958), “Vejusha e detarit” e “Tradhëtia”. Ky i fundit, deri tani është botuar e ribotuar pesë herë, duke filluar më 1965, në Tiranë.

Një rëndësi të veçantë ka soneti i tij disident “Do të vij!”, që ka qarkulluar qelive të burgut të Burrelit dhe, në vitin 1987, arrin të botohet në revistën kryesore të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, që e lauron edhe me çmimin e vet vjetor. Por ndërkohë autori i sonetit ishte në burg.

Me tregimet dhe novelat e tij për detarët e peshkatarët, ai ka futur në letërsinë shqiptare edhe temën e detarisë e të peshkimit, kurse me vargjet e strofat e tij ka pasuruar edhe prozodinë shqiptare. Si i tillë ai është bërë pjesë e teksteve të historisë së letërsisë shqiptare hartuar nga Robert Elsie dhe Noel Malcolm.

Në fushën e shkencës ai ka bërë emër si ballkanolog dhe sidomos si albanolog. Një kontribut të veçantë ka dhënë me veprat “E folmja e Ulqinit” (monografia me të cilën ka mbrojtur diplomën e dytë në Universitetin e Tiranës, më 1969. Zbulimet e tij shkencore prof.

Anastas Dode i ka futur menjëherë në leksionet e tij universitare, kurse Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka futur edhe në enciklopedinë e saj “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 1985, por pa emrin e autorit, për arsye se ai ishte në burg), pastaj veprat “Ilirët dhe shqiptarët” (Gjenevë 1994), “Studime leksikore”, “Studime etimologjike”, “Sufiksat e shqipes”, si dhe “Kush janë shqiptarët” (Gjenevë 2007, e përkthyer dhe e botuar edhe anglisht).

Zbulimet shkencore të Akademikut Resuli nuk kufizohen vetëm në fushën e albanologjisë. Ai ka bërë zbulime me rëndësi edhe lidhur me gjuhën dhe historinë e popujve të tjerë. Zbulimi i tij lidhur me ndryshimin e gjatësisë së zanoreve të theksuara gjatë fleksionit të fjalës vlen për të gjitha gjuhët e botës.

Ai ka kundërshtuar dhe hedhur poshtë shumë teza të linguistëve dhe të historianëve më të ndryshëm botërorë, sidomos të historianëve serbë, ndër të tjera edhe tezën e tyre se shqiptarët janë albanët e Kaukazit dhe na paskan arritur në Shqipëri nga Sicilia në vitin 1043. Kjo ka qenë një tjetër arsye pse ai është përndjekur nga agjentura titiste, por edhe ajo enveriste.

 

NGA SUAD SULEJMANAGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura