Dibër, sulmohet me sëpatë oficeri i grupit të drogës

May 31, 2015 | 14:05
SHPËRNDAJE

Një specialist i seksionit të narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Dibër është kërcënuar me jetë pasditen e djeshme në lagjen “Kamen”, në qytetin e Peshkopisë.

Burime pranë Komisariatit të Policisë Peshkopi bënë me dije se shtetasi Erald Çibaku, jo vetëm i ka zënë pritë oficerit N.S., por me një sëpatë që mbante në dorë e ka kërcënuar me jetë. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur në afërsi të ish-shtëpisë së pritjes, 200 metra në veri të shëtitores “Elez Isufi”.

Specialisti i kërcënuar në mënyrë të befasishme ka njoftuar në kohë rekord kolegët e Drejtorisë së Policisë, të cilët kanë dërguar me shpejtësi efektivë drejt vendit të ngjarjes. 28- vjeçari është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe në banesën e tij është gjetur edhe sëpata, me të cilën ai shantazhoi zyrtarin e Policisë Dibër. As oficeri i Policisë dhe as ai i arrestuari, nuk kanë dhënë detaje për ngjarjen, por burime të besueshme saktësojnë se Çibaku vitet e fundit kishte probleme. “Çibaku ka qenë përdorues i narkotikëve dhe kishte probleme me shëndetin mendor.
Para një viti u dërgua nga familjarët në një kolegj në Turqi dhe pas kthimit u duk se ishte më mirë. Ka shumë mundësi që 28-vjeçari t’i jetë rikthyer përdorimit të narkotikëve dhe është zbuluar nga oficeri i narkotikëve”, thanë zyrtarë të Policisë Dibër.

I riu akuzohet për veprën penale të kanosjes së jetës të punonjësit të Policisë. Po hetohet nëse Çibaku ishte edhe shpërndarës droge dhe cilët mund të jenë bashkëpunëtorët e tij. Çështja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së rrethit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që mund të përfundonte me viktima.

DIBER/ HASAN PASHA
 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura