Kallpazanëria e një pafllatari

May 28, 2022 | 10:45
SHPËRNDAJE

Edmond dhe Robert Budina

EDMOND BUDINA

Nuk po e kthej në shqipen e sotme të shkruarën e kreut, se ata që fryhen si këndesi majë plehut dhe hiqen si nxënës të devotshëm të imzot Nolit duhet ta dinë, por gjithsesi edhe të tjerët do ta kuptojnë përgjatë këtij shkrimi. Ja që pafllatarët ose llomotarët, kur llomotitin me vend e pa vend, ia këputin si kau pelës, se jo përherë kur flet shumë nxjerr pe goje mençurira. Këtë bëri dje edhe Bashministri ynë (se mos na ngatërrohi, Bashministri është kreu, bashi i ministrave, sikundër është edhe dollibashi, pra, kreu i dollisë, se mund të kisha thënë edhe rradakeministri apo rrashtministri. Të gjitha kanë të bëjnë me kryet), kur si dyrdyl i dyrdylosur na bariste si i handakosur mes mexhelisit të qoftexhinjve të tij dhe si për sefte tha: “Një ta çash e një ta mbash”.

Po ç’pate, mo, derdimen, ti ishe mirë gjer dje? Po ç’them dhe unë, katran me bojë, madje “tre në degë e dy në majë”, sikurse thoshte miku im i vyer Bujar Lako, ke qenë gjithnjë. Që ta çash ose ta mbash, atë që ke në mendje, së pari duhet ta kesh. Ca e kanë dhe e përdorin si duhet, ca të tjerë e çajnë se u lezeton, po me ty dymbëdhjetë të kesh, nuk ia vlen të çash asnjërën. Me sa duket të çara i kishe të dyja dje, se të vinte si nakati pe inatit e dallohej, kur barisje si zoçkë e shushatur, kur jo vetëm lëkura, po dhe gjer qimkat e gjithë rrashtës të kishin marrë një ngjyrë pe meiti.

Na e përmende aq herë me radhë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, saqë mendova mos të ka dalë edhe në ëndërr. Po kaq shumë të ka llaftarisur kjo e uruar Aleancë? Po s’ka bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë, vetëm gjashtëmbëdhjetë kallëzime në SPAK për ty e sojsorollopin tënd. Mos u mërzit, në dorë e ke si SPAK-un, edhe Spakistët, që e kanë financuar. Hiqna një Vizë dhe bjer rehat. Apo e kishe inatin me atë “të vdekurin e pakallur, a të gjallin e vdekur, a të vdekurin e gjallë…” si dreqin i thua, se të është bërë si makth. Po ç’tha në fund të fundit ai? Asgjë. Veç që teatri do të ndërtohet atje dhe ashtu si ishte. Pse u ndërseve ashtu dhe si i dalë nga trutë shpërtheve: “Në ç’vend, kini parë të ndërtohet si ishte?”. Pa le, po na more si shembull edhe Notre Dame në Paris. “Ignorantia non est argumentum” (Mosdija nuk është argument), thotë Spinoza.

Po si nuk u skuqe, kur the atë kallpazanëri (kështu e shkruante Imzoti)? Po Notre Dame do të ndërtohet si ishte para djegies, sikundër është ndërtuar pas djegies edhe Fenice në Venezia, Petruzzelli, në Bari dhe në Londër pas qindra vjetësh u ndërtua Globus, ku dhe si ishte. Qytete të tëra janë rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si ishin, në Gjermani, Poloni e gjetkë. Të është bërë ves kallpazanëria dhe je shndërruar në rrenacak, shpifanik ose gënjeshtar, nëse të shkon më mirë në gjuhën letrare. Nëse do e bëje prej mosdijes, edhe do të të falej, por ti e bën me vetëdije të plotë për të nxitur urrejtje dhe të ndikosh tek ata rradakekuftkat lëpiranikë, që të zvarriten nga pas.

Këtë bëre edhe dy vjet më parë, kur the: “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të shndërrohet në një lëvizje a parti politike. Këtu do të jemi dhe do ta shohim”. Këtu jemi dhe nuk të doli llafi. Me një fjalë gënjeve. Vesi del me shpirtin.

Tani këput një tjetër broçkull: “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit e ka krijuar Partia Demokratike!!”. Pika që s’të bie! Mendon se çdo gjë bëhet, ashtu si vepron ti me qoftexhinjtë e tu, duke krijuar Aleancat e Mbrojtjes së Zuskave e Zuzarëve, për t’i ndërkallur më pas në protesta, shoqata, institucione e kudo, për të përfituar ti dhe tarafi me zullupat e tu.

Mos vallë të ka mbetur jangllësht në gabzherr kjo aleanca, sepse nuk po e ndërton dot teatrin? Premtove se ishte vetëm çështje ditësh, po tashmë kaluan dy vjet. Mos e vërteta qëndron në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo andej nga SPAKu është fanepsur ndonjë Giovanni Falcone? Sepse pas dy vjetësh të justifikohesh me tërmet, pandemi, luftë e rritje të çmimit të… shtëzës, është njëjtë me atë që ke premtuar, se do të ndërtoje edhe kinematë “Republika”, “17 Nëntori”. Për sa i përket vendimit të Kushtetueses, ndiq këshillën e ndonjë zuzuje të shoqërisë së shulave, që të mëson, se si të gjesh mënyrën për t’i bishtuar.

Kujdes me të krojturën, se krijohet përshtypja sikur ke zgjeben dhe nuk të zë vend as pyetja: “Kur kini parë trupë të huaj në Teatrin Kombëtar? E mbani mend? Nuk kishte kushte dhe i degdisnim në Korçë, Butrint…” Po edhe në halenë e vilës, po nuk vure dorë, po nuk e pastrove, era përç e të pëgërë do të bjerë. Po gjithsesi, kur ne e pastruam dhe e kullandrisëm atë “Paçavurre”, që të prishte turinjtë ty, prej 27 korrikut 2019 deri ditën që e shqeve, më 17 maj 2020, janë dhënë rreth tetëdhjetë shfaqje, kryesisht nga trupa të huaja dhe mjaft prestigjioze pe Italie, Austrie, Gjermanie, France, Amerike, Kosove e Maqedonie. Po ti bën sikur nuk e di, se as zotrote nuk mbahesh mend, kur ke qenë për herë të fundit në një shfaqje teatri.

Na fole për shije estetike, ruajtje e restaurim të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Po me ç’sy e faqe e përmend këtë, kur darkon në restorant “Opium”, ngritur mbi muret e kalasë së Tiranës dhe u ngre gishtin e mesit qytetarëve. Kujdes kur ecën mes vizave të bardha, se lëkundesh si pikaleckë a katana (balonë tauke a tabake), që i kanë shkuar shtrembër terezitë.

Na fole dhe për “Makbeth-në”, që do luhet në teatrin e ri, kur të ndërtohet. Se mos të merr Perëndia mendjen dhe kërkon të luash rolin e Makbethit, meqë të pëlqen të bësh aktorin. Niveli yt i aktrimit, e ke treguar, gjer në KoshPortokall shkon. Meqë të pret barku për teatrin e ri, ultra modern dhe ku do të na organizosh festivale me trupa të huaja, sikundër medemek e ke bërë me kulturën në këtë vend gjithë këta vjet, pse nuk e ndërtove në një vend tjetër e kështu shtoje ambientet teatrore dhe vendosje paqe e mirëkuptim mes njerëzve dhe vetes. Me sa duket, nuk të kërcet fare për kulturën e ca më pak për teatrin. Për sërën tuaj, gjithçka që është publike, e gjykoni si mall pa zot, që duhet zhvatur. Për këtë u bëre copë njëzet vjet rresht, nuk të zinte gjumi, e futje dhe e nxirrje nga harta e ruajtjes si monument i trashëgimisë, sikundër bën me të gjitha pronat publike, që ke ndërmend t’i zhvatësh së bashku me klientët e tu.

Je bërë si i çatrafillosur dhe të gjithë tashmë e dinë psenë. Të janë bllokuar milionat e allishverisheve, që ke bërë me mafien dhe ajo nuk fal, ti e di mirë këtë. Veç mos harro, që shkeljet ligjore, korrupsioni, të qenurit në krye të kupolës, dënohen dhe letrat janë në dorë të drejtësisë. Edhe ndonjë blerje me karrierë a para në dorë, që mund t’i bëhet ndonjë prokurori në SPAK për të mbyllur çështjen e Teatrit, do të ketë kosto. Në mos sot, nesër hapsanën nuk e shmang dot as matrapazi, që shet dhe as zarba, që shitet.

Një pyetje: Kur firmos ashtu fap, fap, fap për Teatrin, Butrintin etj., e ngjyen ndonjë çikë pendën në kallamarkë, apo ua le atyre bythkëkoçankave të besuar të firmosin. Jo, mirë bën: më mirë ta hanë ata, sesa ti.

Mos u merr shumë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, se sa herë je marrë me të, ters të ka vajtur. Të bëri të dalësh nga mendorja dhe këpute broçkullën e radhës: “Gjithçka që do mbroni ju, unë do ta shemb”.

Shkrova në krye për shkarje ledhi, po aha, qenke shumë më rëndë! Të paska shkarë i gjithë mali me pyjet, breshkat, lepujt, minjtë… Merru më mirë me ato tyryfylet e çapaçulët që të rrethojnë, se lanë koqen e namit duke të quajtur Skënderbe, Zeus. Mësoju ndonjë çikë letërsi se kështu përmirësojnë edhe të folurën dhe nuk ngatërrojnë Servantesin me K.Th. Spirin.

© Panorama.al

Te lidhura