Jemi shumë vonë për të shpëtuar ekonominë reale

Apr 6, 2020 | 13:24
SHPËRNDAJE

eno_bozdo

 

ENO BOZDO/ Disa ditë më parë, nëntëmbëdhjetë shoqata shqiptare dhe të huaja biznesi, në një letër drejtuar kryeministrit Rama, renditën tetë kërkesa për tu përballur me krizën ekonomike të shkaktuar prej pandemisë.

Kërkesat cilësohen si të domosdoshmë për tu plotësuar në mënyrë që biznesi prodhues, ai i shërbimeve dhe ai agrobujqësor të mbijetojë. Duke shmangur retorikën mbi plotësueshmërinë e masave apo koherencën e tyre, do të theksoja se letra shënon rastin e parë kur një numër kaq i lartë shoqatash i drejtohen qeverisë me të njëjtat kërkesa.

Në gjithë këto javë në media, përfaqësues të ndryshëm të biznesit, qeverisë, opozitës, ekonomistë, opinionistë etj, kanë trajtuar gjërësisht paketën ekonomike që qeveria ka ofruar. Dhe kjo është më se normale përsa kohë paketa përfaqëson ofertën e parë dhe të vetme të mazhorancës për të përballuar këtë krizë të paprecedent.

Gjithsesi në këto debate dhe analiza, ka një çështje (apo argument ekonomik) për të cilin flitet pak apo aspak. Është çështja e likuiditetit të domosdoshëm që duhet të vihet në dispozicion të të gjitha kompanive të cilat për hir të pandemisë, ndodhen në pozicion shumë të vështirë financiar. Një pjesë e tyre e ka mbyllur tashmë aktivitetin, ndërsa pjesa tjetër po përgatitet ta mbyllë atë.

Ky shqetësim që lexohet qartë edhe në letrën e sipërpërmendur, nuk trajtohet në mënyrën e duhur dhe me shpeshtësinë e duhur në debate apo analiza. Duket sikur po mbytemi me “thërrimen” që kryeministri i ka hedhur ekonomisë dhe po harrojmë se i ashtuquajturi biznes i madh punëson më shumë se tre të katërtat e punonjësve dhe kontribuon më shumë se 98% të PBB-së.

Në dallim nga kriza e vitit 2008, sot në krizë nuk ndodhet sistemi bakar por vetë tregu i cili nuk gjeneron më financim, pra likuiditet. Kjo është hallka e këputur e zinxhirit dhe vlen për të gjitha vendet e prekura nga pandemia. Pra, biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar sot ndodhet në vështirësi të madhe likuiditetit pikërisht sepse tregu nuk i përgjigjet dot. Është ulur ndjeshëm konsumi, kanë ngecur marrëdhëniet financiare furnitor-porositës, është pothuajse zeruar mundësia e aksesit në kapital qarkullues që gjenerohet nga vetë kompania, me një fjalë është cënuar rëndë i gjithë zinxhiri kompleks financiar që vetë tregu ofron.

Veçanërisht për kompani të cilat punojnë me kontrata me partnerë të huaj, (përgjithësisht eksportues, por jo vetëm), ky zinxhir tashmë është këputur plotësisht. Eksportuesit përfaqësojnë sot “viktimën” e parë ekselente të pandemisë.

Në këtë situatë, kur tregu nuk i përgjigjet dot kërkesave të kompanive, këto të fundit janë të ekspozuara plotësisht ndaj detyrimeve financiare si p.sh. detyrime financiare ndaj bankave, ndaj furnitorëve, pagesat e punëtorëve, shpenzimet për ujë, energji dhe qira, taksat qëndrore dhe vendore etj.

Sfida kryesore ekonomike sot është të mundësojmë me të gjithë instrumentat që sistemi ka në dispozicion, aksesin e shpejtë dhe pa kosto të kompanive shqiptare në kapitalin finaciar. Pa siguruar menjëherë këtë akses, çdo argument tjetër bie!

Në se nuk do ta bëjmë një gjë të tillë sa më parë, kur e gjitha kjo të përfundojë (në rastin më të mirë pas disa muajsh), do të gjendemi përballë faktit që kompani të cilat megjithëse sot janë të shëndetshme financiarisht si dhe të afta e konkurruese në treg, do ta kenë shumë të vështirë të rifillojnë normalisht aktivitetin e tyre tregtar. Do të jetë shumë e vështirë për to të ripunësojnë të njëjtin numër të punonjësve të tyre, të krijojnë përsëri të njëjtën vlerë të shtuar, të fitojnë dhe kështu të paguajnë taksat të cilat janë të domosdoshme për të mbajtur në këmbë motorin ekonomik të vendit. Sipas vlerësimeve të një prej grupeve më të rëndësishëm dhe më seriozë në vend, për çdo muaj aktiviteti të mbyllur, biznesit do t`i duhet më shumë se 12 muaj për të arritur të njëjtat parametra!

Supozojmë se javën që vjen jeta do të rifillojë normalisht. Do të duhen muaj të tërë, në mos vite, për një kompani që ta vendosë veten e saj në të njëjtin pozicion prodhues dhe financiar që kishte përpara krizës. Kompania do të jetë dobësuar për shkak të detyrimeve të akumuluara, për shkak të konsumit i cili ka rënë dhe pritet ta marrë veten me vështirësi, për shkak se partnerët e huaj ndodhen edhe ata në shumë vështirësi, e kështu me radhë. Përfundimisht, edhe sikur bilbili të bjerë nesër dhe jeta të fillojë normalisht, ekonomia do të kërkojë muaj, në mos vite, për ta rimarrë vetën.

Parë në këtë perspektivë, bëjnë shumë kuptim miliardat e eurove dhe dollarëve që vendet e zhvilluara po derdhin në zinxhirin e tyre prodhues. E bëjnë këtë jo vetëm se janë vende të pasura dhe kanë mundësi financiare, por mbi të gjitha sepse ato e kanë kuptuar drejt rrezikun qe vjen nga “gjëndja e përkohëshme e ekonomisë në koma”. Për hir të të vërtetës edhe vende si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Sërbia po bëjnë pikërisht këtë gjë. E vetmja është Shqipëria që ende nuk po bën hapa konkretë!

Përllogaritjet ekonomike tregojnë se sado e kushtueshme të jetë sot ndërhyrja e shtetit në ekonomi për të përballuar këtë situatë, përsëri do të kushtojë shumë më lirë se sa mungesa e ndërhyrjes dhe lënia e situatës në rënie të lirë.

Në këtë front kemi dy lajme pjesërisht pozitive. I pari është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë e cila thekson se do të përdorë të gjitha instrumetat e saj për të furnizuar me likuiditet bankat e nivelit të dytë. I dyti është premtimi nga ana e qeverisë se gjysma e paketës finaciare do të ofrohet në formën e garancisë sovrane në mbështetje të kompanive.

Gjithsesi këto mbeten ende lajme dhe jo hapa konkretë. Ato janë krejtësisht të pamjaftueshëm. Efektiviteti i tyre deri më sot është i papërfillshëm, për këto arsye:

Së pari, kompanitë do të kenë akses në likuiditet nën programin e garancisë sovrane vetëm për financimin e pagës së punonjësve dhe detyrimeve fiskale që rrjedhin prej tyre. Pra jo për kapital qarkullues apo për detyrime të tjera të prapambetura. Kjo është e pamjaftueshme. Garancia sovrane nuk duhet vetëm të limitohet për pagesat e punëtorëve, por për të gjitha detyrimet afatshkurtëra dhe afatmesme të kompanive.

Së dyti, qeveria duhet të tregohet serioze përsa i përket pezullimit të kredive. Letra e bashkëfirmosur nga kryeministri dhe guvernatori nuk do të vlejë për asgjë nëqoftëse qeveria nuk do të garantojë me fond të veçantë mbrojtjen e bankave nga humbjet financiare të pezullimit të kredive. Pra, ndërsa u kërkojmë bankave të mos fitojnë në këtë periudhë, duhet edhe tu garantojmë atyre se nuk do të humbasin.

Së treti, shuma prej 100 milionë usd e vendosur si garanci sovrane është shumë pak për nevojat që ka ekonomia. Për të patur efekt real duhet minimalisht disafish kjo shumë.

Së katërti, Banka e Shqipërisë vërtet ka treguar vullnetin e saj duke ndërmarrë hapa të vlerësueshëm në këtë drejtim, por edhe ajo vetë është e ndërgjegjshme se këto hapa nuk mjaftojnë t`i nxjerrin bankat e nivelit të dytë nga zona e rehatisë apo përtacisë.

Në radhë të parë, Banka e Shqipërisë duhet të përgatitet mirë për një operacion të madh të lehtësimit financiar. Nuk ka asnjë instrument tjetër që siguron likuiditet të mjaftueshëm përveç se një ndërhyrje masive e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet lehtësimit financiar (Quantitative Easing).

Në radhë të dytë, Banka e Shqipërisë duhet të ndërmarrë çdo hap për t`i detyruar bankat e nivelit të dytë të furnizojnë mjaftueshëm me kapital financiar kompanitë. Në një farë mënyre, duhet t`i detyrojë ato. Për këtë ndoshta duhet të marrë në konsideratë edhe ndryshimin e ligjit për Bankën e Shqipërisë. Në kushtet ku jemi, një lëvizje e tillë është më se e nevojshme.

Së pesti, qeveria duhet të ndërmarrë cdo masë për të mos thithur edhe atë pak likuiditet nga arkat e kompanive në këtë periudhë. Është e pakuptimtë të kërkosh që në këtë situatë kompanitë të paguajnë taksat dhe tatimet qëndrore dhe vendore, faturat e energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë, kur aktiviteti ekonomik i tyre është zero.

Së gjashti, qeveria i ka të gjitha instrumentët të ofrojë zgjidhje ad-hoc për grupe të vecanta të biznesit. Për eksportuesit që punojnë me vendet e BE-së, duhet të ofrojë një linjë të vecantë furnizimi me kapital qarkullues me kosto mundësisht zero. Për prodhuesit apo ofruesit e shërbimeve, aksesi në bankë duhet të jetë me aplikacion, në formën e ndihmës së menjëhershme dhe pa asnjë burokraci.

Pra përfundimisht, thelbi i çështjes mbetet aksesi i bollshëm, i menjëhershëm, pa asnjë kusht shtrëngues i kompanive në kapital financiar. Kur pandemia të ketë mbaruar, kjo do të garantojë kthimin e shpejtë në normalitet të ekonomisë. Dhe sa më parë ekonomia të marrë veten nga ky kolaps, aq më i lartë do të jetë kthimi mbrapsht i shpenzimeve buxhetore në arkën e shtetit.

Në se tregohemi dritëshkurtër sot, apo dorështrënguar në rastin më të mirë, aq më të vështirë do ta kemi rikuperimin ekonomik dhe aq më shtrenjtë do ta paguajmë atë financiarisht. Të veprojmë pra sa më parë, sepse tashmë jemi shumë vonë për të shpëtuar ekonominë reale!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura