“Ismail Kadare në “Le Monde” fyen…”- Zbulohet ditari sekret i ish-sekretarit të KQ, pse e sulmoi shkrimtarin në ‘79! Ja mesazhet që mori nga Enveri

Sep 25, 2020 | 13:41
SHPËRNDAJE

Hysni Kapo, Enveri, KadareAFRIM IMAJ/ 

Që nga infarkti i parë në qershor të vitit 1978, shëndeti i Hysni Kapos, numrit dy në piramidën e Partisë, nuk u përmirësua kurrë, madje me kalimin e kohës përkeqësohej dita-ditës.

Sëmundjet e shfaqura njëra pas tjetrës tronditën kupolën e regjimit dhe Enver Hoxhën, me interesimin e të cilit ai shkoi për t’u kuruar disa herë në Francë. Mirëpo, as mjekimi i specializuar dhe as përkujdesja e posaçme e profesor Milezit, një nga korifenjtë e mjekësisë franceze, s’mundën ta ndalin ofensivën e sëmundjes vdekjeprurëse. Më 23 shtator 1979, Kapo ndërroi jetë në klinikën “BROUSSAIS” të Parisit.

Përmbledhtas, kjo është historia e përballjes me diagnozën e rëndë. Ajo është sjellë vitet e fundit disa herë në vëmendjen e opinionit nëpërmjet dëshmive të mjekëve, kujtimeve të bashkëkohësve, përjetimeve të së shoqes, Vito Kapo, ditarit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i cili ka ndjekur nga afër çdo procedurë mjekësore deri në çastet fatale etj. Në ditarin e vet nga kjo periudhë, Kapo ka memorizuar aq sa i ka lejuar gjendja shëndetësore, duke hedhur në formën e kronikave të thjeshta kryesisht mbresat nga kontaktet e përditshme me bluzat e bardha dhe ndonjë ngjarje sporadike brendapërbrenda mureve të klinikës “BROUSSAIS”.hysni1

Në aq sa ai ka shënuar aty, bëhet e qartë se ka udhëtuar tri herë në harkun e viteve 1978-1979 nga Tirana në Paris dhe shtatë muaj pa shkëputje është trajtuar klinikisht me mjekim të specializuar. Ndër momentet e gëzuara, pacienti VIP veçon korrespodencën me Enverin, e cila, siç rezulton nga ditari, ka qenë gati e përditshme në formë letërkëmbimesh dhe shkëmbimit të mesazheve me telegram. Përtej monotonisë, ditnetët e spitalit larg atdheut Kapo është përpjekur t’i jetojë me kurajën dhe gjallërinë tipike, duke u interesuar për zhvillimet e fundit nga Shqipëria, por edhe duke kontaktuar me miq e personalitete franceze. Sakaq, leximi i gazetës “Le Mond” ka qenë një ritual i përditshëm.

Prej aty, ish-sekretari i KQ njihej me ngjarje të ndryshme, prej të cilave ka hedhur në ditar impresionet nga vizita e një grupi biznesmenësh francezë në vendin tonë në dhjetor të vitit 1978 dhe përshtypjen e tij për një intervistë të shkrimtarit Ismail Kadare, e cila i ka lënë shije të pakëndshme. “Në gazetën ‘Le Mond’, sot është botuar një shkrim i Ismail Kadaresë,- shkruan Kapo në datën 15 dhjetor 1978, – e lexova, s’më duket i menduar mirë, ka mendime të gabuara, nënvleftëson shkrimtarët dhe poetët tanë të rinj”.

Shënimet e liderit komunist përfundojnë më 28 korrik 1979, me kronikën e takimit të fundit me Enverin në vilën qeveritare në Pogradec. Kapo i porsakthyer nga Parisi kishte shkuar për të pushuar me familjen dhe aty krejt papritur tronditet nga një infeksion i rëndë. Me urdhër të Hoxhës riniset urgjentisht për në Francë. Operohet rishtas aty, por këtë radhë duart e mjekëve të talentuar nuk mund t’ia zgjasin më jetën. Nga periudha e kurimit në gusht-shtatorin e vitit 1979 në Paris, Kapo me sa duket nuk ka qenë në gjendje të mbajë ditar. Sidoqoftë, me aq sa ka lënë të shkruar, në njëfarë mënyre e ka dokumentuar gjenezën e sëmundjes dhe historinë e përballjes me të…kadare

Pjesë nga ditari

24 nëntor 1978

Në klinikën në Paris po bëj analizat. Më erdhën të gjithë mjekët. Afër drekës erdhi profesor Milezi, më kontrolloi e përshëndeti se do të largohet për disa ditë në Monako. I shkrova një letër shokut Enver dhe fillova t’u shkruaj letër edhe shokëve të tjerë, por mjekët më ndaluan.

26 nëntor 1978

Sot jam më mirë. Vizita e mjekëve ishte e kënaqshme në çdo drejtim. Në drekë erdhi profesor Gurgeni dhe më kontrolloi me shumë kujdes e përzemërsi. Erdhi Vitua dhe qëndroi deri në orën 12. Në gazetën “Le Mond” lexova një shkrim për Kinën. Aty çdo gjë po varroset.

29 nëntor 1978

Mora një letër nga shoku Enver. U mallëngjeva nga fakti se edhe këtu larg atdheut kam kurdoherë pranë shokun Enver, që me fjalët e tij, me urimet e tij për festën, më jep zemër e forcë. Erdhi profesor Milezi, Gizi e Morsi e më uruan për festën.

3 dhjetor 1978

Mora një telegram nga shoku Enver, ku shpreh gëzimin për gjendjen time dhe më thotë se punët shkojnë mirë. Më dërgon të fala edhe nga Nexhmija dhe fëmijët. Gazeta “Le Mond” shkruan për vizitën e afaristëve francezë që bënë në Shqipëri e shkëmbyen mendime për tregti. Vitua qëndroi deri në orën 22.

Vito Kapo-Hysni Kapo-Vdekja

15 dhjetor 1978

Erdhën mjekët. Bënë procedurat e ditës. Lexova gazetën “Le Mond”, ku ishte botuar një shkrim i Ismail Kadaresë. E lexova, nuk më duket i menduar mirë. Ka disa mendime të gabuara dhe sidomos nënvleftëson shkrimtarët dhe poetët tanë të rinj. 31 dhjetor 1978 Mora një telegram urimi nga shoku Enver për vitin e ri. Dola me makinë në qytetin Masion Laffette. Natën e Vitit të Ri e kaluam në spital bashkë me shokët.

Paris, 8 janar 1979

Sot “Radio Parisi” dhe shtypi njoftojnë se në Kamboxhia hynë forcat ushtarake vietnameze dhe kamboxhiane, zaptuan kryeqytetin Pnom Penin. Qeveria e Pol Potit u largua. Sihanuku u prit me pompë të madhe në Pekin, do shkojë në Kombet e Bashkuara. Ka kërkuar strehim politik në Kinë ose në Francë. Në mëngjes bëra procedurat sipas programit. Erdhën mjekët, më njoftuan se të martën ose të mërkurën mbaroj programin e kurave. U gëzova. Erdhën shokët e ambasadës.

Paris, 10 janar 1979

Më erdhi profesor Zheleni dhe doktor Sikari. Biseduam. Më njoftuan se ditën e mërkurë do të dal. Vitua shkoi në qytet. Paradite erdhën nga Tirana Sokoli, Hajrua dhe Isufi. Na sollën lajme dhe letra nga Shqipëria. Çdo gjë shkon mirë.

Paris, 16 janar 1979

I bëra vizitë drejtorit të spitalit. E falënderova. I bëra telegram urimi Manushit nga unë dhe Vitua me rastin e ditëlindjes.

Paris, 17 janar 1979

Në orën 11 u largova nga spitali, 17 kilometra larg Parisit. Afro dy muaj m’u bënë që qëndroj në spitalin e Parisit. Mendoj se më të mërzitshëm për njeriun janë burgu dhe spitali, por kur të zë halli duhet të përballosh çdo vështirësi. Spitali ku qëndrova ishte i domosdoshëm se bëra disa kura. Nga spitali kam përshtypjet më të mira. Më mori në telefon Adili dhe më uroi.

Paris, 19 janar 1979

Në darkë më mori në telefon shoku Enver dhe më uroi për daljen nga spitali. Më foli për ecurinë e punëve dhe problemet e Plenumit.

Paris, 24 janar 1979

Nata m’u duk e gjatë pse do nisem për Shqipëri. U ngrita shpejt qysh në orën 6. Në orën 10:55 u nisëm nga aeroporti “Orly” me avionin Karavella për në Shqipëri. Kishin ardhur për të na përcjellë shokët e ambasadës si dhe Pranvera, Sokoli, Klemi. Mbërritëm në Shqipëri në orën 13:30. Mbasdite në orën 17:30 shkuam tek shoku Enver me Viton.

25 janar 1979

Pas shtatë muajsh i sëmurë, sot për herë të parë mora pjesë në mbledhjen e Byrosë Politike. Mbledhja zgjati një orë e gjysmë. Dola me shokun Enver. Shkuam bashkë për në shtëpi.

28 janar 1979

Mbasdite pas procedurave mjekësore erdhën për të më vizituar në shtëpi Ramizi me Semiramisin. Më vonë erdhi profesor Hoxha, Popa dhe doktor Saliu. Erdhi për të më takuar edhe Hajria, dukej shumë e gëzuar. Sot Ten Siao Pini mbërriti në Uashington.

3 shkurt 1979

Sot, shoku Enver shkoi në klinikën speciale, do të bëjë një operacion në dorë. Kanë ardhur dy mjekë nga Parisi. Në orën 10:30, operacioni përfundoi me sukses. Shoku Enver e ndien veten mirë. U ngrit në këmbë.

5 shkurt 1979

Ora 10:30, me Ramizin shkuam tek shoku Enver për ta uruar për operacionin e suksesshëm në dorën e majtë. Biseduam deri në orën 12 për probleme të ndryshme: Për partinë e Dinuçit që ka filluar përçarjet, për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj anglezëve për çështjen e arit të grabitur bashkë me kamatat, për çështjen e dëmshpërblimeve të luftës që na ka RF Gjermane.

2 mars 1979

Piktori Ilmi Bani nga Vlora më solli si dhuratë një pikturë, portreti im partizan. Fola me të për shumë gjëra.

1 maj 1979

Shkuam për urim te Babë Myslimi. Sot ai mbush 80 vjeç. Uruam gjithashtu për ditëlindjen edhe Haxhiun. Në ora 18, në Pallatin e Brigadave u bë ceremonia me rastin e dekorimit të Babës me titullin “Hero i Punës Socialiste”.

7 maj 1979

Në Shkodër, për të parë pasojat e tërmetit dhe punën që bëhet për të zhdukur pasojat e tij. 11 maj 1979 Porsa shkova në zyrë, prita sa erdhi shoku Enver. I vajta në zyrë për ta takuar. U interesova për rezultatet që dha kontrolli i mjekëve francezë për sytë e shokut Enver. U gëzova pa masë kur më tha se nuk ka ndonjë problem serioz në sy. Shkuam bashkë në sallën e pushimit, ku ishin edhe shokët e tjerë. Shoku Enver nesër ikën me pushime.

Vlorë, 29 maj 1979

Në orën 11, shoku Enver me Nexhmijen erdhën te vila 5 në tendën e re. Atje shkova edhe unë. U takuam. Biseduam çështje të ndryshme të brendshme. E informova për mbledhjen e sekretariatit.

Vlorë, 31 maj 1979

Me Viton shkuam tek shoku Enver e Nexhmija. Qëndruam aty deri në orën 23. Biseduam gjatë.

Vlorë, 1 qershor 1979

Mbasdite erdhi Ramizi, biseduam. Në orën 18 shkoi tek shoku Enver. Me Viton dolëm nga qyteti për të parë rrugën e re dhe prej andej shkuam te monumenti i luftës së vitit 1920, te qafa e Koçies.

2 qershor 1979

Pasdite me Ramizin shkuam tek shoku Enver. Biseduam çështje ekonomike e politike.

18 qershor 1979

Në orën 10 erdhi shoku Enver në zyrën time. Më shfaqi shqetësimin e tij që kishte pasur nga mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes, e datës 16. Ai e konsideron raportin që u shqyrtua atje shumë të gabuar politikisht dhe ushtarakisht. Mehmeti që e kishte bërë nuk i ishte përmbajtur vijës së Partisë. Diskutimi i Kadriut, që qe mbështetur te raporti, e shqetësonte më shumë. Diskutimi im e kishte ngrohur. Pikëpamjet tona puqeshin. Më porositi që duhet të kemi kujdes për punën në ushtri. Të mos krijohet mendimi se çështjet e ushtrisë i di vetëm një njeri. Të gjitha materialet për këto çështje udhëzoi të kalojnë nga ai para se të diskutohen. Mbi këdo është Partia. I fola për disa shqetësime që kam për ushtrinë, si mburrja, euforia e shfaqje të huaja dhe për disa qëndrime të Mehmetit. Më dha porosi të veçanta.

4 korrik 1979

Sot shoku Enver nuk erdhi në punë. Ka shkuar me pushime në Durrës.

5 korrik 1979

Në takim me shokun Enver folëm për tipin e armës automatike që është prodhuar. Kish disa vërejtje. 7 korrik 1979 Sot, shoku Enver u nis me pushime në Pogradec.

9 korrik 1979

Dëgjova të shoqen e Ismail Hoxhës, ish-punonjës i Aparatit të KQ, që vdiq para pesë vjetësh. Ishte e shqetësuar për çështjen e vëllait të saj të përjashtuar nga Partia. E qetësova. Thirra Muntas Dhramin dhe e porosita për monumentin e Drashovicës, të shohë mundësinë për ta mbaruar me rastin e 60-vjetorit të luftës së 1920. Pra, vitin 1980.

Pogradec, 16 korrik 1979

Me Viton u nisëm për pushime në Pogradec. Na përcollën fëmijët e nipërit. Pas pesë-gjashtë ditësh i presim të na vijnë në Pogradec. Gjatë rrugës Vitua nuk ish mirë. Porsa mbërritëm, ra në rroba. Në ora 18 u takova me shokun Enver dhe Nexhmijen. Më pritën me gëzim. U përqafuam. E informova për punët. Shëtitëm bashkë. Shkëmbyem mendime për çështje të ndryshme.

18 korrik 1979

Paradite si zakonisht, mbas programit mjekësor, lexoj. Në orën 11:30 u takova me shokun Enver. Bëmë shëtitje, biseduam për çështje të mjekësisë, të fëmijëve. E informova për sa më tha Vitua për seminarin e bërë në Shkodër me gra për shëndetin e fëmijës.

21 korrik 1979

Shkuam në Volorekë. Morëm edhe familjen e doktor Dine Abazit. Mbasdite, si bëmë shëtitje me Viton, u takuam me shokun Enver dhe Nexhmijen. Duke shëtitur, i fola për nevojën e forcimit të kontrollit të shtetit, që të jetë kontroll shtetëror me ato kompetenca që na mëson Lenini e Stalini. Shoku Enver ish dakord që ta shohim kur të kthehemi nga pushimet.

25 korrik 1979

Pasdite pata temperaturë. Natën e kalova me shqetësime.

26 korrik 1979

Sipas kontrollit që më bënë Dinja dhe Ylli, del se kam marrë pak të ftohtë. Filluan antibiotikët. Gjithë ditën e kalova me temperaturë të lëvizshme nga 37.8 në 38 gradë. E kalova ditën rënë në shtrat. Më njoftuan se shoku Enver ka pasur pak temperaturë dhe nuk e ndien veten mirë. Duket ka një virus që është hapur edhe në kampin e pushimit të kuadrove.

28 korrik 1979

Pasdite në ora 17 erdhi për vizitë shoku Enver me Nexhmijen. Biseduam për probleme të ndryshme. (VIJON)

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  “Ka njollosur figurën morale të komunistit”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos, prapaskenat e përplasjes së Enverit me Ballukun: Kanë tërhequr nga arka Ministrisë së Mbrojtjes para për…

E PLOTE/ Zbulohen bisedat konfidenciale mes Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës në ditarin sekret: Gabimi i rëndë që bëri Beqir Balluku! Intrigat dhe qejfmbetjet në majën e piramidës së regjimit

EKSKLUZIVE/ “Nuk i kishte kuptuar thellë gabimet!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Debati i Enverit me Mehmetin për postin e Kryeministrit. Propozimi që revoltoi Hoxhën

“Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja janë plehra!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Enveri zbuloi grupi antiparti në kulturë! Shpërthimi i diktatorit në Plenumin e IV

“Boll me buste për heronjtë e vdekur”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Të vendosim njerëzit e partisë! Incidenti në paradë me përfaqësuesin e Kinës

EKSKLUZIVE/ “Teuta dhe Ilir Hoxha duhet të kurohen në Paris”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Ç’më tha Isuf Kalo e Sulo Gradeci për gjëndjen e Enverit!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura