EKSKLUZIVE/ “Teuta dhe Ilir Hoxha duhet të kurohen në Paris”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Ç’më tha Isuf Kalo e Sulo Gradeci për gjëndjen e Enverit!

Sep 24, 2020 | 13:33
SHPËRNDAJE

NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA ME HYSNI E VITO KAPON

NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA ME HYSNI E VITO KAPON

AFRIM IMAJ/ Ka qenë mesi i qershorit të vitit 1978 kur Hysni Kapo ka ndierë për herë të parë një goditje në zemër.

I kuruar prej vitesh nga diabeti, tashmë i duhej të përballej me një tjetër diagnozë, e cila, për nga mënyra si shfaqej, vlerësohej serioze dhe e rrezikshme për jetën.

Gjithçka ndodhi befasisht kur Sekretari i KQ-së po ndiqte punimet e Kongresit të Gruas në Pallatin e Kulturës në Durrës. E njëjta tronditje, këtë radhë edhe më e fortë, do të përsëritej një javë më pas, kur po pushonte në dhomën e gjumit në Bllok. Ky episod, në kartelën e mjekëve mban datën 22 qershor 1978. Të nesërmen, më 23 qershor, sipas dokumentit të Klinikës Speciale, gjendja e Hysni Kapos u rëndua shumë. Tanimë, për bluzat e bardha nuk kishte më dyshim:

Të gjitha shenjat flisnin për një infarkt miokardi. Që këtej, pacienti VIP kaloi në regjim shtrati, duke u observuar nga një grup i posaçëm mjekësh. Pas tri javësh mandej shkoi për t’u kuruar në Paris. Kjo histori në ditarin e Kapos ka lënë gjurmë vetëm me fillesat dhe epilogun e saj. Një shënim i datës 3 tetor bën të ditur se ai po rikthehej në zyrë pas tre muajve pushim, pa folur për tronditjet nga goditja serioze në zemër. Gjithsesi, ditënetët e peripecive në shtrat nuk kanë mbetur deri në fund pa u përmendur.

Ajo që bie në sy në kujtimet e Kapos nga kjo periudhë, është ngazëllimi i tij nga përkujdesja e përditshme e Hoxhës, i cili, edhe kur nuk është i pranishëm në klinikë, i shkruan letra e i përcjell mesazhe inkurajuese. Sakaq, pacienti i Klinikës Speciale nuk harron të shfaqë bezdinë për alarmin e mjekëve që e kurojnë dhe që, sipas tij, e bëjnë djallin më të zi nga sa duket.

Pjesa tjetër e kujtimeve që ka hedhur në letër ish-sekretari i KQ-së nga viti i mbrapsht 1978, përmban përjetimet nga kontaktet e përditshme me Hoxhën dhe problematikën e konsumuar në to. Lajmi për dy vdekje të pazakonta në Italinë fqinje ka kaluar jo pa u ndjerë në kupolën e Partisë. “Vrasja e Aldo Bores, shkruan Kapo duke iu referuar komentit të parë të Hoxhës për ngjarjen, dëshmon krizën e thellë të kapitalizmit dhe luftën që bën borgjezia e madhe në Itali për të vendosur diktaturën fashiste”.

Pak a shumë, të njëjtin gjykim rezervon edhe për vdekjen e Papës së Vatikanit, kreut të shenjtë të katolicizmit, ku sërish gjen fajtore borgjezinë, e cila, sipas tij, e ka zakon që kur të do, të këndon, kur s’i duhesh të fut në dhe’ e derdh lot krokodili.

Ndër ngjarjet e tjera që përmend lideri komunist në ditarin e tij, është rivarrimi në Tiranë i vëllezërve Frashëri, kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër, festimi me madhështi i 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, pagëzimi i Kombinatit të Autotraktorëve në Tiranë me emrin Enver Hoxha etj..

hysni_kapo_000

Pjesë nga ditari

5 prill 1978

Dr. Isufi e Sulua erdhën nga Vlora. Më raportuan për gjendjen e mirë shëndetësore të shokut Enver. U gëzova. Biseduam për nisjen në Paris të Ilirit dhe Teutës. Mora masa. Porosita Ministrinë e Jashtme dhe të Shëndetësisë. Asnjë pengesë për mjekimin në Francë të familjarëve të shokut Enver.

21 prill 1978

Qirjako Mihali më njoftoi për turbinën e hidrocentralit të Fierzës. Ka avari, vështirë të vihet në funksionim. Kinezët kanë sabotuar prodhimin. Kështu kanë bërë e bëjnë edhe për pajisje të tjera. Ata janë armiq. Duhet vigjilencë! Erdhi Behari nga Kina na informoi shkurtimisht mbi gjendjen.

10 maj 1978

Në takim me shokun Enver dhe sekretarët e KQ-së biseduam mbi gjendjen në Itali, mbi vrasjen e Aldo Moros. Kjo gjendje dëshmon për krizën e thellë të kapitalizmit, që karakterizon sidomos Europën, mbi luftën që bën borgjezia e madhe në Itali për të vendosur diktaturën fashiste. Kjo situatë në Itali duhet të ndiqet me kujdes, kërkon vigjilencë, gatishmëri, ka risqe.

15 maj 1978

Me Piron shkuam në Uzinën 12 të Kombinatit Metalurgjik. Shokët drejtues të fabrikës na folën për leverdinë ekonomike që kanë prodhimet e saj. Uzina 12 e Kombinatit Metalurgjik është një kompleks i metalurgjisë, kryevepër e punëtorëve dhe teknikëve tanë të talentuar, dëshmi e gjallë që flet për aftësitë e punonjësve tanë.

18 maj 1978

Në Vlorë. Shkova në Cakovinë. Mora takim me kuadrot drejtues të Partisë e të pushtetit në zonë. Pasdite vizitova muzeun e luftës. Muzeu kish disa të meta. U sugjerova t’i korrigjojnë e t’i plotësojnë.

31 maj 1978

Vdiq sekretari i parë i Partisë marksiste-leniniste të Kilit, shoku Bejker. E kam njohur, ishte shok i mirë, i vendosur, i hapur me shokët. Niksoni botoi kujtimet e tij nga takimet me Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain. Si njëri dhe tjetri nga këta udhëheqës kinezë kanë qenë antimarksistë të vendosur. Partia jonë dhe shoku Enver po ua çjerrin maskën këtyre tradhtarëve dhe udhëheqjes kineze që ka bërë kauzë të përbashkët me armiqtë e urryer të marksizmit.

11 qershor 1978

E gjithë udhëheqja me shokun Enver në krye shkuan në sheshin “Skënderbej”. Bëmë homazhe para arkivolëve të Abdyl e Naim Frashërit që ishin vendosur mbi top. Sheshi ishte mbushur plot. Mitingun e çeli Simoni. Mbas mitingut, shoku Enver u takua me patriotë. Ecëm të gjithë në këmbë prapa bandës dhe arkivoleve deri tek Ura e Lanës. Shkuam në vendin ku do vendosen. Bëmë homazhet e rastit.

15 qershor 1978

Mora pjesë në konferencën shkencore me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

16 qershor 1978

Sot, Shkodra pret eshtrat e patriotit të madh të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasë Shkodranit. Në 24 bëhet varrimi.

24 qershor 1978, infarkti

24 korrik 1978  Sot mora një letër nga shoku Enver, më gëzoi pa masë kur pashë shkrimin e tij dhe fjalët aq të ngrohta plot dashuri e përzemërsi, ku shpreh gëzim për gjendjen time shëndetësore dhe më uron shërim të shpejtë.

6 gusht 1978

Vdiq Papa i Vatikanit, kreu i obskurantizmit fetar, armik i betuar i komunizmit, para këmbëve të të cilit u përulën gjithë tradhtarët e marksizëm-leninizmit, që nga Hrushovi, Tito, Çaushesku, gierku, kinezët etj.

18 gusht 1978

Në Bukuresht u dogj teatri nacional. Kjo është përshëndetja, me të cilën populli rumun e priti udhëheqësin kinez, Hua Kon Fen. Në qarqet amerikane ka preokupacion se mos Shqipëria afrohet me Moskën dhe krijon rreziqe për NATO-n e Mesdheun. Amerikanët u thonë aleatëve të afrohen me Shqipërinë.

enveri-hysni-kapo (1)

21 gusht 1978

Sot, tradhtari Hua Kon Fen do vizitojë Jugosllavinë. Jo rastësisht është menduar që në aeroport do ta presë Fadil Hoxha. Nuk është pa qëllim fakti që një shqiptar pret tradhtarin Huan Ko Fen.

28 gusht 1978

Sot u bënë bisedimet Tito-Huan Kon Fen. Tito duket i kapardisur si këndes plak. Tradhtari Hua Kon Fen, që i ra në gjunjë Titos, qëndron me gojë hapur para renegatit Tito. I kanë dalë dhëmbët si të një qeni të lig, duket si një nxënës pas ustait të madh që i mëson si të ecë në rrugën e tradhtisë.

29 shtator 1978

Sot, sa hapa “Radio Romën” dëgjova se ngordhi Papa mbas 32 ditësh që u zgjodh si udhëheqës i shenjtë i katolicizmit. Duket se e kanë helmuar. Borgjezia e ka zakon që, kur do të këndon dhe kur do të fut në dhe’ e derdh lot me hipokrizi, siç po bën tash me “Papën e shenjtë”.

1 tetor 1978

Me Viton, në orën 10:30 shkuam për vizitë tek shoku Enver. Na priti me dashuri bashkë me Nexhmijen. Pasi biseduam për shëndetin, për regjimin në punë, folëm për Konferencën Shkencore “Zhvillimi i sotëm botëror” që çelet nesër, për partitë motra që kanë çuar delegacione në konferencë, për botimin në gjuhë të huaja të veprës “Imperializmi dhe revolucioni”, për studimin që ka bërë shoku Enver mbi “Vetadministrimin jugosllav”, ku demaskohet libri i Kardelit mbi “Vetadministrimin” dhe si Jugosllavia ka tradhtuar çështjen e socializmit. Biseduam për interesimin që tregon borgjezia për të ngritur Mao Ce Dunin për të luftuar Leninin.

3 tetor 1978

Sot, pas tre muajsh larg punës, rikthehem për herë të parë në zyrë. Me vështirësi më lejuan mjekët. Ata e bëjnë djallin më të zi nga sa duket. Po duhen dëgjuar dhe ata. Jam shumë i gëzuar që fillova punën, megjithëse më kanë vënë kufi të punoj dy orë në ditë. Në orën 10:30 u takova me shokun Enver.

5 tetor 1978

Me Ramizin shkëmbyem mendime për festimin e 70-vjetorit të shokut Enver, për mesazhin, vizitat në orën 16, për darkën që do të japë KQ me këtë rast dhe dhënien e emrit të shokut Enver disa objekteve të mëdha industriale. Ramë dakord të merret edhe mendimi i shokut Enver.

6 tetor 1978

Shoku Enver dha mendimin që hidrocentralit të Fierzës t’i jepet emri “Drita e Partisë”, që Kombinatit Metalurgjik t’i jepet emri “Çeliku i Partisë”, ndërsa ne propozuam që Kombinati i Autotraktorëve të marrë emrin “Kombinati Enver Hoxha”.

13 tetor 1978

Më informuan se Spiro Koleka ka pasur një edemë pulmonare. Ish në rrezik. Tani është mirë. Erdhën shokët nga Gjirokastra: Ramizi, Manushi, Rita e Vitua. Ramizi në takim me shokun Enver informoi mbi zhvillimin e përfundimeve me sukses të Festivalit. Shoku Enver na foli përsëri për rëndësinë e folklorit si burim frymëzimi e studimi nga historianët, letrarët, artistët, kompozitorët, etnografët për të bërë vepra të dobishme. Me shokët përfunduam mesazhin e Komitetit Qendror për 70-vjetorin e shokut Enver…

14 tetor 1978

Sot kalova një provë pas tre muajsh i sëmurë. Fola në orën 10 në mitingun në Kombinatin e Autotraktorëve me rastin e 70- vjetorit të shokut Enver dhe dhënien e emrit “Enver Hoxha” Kombinatit. Një panoramë e jashtëzakonshme, me mijëra njerëz, punëtorë të ardhur nga qyteti. Pilua e çeli, pastaj më dha fjalën mua. Fola rreth 35 minuta. Gjithçka shkoi mirë. Inauguruam pllakën me emrin e ri, uzinën e re dhe traktorin e parë..

16 tetor 1978

Ora 9:00, në shtëpinë e Partisë shkova me Viton. Atje do të mblidhemi gjithë shokët e Byrosë Politike, do vemi në orën 10 për urim tek shoku Enver. Kur shkuam, para shtëpisë na priti Nexhmija, Iliri, Sokoli, Pranvera, Teuta, Liljana, Klemi. I uruam. Në korridor na priti shoku Enver. U përqafuam me mall. Momente emocionale. U futëm në sallë. Shoku Enver, i mallëngjyer nga mesazhi, foli për unitetin e udhëheqjes dhe të Partisë, për fitoret e arritura. Qëndruam afro një orë. Shkova në aparat. Me Hekuranin e Lenkën biseduam për punët në Rrethin e Lushnjës.

Enver Hoxha dhe Hysni Kapo

17 tetor 1978

Dëgjova profesor Hoxhën dhe doktor Isufin për disa ndryshime në elektrokardiogramin që i kanë bërë shokut Enver. Na duhet kujdes për shëndetin e shokut Enver.

22 tetor 1978

Me Viton shkuam për urim nga Dhora e Gogos( Nushit) me rastrin e fejesës së Yllit. U gëzova shumë kur pashë Yllin, Drinin dhe Artanin e vogël që është bërë burrë, më i gjatë se unë. Më nxori mallin e Gogos aq të shtrenjtë për mua dhe gjithë Partinë. Mbasdite më erdhi Sulejmani e Dudia, më folën për nga fshati. Sa mirë e kanë ndërtuar jetën! U gëzova shumë që fshati po rindërtohet, jeton mirë. Kujtoj të kaluarën dhe lumturinë që i solli Partia.

15 nëntor 1978

Të gjithë shokët interesohen për shëndetin tim. U jam shumë mirënjohës. Në orën 11:30 erdhi shoku Enver, më gjeti në shesh. U përqafuam, bëmë shaka. E ndiej veten mirë. Takimi me shokun Enver si gjithnjë ka qenë plot frymëzim, energji e forca të reja. Ai më bën plot energji që ta ndiej veten më të fortë se kurrë e të lumtur që t’i shërbej sa të kem jetën Partisë sime të dashur, popullit tim, çështjes së socializmit në rrugën që na udhëheq Partinë me shokun Enver në krye.

vijon

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  “Ka njollosur figurën morale të komunistit”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos, prapaskenat e përplasjes së Enverit me Ballukun: Kanë tërhequr nga arka Ministrisë së Mbrojtjes para për…

E PLOTE/ Zbulohen bisedat konfidenciale mes Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës në ditarin sekret: Gabimi i rëndë që bëri Beqir Balluku! Intrigat dhe qejfmbetjet në majën e piramidës së regjimit

EKSKLUZIVE/ “Nuk i kishte kuptuar thellë gabimet!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Debati i Enverit me Mehmetin për postin e Kryeministrit. Propozimi që revoltoi Hoxhën

“Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja janë plehra!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Enveri zbuloi grupi antiparti në kulturë! Shpërthimi i diktatorit në Plenumin e IV

“Boll me buste për heronjtë e vdekur”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Të vendosim njerëzit e partisë! Incidenti në paradë me përfaqësuesin e Kinës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura