EKSKLUZIVE/ “Nuk i kishte kuptuar thellë gabimet!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Debati i Enverit me Mehmetin për postin e Kryeministrit. Propozimi që revoltoi Hoxhën

Sep 7, 2020 | 20:14
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Dy ngjarje të panjohura nga viti i largët 1966 zbulohen për herë të parë nga shënimet në ditarin e Hysni Kapos: Dorëheqja e Beqir Ballukut si ministër i Mbrojtjes dhe kërkesa enigmatike e Mehmet Shehut për të zëvendësuar postin e Kryeministrit me atë të sekretarit të KQ-së për çështjet organizative.

Enver Hoxha-Mehmet Shehu-Ditari-Hysni-Kapo-COver

Ish-numri dy i lidershipit komunist dhe krahu i djathtë i Hoxhës është mjaftuar me regjistrimin telegrafik të ngjarjeve të pazakonta, me të cilat është njohur gjatë komunikimit konfidencial me eprorin e tij. Të tjera detaje për dorëheqjet e panjohura dhe rrethanat që kanë kushtëzuar vendimin e dy funksionarëve të rëndësishëm për t’u vetëviktimizuar gjenden në dosjen e Kapos në formën e refleksioneve dhe sistemimin e të dhënave nga burime të besueshme mbi figurën e Ballukut dhe Shehut.

Në aq sa ka lënë të shkruar ish-sekretari i KQ-së, që drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe organet e diktaturës, bëhet e ditur se ministri i Mbrojtjes e shikonte këtë zgjidhje si rrugën e vetme për të shmangur konfliktin e hershëm me gjeneralët karizmatikë, Dume e Çako, të cilët nuk i bindeshin. Sakaq, tërheqja e papritur e Shehut nga posti i Kryeministrit, në shpjegimet e Kapos, që u referohet bisedave me Hoxhën, lidhet me rivalitetin me Ballukun dhe qejfmbetjet për mënyrën e vlerësimit të besueshmërisë dhe kontributit të tij nga udhëheqja e lartë e Partisë, që nënkuptonte Byronë Politike dhe Sekretariatin e KQ-së.

Bisedat konfidenciale të Kapos me Hoxhën zbulojnë kështu pjesën e panjohur të intrigave në majën e piramidës të regjimit komunist. Në numrin e sotëm zbardhim vetëm një fragment nga odiseja e përplasjeve misterioze që i përket vitit të largët 1966. Ditari i Kapos në vijim sjell të tjera episode nga përplasjet dramatike në radhët e liderëve politikë që drejtuan vendin me dorë të hekurt për gjysmë shekulli.

Ditari-Sekret-i-Hysni-Kapos1

2 janar 1966

Ora 13:00 u takuam me shokun Enver dhe shoqen Nexhmije. Biseduam për mjaft çështje të punës së Partisë, të luftës kundër burokratizmit, biseduam për përpjekjen e revizionistëve sovjetikë bashkë me imperialistët amerikanë, për të gjetur rrugët e zgjidhjes së krizës në Vietnam. Revizionistët sovjetikë po bëjnë gjithçka u vjen për duarsh për të nxjerrë imperializmin amerikan nga situata e vështirë në Vietnam.

3 janar 1966

Dita e parë e punës në zyrë për vitin e ri 1966. Shumë punë, shumë probleme të vështira na dalin përpara. Ditën e parë të vitit të ri e fillova me Iliazin, drejtorin e ri të Drejtorisë së Bujqësisë. Ai filloi punën e re më 3 janar. U ktheva në shtëpi në orën 23:30

4 janar 1966

Do raportoj te shoku Enver. Sa besim dhe nder më ka bërë Partia ime e dashur që unë të punoj në aparatin e KQ, pranë shokut Enver! Shoku Enver ka qenë për mua mësuesi im, si shok, si prind i mirë. Ai sot erdhi në zyrën time kur ishim bashkë me Hakiun (Toskën) dhe biseduam si duhen vënë në lëvizje organizatat e partisë në dikasteret qendrore. Në orën 13:00 u bë mbledhja e Sekretariatit të KQ. Të gjithë sekretarët u ndanë për të shkuar në rrethe. Unë u caktova të shkoj në Vlorë, Fier dhe Berat. Në orën 17:00 prita një nga udhëheqësit e Partisë Revolucionare afgane, kongolezin Numengi Feliks.

14 janar 1966

Afër drekës shkova në Shtëpinë e Partisë. U takova me shokun Enver. Shoku Enver u interesua mbi problemet që kishin dalë në bazë. I raportova mendimet e mia mbi sa kisha parë e dëgjuar.

17 janar 1966

Mbas shumë ditësh punë në rrethe, sot, ditë e hënë, fillova punë në zyrë. Në orën 13:00, shoku Enver thirri sekretarët e KQ në zyrën e tij. Shtroi si çështje kryesore punën që do bëjmë për Kongresin e Partisë. Në orën 20:00 shkova në shtëpi i lodhur.

18 janar 1966

Gazeta “Zëri i Popullit” njoftonte mbi letrën e 11 agronomëve të Durrësit, të cilët iu përgjigjën me patriotizëm thirrjes së Partisë që të largohen nga zyrat në qytet dhe të shkojnë me punë në fshat. Shoku Enver, sa erdhi në zyrë, më telefonoi dhe më pyeti nëse e kisha lexuar gazetën “Zëri”.
Ishte i gëzuar nga ky akt, por i pëlqente që këtë iniciativë ta kishin marrë punonjësit e aparateve të Tiranës, pse këtu në Tiranë ka aparate të fryra, ka burokratizëm, këtu duhet shkurtuar me sëpatë të madhe.

21 janar 1966

Bashkë me Ramizin, Hakinë, Ritën, u mblodhëm për të diskutuar planin e punës së Byrosë Politike dhe të Sekretariatit të KQ. Kur ishim duke biseduar, erdhi shoku Enver. Na dha udhëzime të rëndësishme.

27 janar 1966

Në zyrë pata punë të zakonshme. Dëgjova delegacionin që u kthye nga Konferenca e tri kontinenteve, që u mbajt në Havanë. Foto Çami raportoi shumë çështje interesante. Revizionistët në Konferencë ishin demaskuar keq. Si kurdoherë, edhe këtu delegacioni ynë demaskoi politikën tradhtare të revizionistëve sovjetikë. Mora masat që më porositi shoku Enver për ardhjen e shokëve indonezianë nga Pekini në Shqipëri.

4 shkurt 1966

Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike. Mbaroi në orën 15:00.

7 shkurt 1966

Shoku Enver erdhi në zyrë dhe më thirri e biseduam për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me gabimet që janë bërë dhe qëndrimet burokratike që janë konstatuar në organet shtetërore dhe se si kjo çështje nga Mehmet Shehu është kuptuar gabim. Shoku Enver foli për përshtypjen që i kishte bërë propozimi i Mehmet Shehut për të ikur nga Kryeministria, për të ardhur në aparatin e KQ dhe të merrej me çështje organizative, propozim që tregon se nuk i ka kuptuar thellë gabimet.

Shoku Enver ishte mjaft i shqetësuar. “Unë, – tha, – ta them ty se nuk kam kujt t’ia them. Dhe kur ta them ty, sikur ia them vetvetes, ta dish mendimin tim”. Ora 10:00 na thirri në mbledhje mua, Beqir Ballukun, Ramizin dhe Rita Markon dhe na foli për letrën që duhet bërë për luftën kundër burokratizimit. Pasdite u mora me punë në zyrë.

23 shkurt 1966

Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për shqyrtimin e riorganizimit të punës në aparatin e KQ. Shoku Enver bëri një analizë mbi karakterin e Ushtrisë Popullore dhe konceptit borgjez, mbi ushtrinë borgjeze-ushtrinë e gjeneralëve, marshallëve, kolonelëve dhe kastave e puçeve.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura