“Boll me buste për heronjtë e vdekur”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Të vendosim njerëzit e partisë! Incidenti në paradë me përfaqësuesin e Kinës

Sep 23, 2020 | 21:10
SHPËRNDAJE

hysni

AFRIM IMAJ/ Dënimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, finalizuar në Plenumin IV të Komitetit Qendror, ka qenë ngjarja më e bujshme e vitit 1973.

Traditat historike, lufta, martirët, heronjtë, kanë qenë preokupime konstante të Enver Hoxhës. Mitizimi i tyre deri në absurd, i shfaqur në pamje të jashtme si mani romantike, i është dashur diktatorit për të përligjur pushtetin personal 40-vjeçar në krye të Partisë dhe të shtetit komunist.

Ditari i Hysni Kapos zbulon me dhjetëra shembuj e fakte, ku spikat përkujdesja e veçantë e Hoxhës për ta mbajtur në qendër të vëmendjes revokimin e atyre që ai i quan vlera të pazëvendësueshme, jo thjesht për edukimin komunist të brezit të ri. Në shënimet e numrit dy të Partisë nga takimet konfidenciale me kreun e regjimit në vitet 1977-1978, bie në sy një tendencë e tij për t’i dhënë kësaj çështjeje një theks të ri, duke kaluar këtë radhë edhe përtej Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilën e vlerësonte epokën më të ndritur të popullit shqiptar.

Ishte koha kur Hoxha sa kishte eliminuar grupet më të rrezikshme antiparti, atë të kulturës, të ushtrisë, të sabotatorëve në ekonomi dhe risjellja e së “kaluarës së lavdishme” në qendër të vëmendjes së opinionit publik, destinohej për të rikuperuar sa të mundte imazhin e cenuar të regjimit dhe kupolës së tij.

Si asnjëherë tjetër, kreu i Partisë jo rastësisht kujtohet të porosisë për të festuar me madhështi ngjarje e përvjetor të harruar prej vitesh nga kujtesa zyrtare e propagandës komuniste. Kapo ka dokumentuar në ditar këshillat dhe udhëzimet e Hoxhës për ndërtimin e muzeut të Krujës dhe atë të varrit të Skënderbeut në Lezhë, për kremtimin me madhështi të 100-vjetorit Lidhjes së Prizrenit dhe disa ngjarje të tjera para Luftës së Dytë Botërore. Kalendari i përcaktuar nga kreu i Partisë, siç del nga shënimet e Kapos, detajohet deri në imtësi.

“Shoku Enver, shkruan ish-sekretari i KQ, duke fol për festimin e Lidhjes së Prizrenit, udhëzon ngritjen e një busti në Shkodër në nderim të figurës së Isa Buletinit dhe porosit të merret me këtë drejtpërdrejt Ramiz Alia”. Sakaq, Hoxha nuk harron t’i kthehet edhe një ngjarjeje tjetër, siç është ajo e betejës së Drashovicës, për të cilën, siç shkruan Kapo, rekomandoi “një monument të mirë me kompleks luftëtarësh, ku të dalë dhe figura ime”.

Sidoqoftë, kreu i regjimit nuk ka mbetur deri në fund kaq bujar me historinë e monumenteve e përkujtimoreve. Fluksi në rritje i tyre, një moment ka trazuar humorin e tij, aq sa është detyruar t’u drejtohet krerëve të lartë në mënyrë eksplicite: Jo më buste për të gjithë heronjtë e vdekur! Me sa duket, më në fund udhëheqësi i Partisë ka filluar të mendojë për monumentet e heronjve të gjallë, me të cilët parakuptohej enturazhi i figurave politike të regjimit komunist.

Është pikërisht kjo periudha, kur kupola e lartë nisi fushatën për të pagëzuar veprat e mëdha, Hidrocentralin e Fierzës, Kombinatin e Çelikut në Elbasan, atë të Autotraktorëve në Tiranë e dhjetëra të tjerë me emrin e Partisë së Punës dhe të diktatorit. Ndër ngjarjet e tjera që përmend Kapo në ditar nga kjo periudhë janë bisedat informale me Hoxhën për “tradhtinë” e Kinës, refleksionet ndaj lajmeve që vinin asokohe nga Pekini dhe histori interesante, zbuluar rishtas nga libri i gazetarit italian, Davide Lojalo, “I Kordi”, në të cilin konfirmohet se Mao Ce Duni ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Hrushovit qysh nga viti 1956…

Pjesë nga ditari

20 janar 1977

Lexova librin e një shkrimtari francez për historinë e Shqipërisë shkruar në vitin 1914. Është interesant. Flet për origjinën e shqiptarëve, për prejardhjen e tyre, gjuhën, zakonet, popullatën, gjeografinë, pasuritë e Shqipërisë, luftërave që ka bërë populli shqiptar që prej kohërave më të lashta e të kohës së Skënderbeut e deri në vitin 1914. Në libër ngrihet lart figura dhe heroizmi i Skënderbeut dhe mbas tij si figurë e shquar del Ali Pashë Tepelena. Flet për përpjekjet e Ismail Qemalit për independencën.

22 janar 1977

Mbasdite, nga ora 18 erdhi në shtëpi shoku Enver, qëndroi deri në orën 20. Më foli për kujdesin që duhet treguar për punën në ushtri, për disa shfaqje e qëndrime që vihen re. Të mos harrojmë punën armiqësore. Shkëmbyem mendime…

Tiranë 5 shkurt 1977

Në mbledhjen e Sekretariatit të KQ. Në rend të ditës, dy probleme: Mbi filmin dhe kinofilmin dhe mbi mbjelljen e grurit. Shoku Enver bëri një diskutim shumë të rëndësishëm mbi problemet e kinematografisë dhe të filmit. Vlerësoi lart punën që bëhet. Dha orientime e porosi. Për mbjelljet, diskutimet qenë të pakta. Fola edhe unë.

17 shkurt 1977

Polaku Kazhimiezh Mijal nxori fytyrën e vërtetë prej revizionisti, armik i marksizmit dhe i Partisë sonë. I dërgon letër Byrosë Politike ku del hapur kundër tezave të partisë sonë. Si avokat i revizionizmit kinez mbron tezën e “tri botëve” dhe të luftës kundër imperializmit sovjetik, mbron tezën për aleancën e imperializmin amerikan. Me Ramizin shkuam te Rita, i uruam ditëlindjen.

11 mars 1977

Pasdite u nisa në Vlorë për të takuar shokun Enver. Mbërrita në orën 18:30. Në orën 19 shkova tek shoku Enver. Biseduam deri në orën 23:30.

22 prill 1977

Shkuam me Ramizin në familjen e Karaman Yllit me rastin e 60-vjetorit të lindjes.

7 shtator 1977

Thirra ministrin e Shëndetësisë, bisedova për shëndetin e disa shokëve dhe masat që duhen marrë. Në takim me shokun Enver folëm për vizitën e Titos në Kinë dhe marrëdhëniet tona me partitë marksiste-leniniste, kujdesi në bisedat me ta, të kuptojmë situatat e tyre.

12 tetor 1977

Në takim me shokun Enver folëm për punën që duhet bërë për sqarimin e Partisë në lidhje me Kinën. Biseduam për materialin që ka përgatitur shoku Enver për Kinën, që do të flasë në plenumin e ardhshëm.

18 tetor 1977

Bashkë me shokun Enver shkuam te Ramizi për ta uruar për ditëlindjen.

24 tetor 1977

Në takim me shokun Enver na foli për punën që duhet bërë kundër koncepteve të huaja për gruan (vajzat), mbi luftën kundër kriminalitetit dhe abortit.

9 nëntor 1977

Vitua mbushi 55 vjeç. Sot e festojmë. Në orën 10 erdhi shoku Enver me Nexhmijen. Na gëzuan shumë, dolëm në fotografi. Gjatë ditës erdhën shokë e shoqe për urim.

10 dhjetor 1977

I raportova shokut Enver për analizën e bërë në ushtri. Shoku Enver u interesua për marrëdhëniet oficer-ushtar, për kritikën, dhënien llogari të kuadrove, për marrëdhëniet komandant-komisar-sekretar, për teknikën, armatimin, rregulloren e ushtrisë. Dha porosi të rëndësishme.

21 dhjetor 1977

Vazhdon gripi. Temperatura 37,8. Erdhën mjekët më dhanë këshilla. Më mori në telefon shoku Enver, më pyeti si jam. Më tha: U lodhe, nuk more parasysh këshillat. Ki Kujdes! Sot jam mirë. Në darkë temperatura shkoi 36,5.

4 janar 1978

Sot, shoku Enver nuk doli në zyrë. Ka pak rrufë. Na porositi për qëndrimin që duhet të mbajmë në shtyp për konfliktin kambopxhiano-vietnamez.

5 janar 1978

Vizitova Shefqet Peçin që u bë operacion. U gëzua shumë kur më pa.

6 janar 1978

Me Ramizin shkuam për të parë shokun Enver në shtëpi. Është mirë, por duhet të qëndrojë edhe disa ditë brenda. Folëm për disa probleme të rëndësishme në vend dhe disa çështje të rëndësishme ndërkombëtare.

13 janar 1978

Në orën 11:30 shkuam për të parë shokun Enver në shtëpi. Dukej mirë. Qëndruam më shumë se një orë. Shoku Enver na pyeti për punët. I raportuam. Biseduam për çështje kërkimore shkencore dhe si t’i ndjekë ato më mirë Partia.

19 janar 1978

Sot, shoku Enver doli në zyrë. U gëzuam shumë. Në takimin që patëm me të, na foli për revolucionin teknikoshkencor dhe për çështje të tregtisë së jashtme. Pasdite thirra ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe i dhashë porositë që na dha shoku Enver për këtë sektor.

27 janar 1978

Me shokun Enver biseduam për luftën e patriotëve shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit, për figurën e shquar të Isa Buletinit. Shoku Enver dha porosi të ngrihet një bust i mirë për Isa Buletinin në qytetin e Shkodrës. U ngarkua Ramizi. Shoku Enver u interesua për monumentin e Drashovicës dhe dha porosi të bëhet një monument i mirë me kompleks luftëtarësh ku të dalë dhe figura ime.

3 shkuar 1978

Mehmeti më dërgoi letrën që u ka bërë kinezëve për çështjet ushtarake. Ka disa çështje që nuk duhen vënë në atë mënyrë. Bisedova me shokun Enver. Edhe ai kishte disa vërejtje. Nuk u duhet lënë kinezëve përshtypja se në Europë ka rreziqe, as se ne jemi të kërcënuar nga armiqtë, pse kështu është teza e tyre.

8 shkurt 1978

Në orën 13:00, shoku Enver erdhi në zyrën time, biseduam mbi qëndrimet e kinezëve ndaj vendit tonë dhe mbi letrën që kishte përgatitur Mehmeti për kinezët. Mendimi i shokut Enver është të kemi kujdes të mos nxitohemi, të mos bëhemi ne shkak për të penguar marrëdhëniet ekonomike. Të shfrytëzojmë mundësitë pa lëshuar në parime, duke ditur se ç’janë kinezët. Pasdite, me Ramizin, Viton dhe Semiramisin, shkuam te shoku Enver për të uruar ditëlindjen e Nexhmijes.

MONUMENTI I DRASHOVICES
MONUMENTI I DRASHOVICES

18 shkurt 1978

Në takimin e sotëm me shokun Enver, biseduam për 100- vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për masat që duhen marrë nga ana jonë, për qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj mbledhjes që do të bëhet në Prishtinë për Lidhjen e Prizrenit, ku do të shkojë dhe delegacioni ynë. Shoku Enver na porositi për propagandën që duhet t’u bëjmë ngjarjeve historike. Foli për aksionin kundër italianëve në Selenicë. Folëm për gjendjen në Kinë dhe vonesat në mbledhjen e Asamblesë.

1 mars 1978

Me Ramizin e Nexhmijen biseduam për krijimin e një grupi pune që do të merret me përgatitjen për botim të shumë shkrimeve të shokut Enver.

5 mars 1978

Nesër Titua niset për në Amerikë për të marrë shpërblimin e shërbimit duke futur edhe kinezët në rrugën e tij të tradhtisë.

26 mars 1978

Shoku Enver më mori të telefon nga Saranda e më pyeti. U gëzova shumë kur dëgjova zërin e tij. Ishte plot gëzim e entuziazëm. I urova shëndet e gjithë të mirat. I thashë, shkurt, se nuk ka ndonjë shqetësim, çdo gjë shkon mirë.

Mao Ce Duni me Hysni Kapon dhe Beqir Ballukun
Mao Ce Duni me Hysni Kapon dhe Beqir Ballukun

21 prill 1978

Qirjako Mihali më njoftoi për turbinën e hidrocentralit të Fierzë. Ka avari, vështirë të vihet në funksionim. Kinezët kanë sabotuar prodhimin. Kështu kanë bërë e bëjnë edhe për pajisje të tjera. Ata janë armiq. Duhet vigjilencë! Erdhi Behari nga Kina, na informoi shkurtimisht mbi gjendjen.

24 prill 1978

Me shokun Enver e Ramizin pamë projektet e muzeut të Krujës, të varrit të Skënderbeut dhe të vëllezërve Frashëri. I aprovuam.

1 maj 1978

Sot u bë parakalimi i madh në Tiranë me rastin e Festës së Punëtorëve. Përfaqësuesit e vendeve revizioniste dhe ata kinezë u larguan nga parada kur panë parullat që demaskonin revizionizmin dhe “teorinë e tri botëve”. Kinezët e treguan veten se nuk i ndanë asgjë nga revizionistët e tjerë. Na marrin të keqen!

mao

3 maj 1978

Riçard Niksoni në librin e tij me kujtime thotë se “Mao Ce Duni shpreh gëzim që në Amerikë, Angli e Gjermani janë në fuqi Partitë e djathta të kapitalit të madh”. Mao Ce Duni, si antimarksist me damkë ka xhevahire plot, që koha çdo ditë e më shumë i nxjerr në shesh dhe demaskon fytyrën e tij prej renegati.

5 maj 1978

Sot, Dita e Dëshmorëve. Në orën 10:00 shkova për vizitë në familjen e xha Jaho Gjolikut, të Abaz Shehut, të Birçe Metos (vëllai i Memo Metos), te vajza e Koçi Bakos. U gëzuan shumë. Me Ramizin e Hekuranin shkuam tek Adili për t’i uruar ditëlindjen.

9 maj 1978

Në takim me shokun Enver biseduam lidhur me heronjtë e vdekur, për propozimet që bëhen dhe kriteret që duhen ndjekur. Shoku Enver mendon se nuk duhet ngritur buste për të gjithë heronjtë e vdekur, por duhen marrë vendime të veçanta. Të gjithë u shfaqëm dakord.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  “Ka njollosur figurën morale të komunistit”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos, prapaskenat e përplasjes së Enverit me Ballukun: Kanë tërhequr nga arka Ministrisë së Mbrojtjes para për…

E PLOTE/ Zbulohen bisedat konfidenciale mes Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës në ditarin sekret: Gabimi i rëndë që bëri Beqir Balluku! Intrigat dhe qejfmbetjet në majën e piramidës së regjimit

EKSKLUZIVE/ “Nuk i kishte kuptuar thellë gabimet!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Debati i Enverit me Mehmetin për postin e Kryeministrit. Propozimi që revoltoi Hoxhën

“Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja janë plehra!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Enveri zbuloi grupi antiparti në kulturë! Shpërthimi i diktatorit në Plenumin e IV

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura