Inva Mula “peshkon” perla në Pallatin e Kongreseve, rikthehet si regjisore

Sep 21, 2017 | 13:52
SHPËRNDAJE

Gjithnjë e më e pranishme në Tiranë, sopranoja Inva Mula këtë herë ka ardhur të “peshkojë” perla në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

inva

E rikthyer në nostalgjinë e 27 viteve më parë, por tanimë me një barrë eksperiencë në skenat botërore mbi supe, Inva Mula do të ngjisë në skenën e Pallatit të Kongreseve një nga operat më të bukura, jo vetëm të Georges Bizet, por të gjithë repertorit botëror. Opera “Peshkatarët e perlave” e risjell atë në rolin e regjisores, por edhe protagonistes, Leilës, për dashurinë e së cilës ndeshen dy burra, dy miq që i kanë dhënë besën njëri-tjetrit, e mund t’i ndajë vetëm rivaliteti për një grua.

Dje në Pallatin e Kongreseve u zhvillua konferenca për shtyp për këtë vepër, që do të ketë nesër premierën, si dhe hapjen e sezonit artistik në TKOBAP. Një sezon që ashtu si edhe ai i mëparshmi, për shkak të rikonstruksionit të ambienteve në Pallatin e Kulturës, do të vijojë në formën e një turneu nëpër rrethe, ku një vend të rëndësishëm do të zënë koncertet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, me rastin e 60-vjetorit të krijimit të tij.

opera_1

VEPRA

“Peshkatarët e perlave” është një vepër sa humane, aq edhe mistike, ku dashuria njerëzore ndërthuret me lutjet dhe besimin në Zot (Brahma, në këtë rast). Përçon tension, por edhe dëshirë për t’iu kthyer shpirtërores.

Vepra vjen nën interpretimin e orkestrës së TKOBAP nën dirigjimin e Gerard Akoka, përmes një kasti të zgjedhur këngëtarësh (Ramona Tullumani, Simona Karafili, Armando Likaj, Caner Akin, Hrisimir Damyanov, Atanas Mladenov, Aurel Thëllimi etj.), jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, një kor i shtuar në numër, drejtuar nga Dritan Lumshi, që përbën një zë të fuqishëm në vepër, si dhe nga trupa e baletit, nën drejtimin e Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos.

Një vend i rëndësishëm i është kushtuar skenografisë nga Marija Veteroska dhe kostumografinë e realizuar nga Elva Bello. Për drejtoreshën e TKOBAP, Zana Çela, “Peshkatarët e perlave” është një vepër e kushtueshme.

“Kemi investuar më shumë se në çdo shfaqje tjetër për këtë vepër. Kemi realizuar 105 kostume”, tha ajo.

SFIDA E INVËS

Edhe pse e vendosur në skaj të panelit të konferencierëve, Inva Mula është emri kryesor i kësaj vepre. Me gjithë dashurinë, me të cilën ajo e ka punuar këtë vepër, për të cilën thotë se nuk ka dashur të sjellë format në të cilat ajo e ka interpretuar atë nëpër botë, por diçka të re, origjinale, të freskët, për të, vënia e kësaj vepre në skenën e Pallatit të Kongreseve është një sfidë.

“Si marrim guximin të bëjmë teatër në një skenë që nuk është një teatër operash, nuk është as teatër i mirëfilltë, pasi është një sallë konferencash. Teatri ka nevojë për gropën e orkestrës, për ballkone, rrumbullakësi skene, por handikapet duhet t’i kthejmë në favor dhe të mendojmë që po bëjmë një spektakël të bukur, që nuk do jetë vetëm për melomanët dhe të dashuruarit e operës klasike, por për një publik më të gjerë.

Këtë ne e kthejmë në një favor tonin, për t’i dhënë publikut të Tiranës, dhe jo vetëm. Është një vepër që mund të vijnë ta ndjekin edhe familjarë për të kuptuar që sot, në këtë vit që jetojmë, opera nuk është vetëm për një pjesë të shoqërisë, por e hapur për të gjithë”, tha ajo.

NJË HISTORI FAMILJARE

“Peshkatarët e perlave” është ngjitur për herë të parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në vitin 1964. Si një përkim i bukur, në rolin e Leilës, ka interpretuar sopranoja Nina Mula, kur e bija ishte vetëm një vjeç. Vite më vonë, në 1990, i njëjti rol do të interpretohej nga e bija, Inva, e cila sapo kishte nisur udhën e karrierës. Rolin e Leilës ajo do ta këndonte në krah të tenorit Kastriot Tusha, në rolin e Nadirit.

Inva Mula ka interpretuar për herë të parë në skenën e TKOB në rolin e Violetës në operën “La Traviata”, në vitin 1986 kur ishte vetëm 22 vjeçe. Dhe tashmë, pas 27 vitesh, ajo i rikthehet këtij roli në skenën ku e këndoi për herë të parë.

“Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët, të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga ariet që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do vërtet të bëhesh këngëtare lirike, duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo, do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!”, është rrëfyer sopranoja. Kjo është hera e dytë për Mulën në rolin e regjisores, pas debutimit të suksesshëm me “Pagliaccin”, në skenën e TKOBAP. Edhe në këtë rast, nuk ishte një zgjedhje rastësore.

“Unë vetë jam një produkt i operës ‘Pagliacci’. Dikur, në Konservatorin ‘Tchaikovsky’ të Moskës, studentët e kantos vendosnin në skenë këtë opera dhe dy të rinj u dashuruan gjatë duetit të Neddas dhe Silvios, por me ndryshimin që ngjarja nuk rrodhi si në opera, por në një dashuri të madhe nga ato më të bukurat dhe pasionantet ku dy të rinjtë studentë vazhduan ta përjetonin jo vetëm në opera, por në 55 vitet që jetuan së bashku”, ka treguar ajo.

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura