INTERVISTA/ Sherif Merdani zbulon sekretet: Pse Pippo Baudo s’pranoi të tregoja historinë e dënimit tim në San Remo. Alketa Vejsiu më përloti

| 12:31
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI/ Monologu i Alketa Vejsiut në skenën e Aristonit, e përloti kantautorin Sherif Merdani. Ajo tha gjithë sa ai dhe i gjithë brezi i tij do të kishin dashur të thoshin. Ai brez, që do të dënohej, përndiqej vetëm sepse dëgjonte këngët italiane, angleze…

FAQE E REVISTES “VISTO”, KUSHTUAR KANTAUTORIT SHQIPTAR SHERIF MERDANI
FAQE E REVISTES
“VISTO”, KUSHTUAR
KANTAUTORIT SHQIPTAR
SHERIF MERDANI

Ditët e Festivalit të Sanremos, e kthyen pas në kohë, atëherë kur ai, i sapo dalë nga burgu, ndoqi nga afër këtë festival, që për të e shqiptarët ishte një ëndërr. Një ëndërr, por edhe një “mallkim”, për këdo që do ta ndiqte e imitonte. Në një intervistë për “Panorama.al”, kantautori tregon vitet kur në Shqipëri dëgjohej Sanremo. “Në vitet ’70, edhe shteti shqiptar dërgonte njerëzit e tij të besuar, komunistë për të ndjekur Sanremon”, kujton këngëtari. Ai tregon vitet e errëta të burgut e deri në ditën kur do të takonte Baudon e Morandin. Baudo nuk pranoi që historia e Merdanit të tregohej në skenën e Aristonit. Ishte tepër e trishtueshme.

“Ishte logjike, nuk donte që me historinë time të trishtonte italianët në natën më argëtuese të tyre”. Por historia e tij nuk mbeti në heshtje. Për të shkruan gazeta e revista italiane. “Çfarë kishte bërë Merdani, ishte vrasës, vjedhës, apo keqbërës? Faji i vetëm i tij ka qenë se admironte, dashuronte Minën e Morandin, e t’i dëgjoje ato ishte e ndaluar… ‘Për muzikën italiane nuk mund të flisje në Shqipërinë komuniste-marksiste të Enver Hoxhës dhe ky ishte një faj i madh’, thotë Merdani i dënuar me 16 vite burg, tashmë në ambasadën shqiptare në Romë”, shkruan revista “Visto”.

merdani5

Kantautori ndjek me vëmendje çdo edicion të Sanremos dhe emocionohet për çdo sukses të shqiptarëve në atë skenë, që nga Elsa Lila, tek Ermal Meta e Alketa Vejsiu, që me monologun e saj përfaqësoi të gjithë atë brez të djegur shqiptarësh, që në ditët e izolimit të thellë, gjenin ngushëllim në tingujt e valëve të radiove italiane që vinin nga përtej detit. “Një shpresë e humbur, por e rigjetur vetëm falë Zotit”

Z. Merdani, kur u caktuat të shërbenit në ambasadën tonë në Romë?

Ishte nëntor 1992 dhe kisha disa muaj, që ndodhesha në Romë, në ambasadë, Sekretar i Parë, përgjegjës edhe për kulturën. Ishte një mirënjohje nga drejtues të shtetit. Kur më thirrën në Ministrinë e Jashtme, dikush pasi më tregoi në mënyrë simbolike një hartë bote, më pyeti: Sherif në cilën ambasadë do që të shkosh? Në Itali i them. Isha edukuar me artin, muzikën kulturën e saj, edhe nga fakti se një xhaxha i imi, kishte studiuar në Francë dhe në shtëpi kishim mbi 300 disqe gramafoni të B. Xhilit, C. Buth, Caruzos. Italia ishte ëndrra ime dhe nuk gabova që e zgjodha.

Ishte atëherë kur ju erdhi ftesa për të ndjekur festivalin?

Ishte një ftesë me emrin tim, që erdhi në ambasadë. E kishte dërguar Bashkia e San Remos dhe më ftonte të ndiqja festivalin. Ka qenë fundi i shkurtit të 92-shit. Mendoni, ende kisha ndjesinë e burgut, sapo pata dalë nga telat, rrethimi dhe në San Remo, diçka e pabesueshme. Me tren jam nisur nga Roma. Kur mbërrita në San Remo, më priti një person, i cili pyeti pse isha pa gruan. Një gabim për mungesë eksperience.

Ju ishit i pari shqiptar në San Remo?

Jo, pasi edhe komunistët dërgonin specialistë në atë festival, me motivin për marrë eksperiencë si organizohej. Ka qenë Liri Çeli, në sektorin muzikës në Radio, muzikante. Kur kthehej, mua, Zoraqit, Dedës, Vaçes, punonjësve të Radio Tiranës, na tregonte çfarë kishte parë. Edhe disa muaj para festivalit të 11-të, në bisedat që bënim, na fliste për vështirësitë, përgatitjet, sipas saj të njëjta probleme që kishim edhe ne. Bënin prova edhe disa orë para, kur këngëtari, orkestra nuk ishin të sigurt. “Një festival i bukur, organizim i shkëlqyer, kam përfituar na thoshte”, ajo.merdani1

Si ishte eksperienca juaj në qytetin e festivalit?

Më kishin rezervuar një hotel dhe pranë dhomës sime ishte një grup baleti nga Amerika që do performonte në Festival. Më pajisën me një fletëhyrjeje, dhe atë mbrëmje, ndoqa provat. Kujtoj, këndoi Pauzini. Ftesa ishte për në lozhë, ku qëndronte trupi diplomatik. Bileta kushtonte, deri 7 milionë lireta për tri netët e festivalit. Prezantimi i ishte besuar Pipo Baudos, me Lorela Kukarinin dhe Alba Parietin, e cila këndoi një këngë gjatë provave.

Si u takuat me Baudon?

Në mëngjesin e ditë së dytë, një gazetar i kishte folur Baudos për mua. U takuam në zyrën e tij, në hollin e Ariston e duke qenë se e flisja italishten, ideja ishte për një bashkëbisedim me të direkt në skenë, jo për të kënduar. Thjesht për të treguar se San Remo kishte viktimat e saj në një vend si Shqipëria, ku nëse admiroje, këndoje këngët, kishe pasoja edhe me burg, siç ishte rasti im.

Si reagoi prezantuesi legjendar, kur dëgjoi historinë tuaj?

Historia ime e tronditi Baudon. E dëgjoi me vëmendje, hezitoi, u mendua dhe “Jo”, ishte përgjigjja e tij. “Nuk mund ta bëjmë, tha, se tregimi i zotërisë do të trishtojë sallën, telespektatorët dhe mua do më duhen minuta, për të risjellë atmosferën entuziaste, të gëzuar që karakterizon netët në San Remo”. Një përgjigje normale, logjike e arsyetueshme e tij.

Sherif Merdani, përpara ndërtesës ku mbahej festivali
Sherif Merdani, përpara ndërtesës ku mbahej festivali

Atë edicion fitoi “Il Mistero”, një këngë me një titull të ngjashëm me jetën tuaj, apo jo?

Në atë festival, kënduan Milva, Martini, Berte, Galiardi, Mingardi, Di Kapri, R. Zero etj. Triumfoi i Ruxheri me “Il Mistero”. Ndërsa në kategorinë e të rinjve fitoi Laura Pauzini me “La Solitudine”. E veçantë ishte edhe kënga e treshes Dik Dik, Kamaleonti, Vandeli, “Come passa il tempo”, që bashkë me “Il Mistero”, për nga përmbajtja, teksti si një pasqyrë m’u shfaq jeta ime.

Si e kujton kohën kur në Shqipëri ndiqej San Remo?

Bëhet fjalë për të famshmet vitet ‘70, të bum-it të madh ekonomik, ndryshimet në jetën sociale, në modë, kulturë, tendencat për një amerikanizim të jetës europiane. Në veçanti ato San Remo, ku krahas Çelentanos, Dorelit, Gaber, C. Villa, L. Dalës, Fratelos, Cazelit, Don Bakit, Mal, Endrigos, Lealit, B. Solos, L. Tonit, Batistit, Zanikit, Minës, Dalida, Bongustos, Tenkos, Vanonit e Modunjos, merrnin pjesë edhe këngëtarë të huaj, francezë, amerikanë, nga D.Warwick, Piket, Antuan, Klark, R. Karlos, L. Armstrong, S. Wonder, Feliciano etj., që na i sillnin afër ritmin e xhazit, bluzit, rock & rollit, të “Let’s twist again”. Kujtoj orkestrat, prezantuesit, “Cuore matto”-n, që e këndonim me aq pasion dhe dëshirën që atë atmosferë ta përcillnim edhe në vendin tonë.

Sherif, ju keni disa revista të njohura italiane, “Visto”, “Chi”, “Stop”, të cilat “Panorama” dëshiron t’ua tregojë lexuesve. Cilat janë komentet për ju, si e kanë rrëfyer historinë tuaj?

Ishte një gazetare, Analisa Koviella, të cilën historia ime e kishte befasuar. Më pas, ajo u bë promotore në takimet, intervistat, ftesat që më erdhën nga radio, kanalet televizive të “Rai”-t, “Mediaset”-it, takimet me artistë, publicistë, këngëtarë të njohur, drejtues emisionesh. “Një mësues në profesion, i diplomuar, por edhe një këngëtar shumë i njohur, fitues i festivalit shqiptar të muzikës në radio. Por i arrestuar dhe i dënuar një herë dhjetë, pastaj dhjetë vite të tjera në burg”, shkruhej në të. Habiteshin edhe me italishten time, kur i tregoja se e kisha mësuar në burg nga priftërinjtë.

Sherif Merdani dhe këngëtari italian, Gianni Morandi
Sherif Merdani
dhe këngëtari italian,
Gianni Morandi

Revista rendit edhe emra këngëtarësh, sipas së cilës janë të preferuarit tuaj…

Sigurisht, ata kanë qenë këngëtarët e mi të preferuar. Në repertorin, në koncertet e mia, imitoja stilin e tyre. Këndoja këngët e Morandit, Albanos, “In ginochio di te”, “Occhi di ragazza”, “La siepe”, “Nel sole”, por idhulli im ishte Mina me “Grande, Grande, Grande”.

Duke iu referuar “Visto”-s, në të përmendet shprehja juaj: “Il pasato e morto”, sa e vërtetë është kjo?

Bashkë me akuzën për propagandë antikomuniste, ishte edhe ajo si mbështetës i ideologjisë borgjeze. E kjo vetëm se pëlqeja, këndoja këngët italiane ato angleze. Kur punoja në minierë mbi 14 orë, nën zë lëshoja ndonjë refren të tyre. Nëse më dëgjonin, fillonte kalvari. As kampet e asgjësimit masiv të Hitlerit nuk ishin aq torturuese. Pas 90-s, e kaluara, vuajtja ime ishte diçka e vdekur, pa kthim.

Ndodhte të dëgjonit muzikë në burg?

Më kujtohet, në burg, në Burrel, orët e vona të natës, kur nga altoparlanti jashtë tij, dëgjonim Radio Kuksin, kryesisht muzikë me çifteli. Papritur, duket kanë ndërhyrë valë të tjera, dhe një folëse çekisht e dëgjua, pastaj një këngë italiane, “Nel sole” e Albanos. Vetëm pak çaste dhe sërish valët, risollën stacionin shqiptar. Një befasi për të gjithë, në një moment kur ishim totalisht të izoluar nga pjesa tjetër e një bote qytetare.

A ishte Sanremo një ëndërr e realizuar?

Pas viteve të burgut, sigurisht m’u rikthyen shpresat, me mundësinë për të realizuar ëndrrat e harruara, të kanceluara. Dhe njëra, u realizua. Më dukej e pabesueshme, kur isha në sallë, e ndiqja Festivalin e San Remos, një pasion i hershëm i imi. Ato kanë qenë netët më të bukura artistike të jetës sime.

Vajtja juaj në Sanremo dhe intervistat në median vendas, ju bënë deri diku të njohur në vendin fqinj, apo jo?

3-4 muaj pas vajtjes në Romë, duke bërë dezhurn në ambasadë, një praktikë e vjetër, bie telefoni, një zë gruaje. “Flas nga ‘Rai’ më thotë, duam të bisedojmë me Sherif Merdanin”. “Unë jam”, i përgjigjem. “Ok, duam t’ju ftojmë në një emision të ‘Rai’-it”, thotë. Kam qenë në “Una mattina”, pastaj në “Maurizio & Coshow”.

Patët mundësi të takonit artistë të njohur, idhuj të rinisë suaj?

Teatro “Sistina” është afër Fontana di Trevit, në Romë, ku Morandi përgatitej për një koncert madhështor. Të ngacmuar nga intervistat e mia, të publikuar në revistat e kohës, gazetarja e “Visto”-s më sjell një ftesë, me idenë të më njihnin me të. Pak orë para se të fillonte shfaqja, u takuam dhe ai me tregoi se i nxitur nga familja, ishte rritur me ide komuniste, por i kishte braktisur më vonë. Bisedën tonë e regjistronin kameramanët e fotografët na fotografonin. Për Morandin ajo ishte një natë speciale, pasi ishte përgatitur bashkimi i tij me gruan e ndarë, por ai nuk pranoi. Një situatë e ngjashme me të sotmen, Albano e Romina. Kur duhej gati një orë që të fillonte koncerti, u ngjitëm në skenë. Salla ishte bosh, vetëm pak njerëz të zgjedhur. Paraprakisht, e pyes nëse mund të këndonim bashkë diçka nga repertori i tij, pasi ia njihja mirë këngët deri edhe tonalitetet. Ishte dakord dhe para se të fillonim “In ginochio da te”, i them: “Xhani më mirë në Sol Maxhor”, ta nisim. “Jo”, më përgjigjet, “në Fa Maxhor, një ton më ulët”. Edhe te “Shende la pioggia”, i them në Re Minor, “no, no, che Re Minor, in Do minor, ti prego… nuk jam më i ri”. Kemi kënduar e jemi argëtuar, minuta që nuk kishin fund. Kujtoj se në sallë, në atë koncert 80% ishin gra të moshës rreth 40 vjeç. 5 orë zgjati, 2 orë më shumë nga çfarë ishte programuar, pasi i vinin kërkesat nga spektatorët dhe ai ia plotësonte dëshirën. Me të këndonte dhe salla. Një liri absolute.

Sherif, si e keni përjetuar pjesëmarrjen e Elsa Lilës në San Remo? Një shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos…

Kam qenë anëtar komisioni i festivalit tonë, ku ajo konkurroi, në vitin 1996 dhe fitoi më këngën “Pyes lotin”. Pra, e njihja. Vajzë e talentuar, vokal zanor mahnitës, një stil i veçantë në të kënduar. Në 2003-shin debutoi me këngën “Valeria”, si e para këngëtare shqiptare në festivalin më të famshëm të muzikës në Europë. U rikthye edhe më 2007, me “Il senso della vita”. Këngë prekëse si tekst e melodi.

Disa vite më parë në Tiranë erdhi Cocciante, patët mundësi ta takonit?

Një kolos i muzikës, njeriu i “Notre Dame”, një kryevepër e pavdekshme. Ishte një ftesë nga miku im, Visar Zhiti, në ato kohë ministër Kulture, bashkë me kompozitorin Gazmend Mullhai. Ai erdhi me Elhaida Danin pjesëmarrëse në “The voice 2013”, ku edhe shkëlqeu. Të triumfosh në Italinë e artit e të kulturës, është më shumë se një mrekulli, kështu e konsideroj. Në duet me Coccianten ka qenë e jashtëzakonshme.

Por besoj se kulmi i krenarisë shqiptare ka qenë Ermal Meta, apo jo?

Ermal Metën do ta vlerësoja një kantautor të përmasave të mëdha artistike, fituesi i San Remos në 2018, por jo vetëm, tashmë i preferuar nga shumë këngëtarë të njohur italianë të muzikës, me kompozimet e tij. E ndjek me shumë kënaqësi, më emocionon. Një tjetër vlerë artistike shqiptare e pamohueshme, apo jo? Pa harruar, madje me një respekt e konsideratë të madhe profesionale, qytetare, artistike, për Kledi Kadiun, apo balerinën tek “Amici”, Klaudia Pepa.

A e ndoqët edicionin e këtij viti, ç’mendoni për prezantimin e Alketa Vejsiut?

Sa e sigurt dhe krenare u shfaq në atë atmosferë që ekziston vetëm në Ariston, të cilën e njoh mirë. Ajo skenë i ka tronditur, dridhur këmbët e kanë dështuar mjaft prej atyre që janë ngjitur në të. Deri edhe Mina, në edicionin e vitit 1961, e konsideruar favorite, në ditën e dytë, ishin emocionet e mëdha që i ndalën edhe zërin. Ajo shpërtheu në lot, u largua nga skena pa e përfunduar këngën dhe nga ai moment nuk u kthye kurrë më në Sanremo.

Si ju duk monologu i saj?

Shumë prekës! Ajo shprehu, tregoi ato që Sherif Merdani, brezi im nuk pati rastin t’i rrëfente. Jam emocionuar, ndier krenar, e jam përlotur, ishte një ndjesi e madhe që më dha. Foli për miqësinë, lidhjen tonë me muzikën artin, kulturën, letërsinë italiane, ato që edhe na formuan. Një përfaqësim më shumë se dinjitoz, një “uragan”, e tillë ka qenë Alketa atë mbrëmje, një gjetje ideale e medias italiane. Aq sa edhe Bruno Vespa e ftoi në “Porta a Porta”, emision i njohur i ‘Rai’-t për rëndësinë që ka. Më pas, interpretimi me Bobi Solon, “Una lacrima sul viso”, ishte vërtetë emocionues. Nata e “cover”, duetet nostalgjike të këngëve sentimentale, që kanë bërë historinë, ishte një vlerësim për Alketën. Në krah me Bobi Solon, kolosin e San Remos, Elvis Preslin italian, dhe “live” nuk është e lehtë, një mrekulli, nuk e prisja. Ajo këngë ka një histori të rrallë, pasi në natën finale të edicionit 1964, Bobi Solo, i sëmurë nga laringjiti, këndoi në “playback”, që aplikohej për herë të parë në Sanremo. Por rregullorja e festivalit nuk e lejonte dhe ai u skualifikua, por, “Una lacrima”, mbeti unikale për nga popullariteti. Edhe sot e tillë është.

Për një vend si Shqipëria, një adhuruese historike e Sanremos, kjo pjesëmarrje e shqiptarëve dhe suksesi i tyre, është me të vërtetë emocionuese apo jo?

Nga Elsa, Kadiu, Pepa, Ermali, Elhaida, tek Alkteta, të rinj të talentuar, kurajozë, inteligjentë, të aftë të konkurrojnë kudo, me dinjitet, e të triumfojnë. Të paktën në një natë, në një event magjia tyre na ka bashkuar të gjithëve. Jam kundër inateve, mllefeve, urrejtjes. Ja pse e dua edhe më shumë Alketa Vejsiun, që u ngjit në një skenë aq prestigjioze, ku tregoi e përcolli vlerat tona kombëtare. I kam ndier në trupin tim, në sytë e mi, ato çfarë ajo tha dhe që emocionoi të gjithë intelektualët shqiptarë, brezin e atyre viteve, i përloti ata.

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.