INTERVISTA/ “Kemi 30 vjet pa dramaturgë”, Ndriçim Xhepa: Pse Tirana nuk mori asnjë çmim në Festivalin e Teatrit

Oct 2, 2018 | 21:24
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Brenda një muaji i është dashur të shohë 24 shfaqje, të japë vlerësime, të ndeshet me fytyra të nxira, vetulla të ngrysura, qejfmbetje, romuze… Të pakënaqur do të ketë gjithmonë, sidomos kur bëhet fjalë për festivale, ku të gjithë hyjnë për të fituar. Dy ditë më parë, u mbyll Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, i cili rikthehej pas 20 vitesh mungese. Kryetar jurie, apo “President” si e quajtën organizatorët, ishte aktori Ndriçim Xhepa. Pas mbylljes së festivalit, Xhepa mund të na bëjë një bilanc, jo thjesht të festivalit, por të gjithë produktit që gëlon në teatrot tona. Përse shfaqjet e teatrove të rretheve, me përjashtime të vogla, “kërcisnin” përkundër atyre të metropoleve; përse shfaqja me të cilën u paraqit Teatri Kombëtar i Shqipërisë nuk mori asnjë çmim; ku ishin të metat dhe çfarë duhet ndrequr në edicionet e ardhshme nëse festivali do të vijojë? Këto dhe të tjera “çudira”, pretendime e akuza ndaj jurisë, Ndriçim Xhepa, jo pa një tis të hollë humori e ironie, i rrëfen në një intervistë për gazetën “Panorama”.

42929618_10155524910597121_981292296471314432_n

Pas 20 vitesh u rikthye Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, si do ta vlerësonit këtë aktivitet dhe produktin që garoi në të?

Festivali duhej të ishte bërë shumë më parë, por si i harrojmë, neglizhojmë dhe zhvlerësojmë gjërat ne shqiptarët, shpresojmë që të mos e zhvlerësojmë sërish. Mendoj që e mira është që festivali të organizohet çdo dy vjet, për arsyen e thjeshtë, që teatrot tona, që marrin pjesë në këtë festival, që kanë mundësira më të kufizuara se ato të kryeqendrave (Tiranë, Prishtinë, Shkup), në harkun e 2 vjetëve, të mund të venë 5 apo 6 produksione, ku me një pikësynim të orientuar për festival, mund të evidentojnë një produksion që mund t’i përfaqësojë më së miri. Kështu i krijojnë mundësi vetes të thërrasin një regjisor, të huazojnë një aktor, për të rritur nivelin e shfaqjeve të tyre. Me këtë kam parasysh teatrot e rretheve në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Duke krijuar këtë mundësi, të gjitha këto çojnë në rritjen e cilësisë së shfaqjeve që vijnë. Duke u rritur cilësia e shfaqjeve, rritet automatikisht cilësia në total e festivalit. Dhe nuk ka përse të jetë një e drejtë ekskluzive e Tiranës. Për mua do të qe më e këndshme që pas dy vjetësh, festivali të mblidhej në Prishtinë, pse jo pas 2 vitesh të tjerë, të mblidhet në Shkup. Drejtori Adem Karaga e aprovoi këtë mendim timin me shumë kënaqësi. Kjo do të sillte lëvizje të produktit teatror, i cili lëviz dhe ndiqet në të tria trevat.

Me më shumë çmime dolën trupat që kishin përzgjedhur një dramë të huaj, lidhet kjo me krizën e dramës shqipe?

Që në fillim të festivalit, unë e shpreha mendimin tim, i cili m’u forcua edhe më tepër pasi e ndoqa atë, që nuk ka përse në të njëjtin festival të garojnë pjesë të dramaturgëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Jo se dua t’i ul vlerën dramaturgëve tanë, por, për hir të së vërtetës, ka shumë vite, ndoshta 30 vjet, që nuk i është dhënë rëndësi promovimit dhe nxitjes së dramaturgëve të rinj, që do të zëvendësonin atë brez që ka pasur Shqipëria para viteve ’90 dhe që do të mbushnin me brumë teatrot tona. Kjo është arsyeja, që edhe cilësia, për të qenë me këmbë në tokë, nuk është e njëjtë. Pavarësisht se germa e parë e një emri të një autori shqiptar mund të jetë e njëjtë me germën e parë të një autori të huaj, kjo nuk do të thotë se niveli i veprave është i njëjtë. Kështu, duke ia lënë vendin ballafaqimit dhe konkurrencës shumë të arsyeshme brenda dramaturgjisë shqiptare, kësaj të fundit mund t’i kushtohej edicioni i tretë në radhë të festivalit. Dhe periodikisht të ruante këtë koherencë. Që do të thotë, që një herë në katër vjet të zhvillohej gara e dramaturgjisë shqiptare. Është një kohë e mjaftueshme për të shkruar, për t’u provuar në teatro, për t’u bërë “saldimi” regjisor-aktor, sepse duke qenë e paracaktuar si një edicion i dramaturgjisë shqiptare, edhe regjisorët do të vihen në kërkim të një vepre sa më të mirë shqiptare. Kjo do të rrisë gradualisht dramaturgjinë tonë, e cila nuk duhet lënë pas dore. Po ashtu, duhen respektuar veprat e kolosëve të traditës, të cilat në duart e regjisorëve mund të vijnë shumë bukur në skenë.

42850092_10155524910272121_1087988870470959104_n

Siç u pa nga kandidaturat, e më pas nga çmimet, teatrot e rretheve nuk ishin fare në listë, si e shpjegoni?

Kjo nuk lidhet me dashamirësinë e jurisë. Gjithçka është vendosur në mënyrë kolegjiale mes 5 anëtarëve të jurisë. Kjo lidhet me atë që thashë më parë, që teatrot e rretheve janë refleksion i pamundësive që kanë, i brumit aktorial që kanë këto trupa, në të afruarit më me vështirësi të kostumografëve dhe skenografëve, qoftë edhe për shkak të pagesave. Shumë gjëra shpeshherë zgjidhen në mënyrë partizanshme. Mënyra e ndërtimit të një projekti ka deficite dhe të gjitha reflektohen në cilësinë e produkteve që nxjerrin. Prandaj është edhe kjo rezultante. Por, në një festival, këto mangësi e probleme që ka Fieri, Gjirokastra, Vlora, Durrësi, etj., të cilat kishin vepra mesatare dhe nën mesatare, nuk mund t’i korrigjojë dot juria. Në momentin që rreshtohen 14 shfaqje, nëse një krijim i mirë është në Shkup, Shkodër apo Prishtinë, unë nuk mund të shkel mbi mundin dhe djersën e tyre. Ne nuk mund të nxirrnim me zor një çmim që të shkonte këtu apo atje. Çmimet do të shkonin atje ku rezultantja ishte më e lartë në dramaturgji, regji, kostumografi, skenografi, interpretim… Juria nuk mund të veprojë ndryshe.

Teatrit Kombëtar nuk i mungon asgjë, e megjithatë, në nivel kandidimi, ishte pothuajse njëlloj me të atyre teatrove që përmendëm më sipër, në një kohë që simotrat e Shkupit e Prishtinës ishin të nominuara thuajse në të gjitha kategoritë… 

Meqë Teatri Kombëtar është institucioni ku unë punoj, ky rezultat tregon që juria, bashkë me mua, nuk ka pasur tendencë të mbajë krahun e ndokujt. Pavarësisht se ndonjë “kuadër” i çuditshëm, (se s’ka se si të mos ketë shpërthime të karakterit, sa të lig, aq edhe të shkarjes së ledhit), vate dhe na denoncoi në Ministri, se Ndriçim Xhepa nuk duhet të jetë në juri, se ka përplasje interesi, festivali mbaroi dhe ndershmëria, korrektësia dhe saktësia e Ndriçim Xhepës nuk lëvizi nga fillimi deri në fund të aktivitetit. Unë gjykoj saktë dhe ndershëm, sigurisht mbështetur në shijet e mia profesionale, dhe të vjen për të qeshur, se nuk ka arsye për të qarë, se si ka akoma krijesa të tilla, që hedhin insinuata kaq të neveritshme, duke të ngatërruar me veten. Komuniteti rrotull artit e ka të qartë se me çfarë speciesh kemi të bëjmë, por të tillë individë qesharakë marrin përgjigje nga vetë rezultati, ku të pestë, me në krye Ndriçim Xhepën, e vlerësuan në atë mënyrë spektaklin e Tiranës. Ishte një vepër kombëtare dhe nuk ishte e vetme, bashkë me veprën e Shkodrës, Gjirokastrës, Prizrenit, por vlerat deri këtu shkonin dhe unë nuk mund t’ia rris pikët, që nuk i ka. Nëse ajo shfaqje, për mendimin tim, është e nivelit mesatar dhe Tirana ime e ka zgjedhur, qoftë edhe për arsyen që shprehu drejtori Çuli, që festivali të niste me një vepër kombëtare, vlerat e saj shkojnë deri këtu dhe ne nuk mund të nxjerrim çmime të pajustifikueshme. Çmimet do të shkojnë atje ku është pika më e lartë.

Ata që e ndjekin jetën teatrore, të paktën në kryeqytet, e ndjenë mungesën e nja dy shfaqjeve të mira, por që janë produksione private, përse duhen përjashtuar ato nga festivali?

Festivali duhet të ketë selektorë dhe nëse ka një të tillë, të paanë, të ndershëm, ai do të mund të shohë edhe produktet private të skenës së pavarur. Dhe mund të ketë disa produksione private me dinjitet, me vlerë që mund të jenë brenda Festivalit Mbarëkombëtar, duke rritur nivelin e aktivitetit. Nuk ka rëndësi se ku bëhet shfaqja, e rëndësishme është të jetë cilësore. Nuk ka përse festivali të identifikohet me trupat shtetërore, por mund të ketë edhe shfaqje të tjera të merituara, që nuk financohen nga shteti. Realiteti ka treguar që herë pas here dalin produkte teatrore të veçanta, që superojnë shumë premiera të sistemit teatror shtetëror.

Duhet të jetë e vështirë të drejtosh një juri, jo vetëm për shkak të marrjes së vendimit përfundimtar, por edhe reagimeve që vijnë nga të pakënaqurit. Ka pasur të tilla?

Nuk ka kaluar shumë nga mbyllja e festivalit dhe preferova që pas tij të mos merrja pjesë në darkën e organizuar, për shkak të lodhjes. Ishin 14 shfaqje, nga dy çdo ditë, përpos që vija nga një tjetër festival në Korçë, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit dhe kushdo mund ta kuptojë, që të shohësh 24 shfaqje në një muaj dhe të jesh edhe i vëmendshëm dhe i kujdesshëm që të vlerësosh saktë, nuk është e thjeshtë. Unë mendoj që kemi gjykuar ndershëm. Mund të ketë rezerva të vogla dhe kjo është e kuptueshme. Për shembull, për çmimin për “Rolin joprotagonist mashkull”, pa frikë ne kemi rreshtuar 6 apo 7 aktorë nga trupa si Shkodra, Prishtina, Shkupi, Prizreni, pse jo edhe në Tiranë… Të gjithë ishin pretendentë për çmim. Dhe vështirësia qëndron pikërisht këtu, te gjetja dhe gjykimi i vibrimeve emocionale dhe shpërthimeve, që të mund të vendosje vetëm për një. Kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk kanë të drejtë të pretendojnë. E njëjta gjë edhe me rolin kryesor mashkull, që nga njëra anë kishim Reshat Arbanën me atë rol jete, që përkonte me moshën, problemet që sjell ajo, brenda turbullirës mendore të këtij babai, të këtij gjyshi në raport me njerëzit e tjerë, me vajzën e tij dhe një fund emocional, që ngrenë personazhin në një nivel të caktuar; nga ana tjetër kemi interpretimin me nivel të Refet Abazit në rolin e Dantonit, i cili kishte rreth 12 vjet që nuk dilte në skenë, pasi i është kushtuar më së shumti pedagogjisë dhe krijimtarisë së dramaturgjisë dhe me të drejtë të ligjshme ishte pretendent për çmimin. Unë kam bindjen që Refeti, miku dhe kolegu im, ka mbetur i pakënaqur dhe këtë e kemi bindje të 5 anëtarët e jurisë, por tek e fundit, vetëm njëri do ta merrte çmimin.

42919019_10155524911507121_8034827248861184_n

Duke qenë se keni parë një shumësi të prodhimit teatror shqiptar të kohëve të fundit, mund të na thoni se në ç’nivele është teatri shqiptar, a ka lëvizur diçka në lëmë të regjisurës, apo vazhdojmë me metodat e para viteve ‘90?

E kam shprehur edhe më herët dhe jam i bindur që gjithçka rrjedh nga regjia. Kam përshtypjen që ne vijojmë ende me atë letargjinë e gjatë, të cilën e vënë re edhe shumë të tjerë, jo vetëm unë. Duhet parë me shumë seriozitet specializimi i regjisorëve të rinj. Pa regjisorë nuk ka teatër dhe ky është një postulat i padiskutueshëm. Po t’i hyjmë brumit të këtij festivali, shfaqjet më të mira, më me interes janë ato me regjisurat më të mira, me më fantazi, si ato që erdhën nga Shkodra, Prishtina, Prizreni, Shkupi apo Eksperimentali, madje unë do të përmendja në mënyrë të veçantë edhe shfaqjen e Metropolit, e cila më la një shije të mirë. Një shfaqje e kulturuar me një patos shpirtëror të këndshëm. Regjisore si Armela Demaj, Driada Dervishi, Andia Xhunga, por edhe kolegë të tjerë të tyre, duhen vlerësuar, duke i shkolluar e specializuar jashtë vendit. Nuk bëhet ndryshe. Nuk ka mundësi të thithësh vlera në ndonjë formë tjetër. Kjo do ta japë rezultatin e vet në nivelin e shfaqjeve, detyrimisht të festivaleve, por do të sjellë edhe më shumë dëshirë për të ndjekur teatrin. Një Turbinë tjetër edhe mund të bëhet nesër-pasnesër, dikur do të bëhet edhe Teatri Kombëtar, me insistim do të bëhet edhe një sallë tjetër në Bulevardin e ri. Këto investime do të vijnë gradualisht, me imponim karshi institucioneve përkatëse, por për mua, investim i domosdoshëm në rritjen e cilësisë është regjisura

Meqë përmendët Turbinën, si ju duket, i përmbush kushtet për teatër?

Pata mundësi ta shihja pak ditë para hapjes së festivalit. Gjithnjë kam qenë pozitiv për hapjen e asaj qendre, madje edhe kurioz se si në një kapanon të tillë mund të kompozohej një teatër. Pata mundësi ta shihja me inxhinier Shpëtimin, një profesionist me shumë vlera dhe mik i imi i fëmijërisë, i cili më shpjegoi cep më cep gjithë anën funksionuese. Pashë dy sallat me 400 dhe 150 vende, ambientet e aktorëve, për grimin, administratën dhe shërbimet, me një sistem kondicionimi që krijon mundësinë të japësh shfaqje në çdo stinë të vitit dhe them se është një investim që duhet vlerësuar. Kam rezerva për akustikën, por që siç më shpjegoi edhe inxhinieri, mund të përmirësohet përmes veshjeve anësore. Por në përgjithësi, xhepat e skenës, fondali, thellësia janë realizuar me kuota profesionale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura