INTERVISTA/ “Inceneratorët, afera e shekullit”- Zef Preçi: Të ndërpritet financimi nga buxheti i shtetit! Janë të implikuara autoritetet më të larta qeveritare

Nov 21, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE
Zef Preçi
Zef Preçi

VALENTINA MADANI/ Zef Preçi, ekspert i njohur i ekonomisë, është dyshues për një hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve kryesorë të aferës së inceneratorëve. Preçi thotë për gazetën “Panorama” se ndëshkimet e përgjegjësive penale dhe administrative të individëve përgjegjës do të ngelen në kuadrin e “shpërdorimit të detyrës”.

Zef Preçi nuk gjen justifikim në vazhdimin e financimit kur në të njëjtën kohë është faktuar dhe është bërë publike grabitja e fondeve publike nga të njëjtët individë/kompani. Sipas tij, duhej të ndërpritej financimi, dhe të bëhej rinegocim i kontratës deri në vendimmarrje. Zef Preci denoncon se në aferën e “shekullit” janë të përfshirë shumë kompani dhe individë, të cilët më e pakta do të ishte detyrimi i tyre për të derdhur në arkën e shtetit te fondeve te grabitura. Ai shprehet se tundja nga qeveritarët e kontratave të koncesionit gjoja me rrezikun e ndëshkimit financiar nga arbitrazhi ndërkombëtar është një provë tjetër e dyshimit të bazuar për implikimet serioze të autoriteteve më të larta qeveritare.

Z. Preçi, afera e inceneratorëve aktualisht po hetohet nga SPAK, pronarët janë në kërkim, ndërkohë që qeveria dha 8.2 milion euro për inceneratorin e Tiranës. Sa po u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë pagesat për inceneratorët?

Pavarësisht faktit se hetimet janë në proces e sipër, shihet qartë se për trupën e prokurorëve të SPAK-ut të angazhuar në hetimin e paligjshmërive të këtij skandali të dyshuar gjerësisht në publik si “afera e shekullit” ekzistojnë një numër barrierash jo të vogla. I tillë mund të konsiderohet presioni politik i mazhorancës për të diktuar axhendën e punës së këtij institucioni duke e nxitur për hetimin e eksponentëve të ish-qeverisë Berisha, por edhe mbrojtja politike e një numri zyrtarësh të lartë të dyshuar për përfshirje drejtpërdrejtë në këtë aferë.

Më konkretisht, në mënyrë simbolike (siç edhe ka ndodhur në të shkuarën e afërt), mjafton dalja publike e Kryeministrit Edi Rama me figura publike tashmë të konsumuara në sytë e publikut, apo më keq akoma ofrimi i posteve të larta me qëllim sigurimin e një mbrojtjeje institucionale për individë të tillë, që prokurorët të ndjejnë njëlloj stepjeje gjatë përmbushjes se veprimtarisë së tyre në zbatim të ligjit.

E duke marrë parasysh procesin e vetingu që nxori këtë trupë prokurorësh dhe gjykatësish si dhe dyshimet nën influencim politik dhe standarde të dyfishta në këtë proces, nuk përjashtohet edhe procedimi “në mirëkuptim me mazhorancën”, d.m.th., zbritja në nivelin e “dorëzimit të kontrolluar” të disa figurave periferike të mazhorancës apo të ndonjë figure që nuk e cenon elektoralisht atë. Nuk po flas për presionin, joshjet, kërcënimet publike, etj., të grupeve kriminale që qëndrojnë mbas milionave të përfituara në rrugë të paligjshme dhe kjo aferë mbi prokurorët, gjykatësit, si dhe familjarët e tyre.

Për vështirësitë e punonjësve të SPAK-ut është shprehur publikisht më shumë se një herë edhe vetë kreu aktual i këtij institucioni. Po kështu, fakti që publikut i janë servirur disa fakte, në të vërtetë publikisht të njohura gjerësisht nga hetimi parlamentar i znj. Tabaku apo denoncimet e herë pas hershme të ish-LSI (sot Partia e Lirisë), mbajnë gjallë shqetësimin publik se hetimet dhe ndëshkimet e përgjegjësive penale dhe administrative të individëve përgjegjës do të ngelen në kuadrin e “shpërdorimit të detyrës”, edhe pse sfida e vërtetë e këtij procesi, sipas mendimit tim, është zbardhja procedurale dhe ndëshkimi i vendim-marrjes klienteliste, abuzive, në kushtet e konfliktit të interesave, d.m.th., cenimi i dukshëm i interesave publike nga disa nga zyrtarët më të lartë politikë dhe administrative të vendit.

Cilat janë pikëpyetjet në këtë aferë korruptive?

Për t´ju përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjes tuaj, tashmë janë disa pikëpyetje, të cilat i kanë shtruar edhe publikisht njohës seriozë të çështjeve penale, ndër të cilat të bie në sy fakti që një çështje e ngjashme për nga paligjshmëritë e konstatuara apo në hetim, më të njëjtët protagonistë si nga ana qeveritare, ashtu edhe të përfituesve, e shtrirë në tre bashkitë e përfshira, po hetohen të veçuara. Në këtë kontekst, mendoj se duhet përshëndetur SPAK-u për përpjekjet për të evidencuar pagesat e autoriteteve kontraktore për punime të pakryera, por është tërësisht e pakuptueshme se përse kjo situatë paligjshmërie (pagesë e plotë për shërbime të kryera pjesërisht) po tolerohet në rastin e inceneratorit të Tiranës.

Nuk po flas për fakte të tjera komprometuese të të gjithë skemës si largim nga master-plani që vetë kjo qeveri ka miratuar me rolin dhe peshën e djegies së mbetjeve urbane në trajtimin e tyre. Me përzgjedhjen e një kompanie, duke shmangur krejtësisht një proces konkurrues apo me faktin tronditës dhe të pakundërshtueshëm se edhe aq sa çfarë është ndërtuar në këto objekte është bërë e gjitha me fondet buxhetore se operatori i përzgjedhur politikisht nuk kishte as përvojën dhe aq më pak kapitalet e nevojshme për të përmbushur këtë shërbim publik. E në kuptimin e analizës së mësipërme, nuk gjej justifikim në vazhdimin e financimit kur në të njëjtën kohë është faktuar dhe është bërë publike grabitja e fondeve publike nga të njëjtët individë/kompani.

Që do të thotë…?

Domethënë, më e pakta që mund dhe duhej të bëhej nga autoriteti kontraktor është ndërprerja e financimit, rinegocimi i kontratës deri edhe vendimmarrje plotësisht e justifikuar në mbrojtje të interesit publik për të konsideruar si pagesë e kryer për periudhat e ardhshme (në rastin e inceneratorit të munguar të Tiranës) diferencën e pagesës për njësi të kryer për incenerimin (djegien) e këtyre mbetjeve.

Megjithatë, dy prej inceneratorëve janë nën administrimin e Gjykatës, por cili do të jetë ndikimi i politikës për një “dalje të butë” nga kjo aferë?

Është rasti të kujtojmë se pavarësisht faktit se dy prej inceneratorëve janë në administrimin e Gjykatës, në publik nuk janë bërë të njohura të dhënat e detajuara mbi inventarin e pajisjeve të instaluara në të tre inceneratorët në përputhje me projektin dhe te punimeve të kryera dhe të certifikuara nga institucionet përgjegjëse shtetërore. Kjo të shtyn të mendosh se shkalla e ndikimit të politikës për një “dalje të butë” nga kjo aferë, me sa më pak “dëm kolateral” është plotësisht e mundshme.

Kjo që do të rrezikonte në të vërtetë jo vetëm imazhin e SPAK-u si një agjenci e specializuar për luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta të politikës e të krimit të organizuar, por edhe shanset që të rikthehen në buxhetin e shtetit të fondeve të grabitura nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Në të njëjtën kohë, ky skenar që ka shumë gjasa që të ndodhë, nuk do të lejojë ndëshkimin e shkeljes së ligjit, por edhe do të gjenerojë burime kriminale që nuk mund të mos ndikojnë edhe në proceset elektorale në të ardhmen.

Si ka mundësi që kompanitë janë në hetim nga SPAK, por qeveria vazhdon t’i paguajë?

Transferimi në Bashkinë e Elbasanit i inceneratorit të asaj bashkie, apo marrja nën sekuestro preventive e incenerarorit të Fierit janë procedura ligjore normale, ndonëse boshatisja e llogarive bankare, largimi jashtë vendit apo fshehja nga ndalimi i pjesës më të madhe të protagonistëve të kësaj afere, vonesa për proceduar ndaj tyre, mungesa e një inventari publik të gjendjes së pajisjeve dhe investimeve të kryera të bën pesimist së vërtetë kjo aferë do të zbardhet duke rikthyer me këtë rast edhe besimin e publikut ndaj drejtësisë në reformim e sipër.

Po sa i përket financimit…?

Sa i takon financimit, kjo çështje duhet të zbardhet nga hetimet, por me aq sa është bërë publike, për shembull, në komisionin hetimor parlamentar, deputetja se PD-së Jorida Tabaku, etj., shihet që janë një numër shumë më i madh kompanish dhe individësh të përfshirë, nga të cilët, më e pakta do të ishte detyrimi i tyre për të derdhur në arkën e shtetit të fondeve të grabitura e për të cilat ka evidencë të mjaftueshme. Fakti që kjo nuk po ndodh, madje në shtyp janë denoncuar edhe kompani përfituese nga kjo aferë që vazhdojnë të marrin edhe kontrata publike shumë milionëshe në rindërtim apo në projektet e infrastrukturës të shtyn të mendosh se shkalla e implikimit të autoriteteve shtetërore/ qeveritare është shumë më e gjerë dhe më e thellë nga çfarë është publikuar deri më sot.

Ndërkaq, tundja nga qeveritarët e kontratave të koncesionit gjoja me rrezikun e ndëshkimit financiar nga arbitrazhi ndërkombëtar është një provë tjetër e dyshimit të bazuar për implikimet serioze të autoriteteve më të larta qeveritare, duke lënë mënjanë faktin se një kontratë publike e fituar në mënyrë korruptive është plotësisht e mundshme që të anulohet dhe kjo nuk krijon asnjë pasojë juridike apo financiare për vendin. Pra, personalisht mendoj se mungon vullneti për të rishikuar, amenduar dhe eventualisht edhe për të anuluar mbi bazën e shkaqeve plotësisht të përligjura këto kontrata të ndërmarra në dëm të interesave publike.

A janë të mjaftueshme arrestimet e deritanishme? Kush janë përgjegjësit kryesorë?

Ne duhet mësohemi që kur një çështje është në hetim e sipër, pra kur flet drejtësia, duhet të heshtim dhe të mos bëjmë gabimin e politikanëve që ushtrojnë presion mbi drejtësinë dhe procesin hetimor në kryerje e sipër. Aq më tepër që për të gjithë të arrestuarit duhet respektuar prezumimi i pafajësisë, derisa gjykata të vendosë në formën përfundimtare. Duhet ditur gjithashtu se mbajtja e secilit prej tyre në izolim i kushton taksa-paguesve të paktën 1 mijë Euro në muaj.

Thënë këto, nuk mund të mos vërej se ka një ecuri me hopa ne procesin e hetimit dhe eventualisht të ndalimit të personave përgjegjës, aq sa të duket se ky ritëm, më shume se sa nga dinamika hetimore, po diktohet nga reagimi me mosbesim i publikut, protestat e opozitës në Kuvend dhe nxitjet e ndërkombëtarëve. Këto të fundit mbeten të interesuar në suksesin e Reformës në Drejtësi, në rastin konkret për nxitjen e procesit dhe eventualisht rikthimin e besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë në vend.

A besoni se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund?

Gjithsesi, për sa kohë nuk po hetohet vendimmarrja përmes të cilës funksionoi skema e grabitjes “me ligj” e fondeve publike në këtë “aferë të shekullit”, d.m.th., po ndiqet rruga “klasike” e ballafaqimit të veprimeve të kryera me aktet përkatëse administrative të institucioneve shtetërore, personalisht nuk besoj se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund e aq më pak do të nxirren mësimet e duhura për të çliruar kapjen e shtetit nga korrupsioni politik dhe grupet e interesit dhe oligarkët si përfaqësuesit më në zë të këtyre të fundit. Në të njëjtën kohë, duhet vënë në dukje se konstatohen përpjekje të sforcuara për të evituar sqarimin e pozitës institucionale nga autoriteti kontraktor e Bashkia e Tiranës, mungesën e referimit të parashikimeve kontraktuale për rastin e braktisjes se punimeve (p.sh. në inceneratorin e Fierit), heshtjen totale për atë të Tiranës dhe pagesat në vijimësi, duke mbartur përgjegjësitë te pala jo-publike, siç është supervizori i punimeve, etj.

Kush janë përgjegjësit kryesorë që e shkaktuan aferën e inceneratorëve?

Nëse për krimin e organizuar dominon aksioma “Ndiq paratë!”, për korrupsionin politik (që dihet se ndërvepron me të parin) unë do të thosha: “Ndiq përgjegjësitë institucionale!”. Kjo do të thotë që nuk duhen ngritur akuza në erë, që nuk duhen përbaltur nëpunësit dhe politikanët e përkushtuar e të përgje-gjshëm, d.m.th., duhet të presim me durim SPAK-un të sqarojë rrethanat, njerëzit, të provojë përfitimet financiare, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura