Intervista/ Flet mjekja reumatologe: Sëmundjet reumatizmale, si mund të kuptohen përmes dhimbjes

May 31, 2019 | 19:48
SHPËRNDAJE

Rovena LiçoDhimbja është kambanë alarmi për shumë sëmundje reumatizmale, analizimi i tipologjisë së dhimbjes është një element kyç në vendosjen e saktë të diagnozës dhe shpesh e orienton dhe ndihmon mjekun në diagnozën diferenciale”.

Pohon kështu mjekja reumatologe Rovena Liço, dhe në një intervistë dhënë për gazetën na njeh me shenjat, të cilat shërbejnë si referuese për të përcaktuar më pas skemën e mjekimit. Sipas doktoreshës, një dhimbje, që shtohet nga aktiviteti fizik, përmirësohet nga pushimi që nuk shoqërohet me shenja të tjera sistemike e të orienton drejt sëmundjeve degjenerative osteoartikulare. “Përveç dhimbjes, ka shenja të tjera që nuk duhet të neglizhohen, si për shembull një apo disa kyçe të ënjtura, të dhimbshme, një temperaturë që nuk shpjegohet me shkaqe infektive, shenja në lëkurë, si pika, njolla, ndryshim të ngjyrës së gishtërinjve si në mavi apo zbehje të theksuar të tyre në kontakt me të ftohtin, shenja konstitucionale si lodhje e zgjatur, dobësi e theksuar trupore”, shton më tej Liço. Ekspozimi ndaj ndotësve të ndryshëm, ushqimet e konservuara apo me pesticide janë një risk i shtuar për shfaqjen e këtyre sëmundjeve, edhe te moshat e reja. Me rëndësi, sipas doktoreshës, është ndërgjegjësimi i popullatës së adresuar në kohë për çdo problem shëndetësor që iu shfaqet, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalin duke vendosur kontrollin mbi sëmundjen.

Doktoresha, së pari dua të ndalemi në përvojën tuaj. Cilat janë patologjitë që kryesisht ndeshni dhe në cilat grupmosha?

Spektri i sëmundjeve është shumë i gjerë. Sëmundjet reumatizmale kanë tipare e shenja të përbashkëta, ashtu si karakteristika të veçanta që i diferencojnë nga njëra- tjetra. Ndaj, edhe të vendosësh diagnozën e saktë, jo gjithmonë është e thjeshtë. Shpeshherë, ndodh që në fillimet e tyre sëmundje të ndryshme reumatizmale fillojnë me shenja të njëjta e duhet kohë deri sa sëmundja të shfaqet në formën e saj të mirëfilltë. Sigurisht, janë disa sëmundje që predominojnë e këtu mund të përmendim artritin reumatoid, që prek kryesisht grupmoshat midis 35- 50 vjeç dhe osteoartritin, që prek kryesisht moshën pas të 50- ave. E para, është sëmundje inflamatore kronike që karakterizohet nga prekja e kyçeve, kryesisht kyçeve të vogla të duarve, këmbëve, bërrylat, gjunjët, kërkon ndjekje dhe kontrolle të vazhdueshme. Nga ana tjetër, osteoartriti është një sëmundje e shpeshtë në moshat e treta, konsiderohet sëmundje e konsumimit të kyçeve. Me kalimin e viteve dhe në kohët kur jetëgjatësia është rritur mund të konsiderohet si problem madhor, sepse cenon së tepërmi lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetës për këto grupmosha.

Raumatizmat

Sëmundjet reumatizmale nuk po kursejnë as moshat e reja, pse ndodh kjo?

Sëmundjet reumatizmale nuk i përjashtojnë moshat e reja, madje sfidat më të mëdha në fushën e reumatologjisë janë pikërisht trajtimi i këtyre sëmundjeve si Lupusi Eritematoz Sistemik, Spondiloartropatitë seronegative, Vaskulitet e formave të ndryshme. Ditët e sotme është vënë re një rritje e sëmundjeve autoimune dhe kjo shpjegohet pjesërisht me kontributin që japin faktorët ambientalë. Në shumë prej tyre, lidhja e drejtpërdrejtë shkakpasojë nuk është plotësisht e vërtetueshme, por ama është parë një rritje e rasteve në personat e ekspozuar ndaj agjentëve të ndryshëm ambientalë, si p. sh. rrezet UV, pluhuri i silicit, pesticidet janë faktorë risku për Lupusin Eritematoz sistemik. Shumë sëmundje autoimune janë multifaktoriale, ku faktori gjenetik duhet të ndërthuret me faktorë të tjerë ambientalë që sëmundja të shfaqet. Ndërkohë që faktori gjenetik është e vështirë të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër, faktorët ambientalë kanë ndryshuar ndjeshëm në dekadat e fundit. Në ditët e sotme në jemi më shumë të ekspozuar ndaj ndotësve të ndryshëm kimikë, ndaj ushqimeve të procesuara e të konservuara e atyre të modifikuar.

A paraqiten në kohë, apo konsultimi me mjekun specialist është i vonuar?

Sigurisht, arsyeja e parë që i detyron pacientët të paraqiten e të kërkojnë ndihmë mjekësore është dhimbja. Dhimbja është kambanë alarmi për shumë sëmundje reumatizmale, analizimi i tipologjisë së dhimbjes është një element kyç në vendosjen e saktë të diagnozës dhe shpesh e orienton dhe ndihmon mjekun në diagnozën diferenciale. Një dhimbje që vazhdon prej një kohe të gjatë, që instalohet gradualisht, që është e pranishme edhe në qetësi apo natën, që shoqërohet edhe me shenja të tjera si lodhje të përgjithshme apo dobësi trupore, kërkon vëmendje të veçantë e duhet vlerësuar edhe mbajtur nën observim, sepse mund të jetë shenja fillestare e sëmundjeve kronike të indit lidhor, të cilat kërkojnë trajtim e ndjekje të vazhdueshme. Ndërkohë, një dhimbje që shtohet nga aktiviteti fizik përmirësohet nga pushimi, që nuk shoqërohet me shenja të tjera sistemime, të orienton drejt sëmundjeve degjenerative osteoartikulare. Përveç dhimbjes, ka shenja të tjera që nuk duhet të neglizhohen si për shembull një apo disa kyçe të ënjtura, të dhimbshme, një temperaturë që nuk shpjegohet me shkaqe infektive, shenja në lëkurë si pika, njolla, ndryshim të ngjyrës së gishtërinjve si në mavi apo zbehje të theksuar të tyre në kontakt me të ftohtin, shenja konstitucionale si lodhje e zgjatur, dobësi e theksuar trupore. Në praktikën tonë të përditshme kemi vënë re që moshat e reja janë mjaft vigjilentë e të kujdesshëm në lidhje me shëndetin e tyre e kjo është një gjë që duhet përkrahur e inkurajuar. Nga ana tjetër, gjithashtu vëmë re që pranimi i sëmundjes ndonjëherë është i vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për sëmundje kronike, të cilat duan kontrolle e ndjekje të vazhdueshme.

Raumatizmat1

Sëmundjet si artriti apo psoriasi kategorizohen si sëmundje autoimune. Pse ky përcaktim, diçka më tepër….

Sëmundjet autoimune janë sëmundje në të cilat sistemi ynë imunitar godet dhe dëmton një ose disa organe të organizmit tonë. Sistemi ynë imunitar është ai që bën mbrojtjen e organizmit ndaj infeksioneve të ndryshme bakteriale dhe virale, duke siguruar edhe mbijetesën tonë. Këtë ai e realizon duke i konsideruar viruset, bakteret si agjentë të huaj, të cilët nuk duhet të invadojnë organizmin. Që në lindje ne jemi të pajisur me një sistem imun, që është në gjendje të njohë “veten” nga “jo vetja”. Ndonjëherë në persona të caktuar ndodh që kjo “vetëdije” e sistemit tonë imunitar dëmtohet dhe ai prodhon kundërtrupa, që luftojnë edhe vetë strukturat e organizmit tonë. Disa sëmundje autoimune mund të atakojnë dhe të dëmtojnë një organ të vetëm, ndërkohë që disa të tjera mund të jenë sistemike duke dëmtuar më shumë se një organ. P. sh. diabeti tip 1 është një sëmundje

autoimune, ku shënjestrohet edhe dëmtohet pankreasi, në rastin e artritit reumatoid shënjestrohet cipa sinoviale e artikulacioneve, gjithashtu edhe sisteme dhe organe të tjera, ndaj edhe artriti reumatoid konsiderohet sëmundje sistemike autoimune. Në rastin e artritit psoriatik, dëmtimi është në lëkurë dhe në artikulacione.
Sa rezultative janë metodat e trajtimit që aplikohen aktualisht?

Diagnostikimi i saktë është hapi i parë drejt suksesit të mjekimit, tashmë për shumicën e sëmundjeve janë vendosur kriteret që duhen plotësuar për vendosjen e diagnozës. Preparatet që janë gjerësisht të përdorshme në sëmundjet reumatizmale janë antiinflamatorët steroidë dhe josteroidë, imunosupresorët, bisfosfonatet. Mjekimi synon të frenojë mekanizmat që çojnë drejt sëmundjes e rrjedhimisht të realizojë qetësimin simptomatik të pacientit, domethënë përmirësimin e shenjave dhe ankesave. Sigurisht që kjo jo gjithmonë është e lehtë, ka sëmundje reumatizmale që janë të vështira për t’u dominuar, sidomos sëmundjet autoimune, që janë një sfidë për reumatologun dhe mjekësinë në përgjithësi. Sëmundjet reumatizmale me prekje organore kërkojnë një bashkëpunim të mirë midis disa specialiteteve të ndryshme. Mjekimi i mirë, para së gjithash fillon nga ndërgjegjësimi i pacientit për sëmundjen që paraqet. Edukimi i pacientit ka të bëjë me njohjen e sëmundjes, kush janë shenjat, kur duhet të paraqitet te mjeku, domosdoshmërinë e marrjes së mjekimit sipas përshkrimit të mjekut. Në praktikën tonë të përditshme hasim shpesh në vështirësi të pranimit nga ana e pacientit të sëmundjes kronike, që kërkon ndjekje e trajtim të vazhdueshëm. Në sëmundjet kronike reumatizmale mjekimi nuk duhet ndërprerë apo ndryshuar asnjëherë pa këshillën e mjekut. Si në çdo fushë të mjekësisë, edhe në fushën e reumatologjisë çdo ditë përditësohen arritjet dhe njohuritë dhe kjo është në favor të trajtimeve gjithmonë e më të specifikuara e përgjigje terapeutike të suksesshme. Ka disa medikamente që ngelen “gold standard”, edhe pse mund të kenë vite që përdoren, ashtu siç ka edhe barna të reja që kanë bërë revolucion në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, siç janë për shembull barnat biologjikë. Sot flitet për trajtimet “target” që frenojnë mekanizma specifikë të një patologjie të caktua, duke rritur shumë efektshmërinë e trajtimit dhe duke evituar dëmtimet e parikthyeshme organore dhe artikulare. Trajtime të tilla rrisin jetëgjatësinë e këtyre pacientëve, ulin shkallën e paaftësisë për punë dhe përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetesës. Barnat biologjikë bëjnë pjesë në grupin e terapive më inovative në fushën e mjekësisë. Ato prodhohen nëpërmjet bioteknologjisë dhe mund të jenë antitrupa monoklonale, inhibitore të interleukinnave, vaksina apo gjene. Gjejnë përdorim në trajtimin e sëmundjeve autoimune, trajtimin e patologjive malinje. Bari i parë biologjik është miratuar në 1998 dhe është etanercept, që tashmë përdoret gjerësisht për trajtimin e artritit reumatoid, artritit psoriatik e spondiloartropati të tjera seronegative. Pas tij u aprovuan barna të tjera si rituximab, infliximab, adalimumab, golimumab, tofacitinib etj.. Për barnat biologjikë ekziston një shprehje: “Në qoftë se je je duke luftuar me armë, bari biologjik është snajperi”./PANORAMA/ Suplementi Shendet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura