Intervista djallëzore dhe dëshpëruese e Putinit

Feb 15, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

piro ahmetaj 1GJENERAL PIRO AHMETAJ

E kam ndjekur me përgjegjësi shtesë intervistën ekskluzive, që ish-gazetari “FoxNeës”, z. Tucket Carlson i mori nga bunkeri i Kremlinit, Presidentit Putin, ose sunduesit për 24 vjet të Rusisë më 6.02.2024.

Kjo intervistë është ndjekur nga qindramijëra shikues në mbarë globin si dhe vijon të mbetet në krye të çështjeve të nxehta për Kancelaritë, Institutet dhe personalitetet me peshë në, Uashington, Bruksel, Londër, Berlin etj.. Prandaj, në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurisë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-n”, po paraqes 1 përmbledhje strategjike rreth kësaj interviste djallëzore, dëshpëruese dhe kërcënuese, njëherësh. Paraprakisht, kjo ishte intervista e parë jo vetëm në hartën Euroatlantike (me 1 miliard banorë dhe me ½ e GDPse botërore) qysh mbas sulmit ushtarak të Rusisë – Putiniste mbi sovranitetin e Ukrainës në 24 shkurt 2022 (është fakt që 2 vitet e fundit Putini ka dhënë intervista vetëm për mediat ruse, kineze dhe kazake).

Pra, dy vite mbas ofensivës neo-naziste kundër sovranitetit të Ukrainës, rendit global dhe interesave Euroatlantike, Presidenti Putin doli nga “bunkeri i izolimit ndërkombëtar për të përsëritur gënjeshtra të rrezikshme (që nuk i beson kurrkush, përfshi dhe vetë ai) për Ukrainën, USA, NATO, UK, BE, Kinën, etj.”. Thënë kështu, devijimin e intervistës nga përgjegjësitë e sulmit barbar ndaj Ukrainës, te një leksion akademik mbi “historinë mijëravjeçare të memës-Rusi”, deri në ditët e sotme të “marrëdhënieve vëllazërore Rusi–Ukrainë” i gjej jo vetëm cinike në përqasje, në kohë, strukturë dhe përmbajtje, por njëkohësisht djallëzore dhe kërcënuese në raport me arsyet dhe pasojat kriminale të riciklimit të luftës neo-naziste. Më konkretisht, si një skuth i stërvitur nga makineria e krimit (KGB-ja): “Nga 30 sekonda që kërkoi në hapje të intervistës, konsumoi më shumë se gjysmën e kohës, pra mbi 1 orë me historinë e lavdishme mijëravjeçare”, ku në mënyrë tinëzare Ukrainën e trajtoi si pjesë të Mëmës-Rusi. Ndërsa fushatat çnjerëzore të Katerina II, të Lenin-Stalinit si dhe gjatë 2 viteve të fundit, i “justifikoi” ku e ku më të buta krahasuar me ato të Hitlerit, Polakëve, etj., apo dhe të ultra-nacionalistëve (neo-nazistëve sipas tij) sot në Ukrainë”!

E thënë edhe më thjeshtë, pra për qytetarët që ndoshta do të ishin apo ende janë të interesuar për historinë mijëravjeçare të Rusisë, nuk ka kurrsesi arsye të dëgjojnë ish-oficerin e KGB-së, as politikanin skuth dhe as sundimtarin 25 vite të Kremlinit, por profesorët dhe akademikët në universitet e mirënjohura në Moskë e kudo gjetkë. Parë kështu, sigurisht i bashkohem keqardhjes së strategjistëve/kolegëve dhe kritikëve në mediat perëndimore, për vetë faktin që në këtë intervistë: “Putinit iu dha një platformë për të manipuluar”. Prandaj, ndërsa kancelari gjerman e quajti “qesharake”, zëdhënësja e KE Massrali, e cilësoi me të drejtë: “gënjeshtra të vjetra, shtrembërime si dhe tregoi armiqësi të madhe ndaj Perëndimit”!

Së dyti, “ligji jam unë, historia e madhërishme e kombit, fillon dhe mbaron me mua”, thonë diktatorët, përfshi edhe autokratët e gjithëpushtetshëm. Asgjë ndryshe kësaj nuk tha edhe Putini në këtë intervistë. Pra, të gjithë paraardhësit përfshi moderatorin e mençur Gorbaçov, përjashto “pijedashësin” Jelsin, janë fajtorë jo vetëm për “shpërbërjen vullnetare të BRSS”, por edhe për “lëshimet e paarsyeshme” ndaj perëndimit, USA, NATO-s, BE. Përveç të tjerash, ata janë fajtorë edhe që “i dhanë Ukrainës territore dhe pozita të favorshme strategjike” që sipas tij: “Nuk kanë qenë kurrë pjesë e Ukrainës historike/natyrale”! Po ashtu, e gjej dalldisje delirante rikonfirmimin e tij, që: “As në 2014, as në 2022 nuk e nisi Rusia agresionin kundër Ukrainës, por vetëm ndërhyri ushtarakisht për të ndalur luftën dhe mbrojtur vëllezërit e një besimi (ortodoks) nga ekstremistët neo-nazistë” që sipas tij “u duartrokitën jo vetëm nga Kanadaja”! Por në vijim e bëri çorape edhe për faktin që, sipas tij: “Nazistët e rinj në Ukrainë po udhëhiqen nga një qytetar ukrainas, por me origjinë hebre (Presidenti Zelensky), babai të cilit ka luftuar kundër fashizmit”!

Më keq akoma, për luftën kriminale në Ukrainë bëri fajtore të vetme “politikën e zgjerimit” nga USA/ NATO, duke provokuar përsëri rendin global si dhe kohezionin ndërmjet 31 vendeve të aleancës transatlantike. Prandaj solli me cinizëm në kujtesë, ish-Presidentin e Partisë Social-Demokrate në Gjermani në vitet ‘90: “Një plak të mençur”, mbas shpërbërjes së ish-BRSS dhe Varshavës, që sipas tij: “Kishte kërkuar ndërtimin e një sistemi të përbashkët për sigurinë, përfshirë Rusinë”. Por ky zë si dhe “lëshimet e paarsyeshme” të ish-udhëheqësve rusë të kohës, u refuzuan brutalisht nga Perëndimi, pasi sipas tij: “USA, NATO dhe BE, fatkeqësisht vijuan edhe pas 1990 ta konsideronin Rusinë si fuqi armiqësore ndaj Aleancës Euroatlantike”.

Së treti, me sforcon e një ariu të plagosur: “hapi një pandorë të rrezikshme psh., për kufijtë shtetërore të Hungarisë me Ukrainën”. Ndërsa me gjeste killeri shprehu pendesë për mosreagimin e Moskës: “Ndaj padrejtësive dhe vuajtjeve shekullore të vëllezërve serbë!”; për në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë si dhe “tolerimet e tepruara gjeopolitike” të Jelsin-it (në fakt të tij si Sekretar i SK deri 1 muaj para se të pushtonte de-jure Kremlinin) kur Rusia dërgoi një kompani të motorizuar në aeroportin e Prishtinës. Po ashtu, intervista u dominua nga dinakëria për t’i frymëzuar bollshevikët e lajthitur, jo vetëm në Rusi, duke përsëritur se: “Ndërhyrja ushtarake në Ukrainë në 2014 si dhe 2022 ishte e imponuar, pasi Ukraina në NATO mbetet kërcënim serioz për interesat gjeopolitike të Rusisë”. Në fakt, kjo është gjithsesi gënjeshtër tinëzare, pasi: “Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, NATO nuk ka pasur qëllime për të sulmuar ushtarakisht Rusinë”.!

Po ashtu, ndërsa nga njëra anë i bëri komplimente të ekzagjëruara leadership-it të Xhorxh Bushit të ri, nga ana tjetër trufullonte se: “Kriza drejt luftës ishte frymëzuar në 2008, kur në Samitin e Bukureshtit, Ukraina dhe Gjeorgjia morën statusin aspirant (derën e hapur) për në NATO”. Por vetëm për shkak të së vërtetës dhe si dëshmitar teknik në Bukuresht më duhet ta them se ky është një spekulim cinik, pasi marrëdhënia NATO-Ukrainë ishte ngritur në nivel Komiteti, që prej samitit të Uashingtonit në prill 1999! Së katërti, e çmoj tërësisht vetëdiskretituese propagandimin për kohezionin e kombit të madh rus, rreth luftës barbare në Ukrainë. Kështu, edhe pse keqpërdori politikisht se: “Rusia është shtet kapitalist dhe s’ka më Parti Komuniste”, në 25 vite opozitën zyrtare e cilësoi si armike të kombit, ndërsa “USA dhe Perëndimi, sigurisht fajtorë që mbështesin këta terroristë”, ose opozitën zyrtare?! Për ta çmontuar botërisht këtë gënjeshtër tinëzare, pra demagogjinë bolshevike për unitetin e çeliktë të kombit rreth historisë së lavdishme, shpirtit rus dhe lidershipit të tij, Putinit, do mjaftonte të përmendnim faktin se: “Për të dalë nga llogoret e Zaporizhias, Oblastës, Bakhmutit, Khersonit etj., si dhe për të vijuar luftën kriminale deri në pushtimin e plotë të Ukrainës, ushtria ruse ka rekrutuar mbi 15,000 nepalezë, pra ish-mercenarë maoistë, me pagesë rreth 2000 dollarë në muaj”?!

Ndërsa në komentet për Kinën, Putini u tregua si dhelpër/skile, duke e promovuar atë si, “model suksesi të ekonomisë dhe për qasjen plotë kompromise”, si dhe ringjallur shpresën edhe pse ka marrë në mënyrë të përsëritur refuzimin për të tërhequr Pekinin në një aventurë/ front lufte ndaj Taivanit, pasi: “Kur vjen fjala për interesa gjeopolitike, Kina nuk mund të jetë aleate e natyrshme me Rusinë kundër USA/NATO-s”! Ndërsa është fakt që në 2 vjet luftë, Rusia jo vetëm mori refuzimin e Pekinit, por e ka nisur 2024-ën me një intensitet historik bashkëpunimi me SHBA, përfshi edhe takime biletarale ushtarake! Së pesti, pa e përmendur fare peshën kritike për paqen globale të SHBA-ve, marrëdhëniet me Rusinë, i ironizoi si dhe hodhi helm pikëpyetjesh mbi integritetin e Institucioneve dhe Presidentëve të SHBA-ve, pasi sipas tij: “Ndryshe konfirmojnë në takimet zyrtare si psh., për (mos)zgjerimin e NATOs deri afër kufijve e Rusisë; për traktatet e armëve bërthamore etj., ndërsa në fakt, pushtetin e vendimmarrjes realisht e ka CIA etj.”!

Por, edhe pse gjatë intervistës bënte “dhelprën e trimëruar” ndaj USA, UK, NATO-s etj., në “gjuhën e trupit” dallohej qartësisht tmerrimi nga humbja turpëruese që e pret Rusinë Putiniste jo vetëm në Ukrainë, por dhe në përballjen me fuqinë e pakonkurrueshme të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/UK/BE). Kështu, njëherë bënte viktimën, që iu ishte lutur Presidentëve USA të mos vijonin më mbas 5 valëve të zgjerimit si dhe aktualisht për negociatat e paqes në Ukrainë etj., ndërsa nga ana tjetër kërcënonte se: “Rusia po i modernizon, madje çdo ditë raketat supersonike/ ndërkontinentale”! Gjithashtu, e quajti “propagandë të stisur” nga perëndimorët që: “Mbas Ukrainës, Rusia planifikon të sulmojë ushtarakisht Poloninë, vendet Baltike etj.”, e thënë ndryshe NATO-n (artikulli 5), duke shtuar se “as nesër as pasnesër, as kurrë”, pasi Rusia nuk ka të tilla qëllime, përveçse: “Do të hakmerremi vetëm nëse sulmohen ushtarakisht integriteti dhe interesat jetike të Rusisë”! Në fakt, jo vetëm perëndimoret e kanë të qartë që Ukraina nuk po lufton vetëm për integritetin e saj, por edhe për sigurinë e vendeve të NATO-s si dhe për vlerat perëndimore. Prandaj, përkundër shashkave të helmatisura të Putinit për të minuar kohezionin mes 31 vendeve të Aleancës si dhe mbështetjen e tyre konstante dhe të pakushtëzuar deri në fitoren e Ukrainës, vlen të përmendim se përveç 100 miliardë euro armatime moderne gjatë 2022-2023, Senati i USA po diskuton edhe 60 miliardë euro si dhe mbi 40 miliardë nga vendet e tjera të NATO-s, pra 100 miliardë euro edhe për 2024. Po ashtu, zgjerimi me Finlandën dhe Suedinë janë pjesë e “kundërofensivës strategjike të/për Ukrainën” mbas sulmit neonazist të Rusisë Putiniste. Në përmbledhje të sa më sipër, këtë interviste sigurisht e gjej cinike, delekuente, dëshpëruese, të rrezikshme dhe të frikshme njëherësh.

Kjo, pasi në këtë intervistë Putini fajësoi tërë botën, pra USA, NATO, Perëndimin ndoshta dhe planetin e Marsit, por asnjë fjali dhe asnjë pendesë për përgjegjësit e mbi gjysmë milioni të vrarë kriminalisht në Ukrainë; as për shpalljen në kërkim ndërkombëtar si kriminel lufte; as për koston mbi 9 trilionë euro për 2 vjet luftë (mbi 2.5 vjet GDP neto e Rusisë), as për rrezikun e daljes nga Këshilli Sigurimit/OKB si dhe as për izolimin dhe diskretitimin e Rusisë Putiniste nga bota e qytetëruar etj.. Prandaj, përfshi edhe përtej kritikave të ashpra ndaj gazetarit z.Carlson, këtë intervistë e çmoj njëkohësisht të dobishme. Kjo, pasi iu tregoi kancelarive, institucioneve, si dhe jo vetëm opinionit euroatlantik, mbi gjendjen dëshpëruese dhe dalldisjen e frikshme (kamikaze) të një mendjeje të deformuar (nga fuqia e mbipushtetit) që sundon barbarisht, prej 24 vjetësh Kremlinin. Në shtesë, gjithsesi nga kjo intervistë provokuese, shokuese, konspiracioniste, ose si të dëshironi quajeni, mundet të adresojmë edhe “tre rekomandime strategjike”, reciprokisht për:

A- NATO-n: do duhet “të forcojë më tej kohezionin duke mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake (përfshi deterrence/aftësitë shkurajuese) në mbrojtje të tërësinë territoriale të 31 vendeve anëtare si dhe interesave gjeopolitike të NATO-s”! Ndërsa si përgjigje e menjëhershme ndaj intervistës së Putinit, do të shërbejnë Konferenca e Sigurisë në Munih, Gjermania si dhe stërvitja “Steadfast Defender 20243 , “e cila zhvillohet për t’iu përgjigjur një sulmi nga armiq potencial (Rusise-Putiniste)”, në të cilën do të angazhohen “rreth 90,000 trupa, mbi 50 asete strategjike detare, përfshi aeroplanmbajtëse, fregata, destrojerë etj., mbi 80 kapacitete ajrore si F-35 etj., avionë luftarakë, helikopterë luftimi dhe drone; mbi 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 166 tanke, 417 transportues të blinduar (APCs) si dhe 533 automjete luftimi të këmbësorisë (IFVs), etj”.

B- Rajonin, kryesisht do të duhet të shërbejë si mesazh euroatlantik ndaj Beogradit zyrtar: “Për të mos vijuar të keqpërdorohet për interesat e Moskës në rajon. të mos e armatoset (me ‘Mig29’, raketa, drone rusë etj.) të mos frymëzojë radikalet e tipit Dodik në Bosnje si dhe grupet kriminale në Veriun e Kosovës etj.. E thënë më shkurt: “Të mos kërcënojë me agresion ushtarak ndaj integritetit të Kosovës, status-quonë gjeopolitike si dhe investimin e USA/NATO për paqen, stabilitetin e rajonit të Ballkanit”!

C – Në planin mbarëkombëtar: “Mesazhet e kësaj interviste të mos i adresojmë me kakofoni bollshevike, por me përgjegjësi të lartë shtetërore jo vetëm për mbrojtjen e interesave kombëtare, por edhe për promovimin e peshës që mban RSH në stabilitetin demokratik, forcimin e partneritetit strategjik me SHBA/NATO si dhe për integrimin Euroatlatik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Gjithsesi, shpresoj që kjo intervistë t’u shërbejë elitave mendjehapura, jo vetëm në 31 vendet e hapësirës euroatlantike: “Për të punuar fortë kundër rikthimit të gjakderdhjes shekullore”, duke kujtuar thirrjen ulëritëse: “Njerëz qëndroni vigjilentë, paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”.

* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv.President i Këshillit të Atlantikut; ishkëshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
këshilltar i Presidentit; zv.ShShPFA,
përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura