INTERVISTA/ “Dilni, Teatri po shembet”, aktorja rrëfen dhunën dhe tmerrin e 17 majit: Erdhën me vetëdije të plotë që mund të na vrisnin, polici më tha…

May 21, 2020 | 20:40
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Mëngjesin e 17 majit, ndërsa së bashku me Neritan Liçajn ishin vendosur në tarracë të Teatrit Kombëtar për të mbrojtur godinën, fadromat dhanë goditjet e para”, siç aktorja Juli Emiri rrëfen.pjimage (1)

Hapat e rëndë të policëve të armatosur teksa ngjiten shkallëve, ajo i kujton mirë. Ishin afro 30 a më shumë trupa të armatosur, përballë dy aktorëve, ndërsa rreth 1500 të tjerë po terrorizonin në çdo cep të Teatrit. Teksa zbresin shkallët e fadroma bën të sajën, ajo i thotë njërit prej tyre se mund të ketë të tjerë brenda. Përgjigjja e tij e bën të kuptojë se çdo lloj rezistence do të ishte e kotë. “Aty le të rrinë”, i thotë, ndërsa siç tregon aktorja, prej tyre nuk u bë asnjë lloj kontrolli për t’u siguruar që askush s’do mbetej nën rrënoja pas shembjes. “Dhe kur fadroma shembi hollin, nuk kontrolluan nëse dikush mund të ishte pas dere”.

Neritan Liçaj në pranga, Julin që e tërheqin, ndërsa s’i mbetet gjë tjetër veçse, ndërsa hyjnë në skenë, të ulërasë në ndihmë të miqve të saj me sa të mundet. “Nëse ka njeri, të dalë se kanë filluar fadromat”… Është pa dyshim shfaqja e fundit e më tragjikja që është dhënë në sallën “Kadri Roshi”, por me sa duket, në fund, në vend të duartrokitjeve, përveç dy teatrove të shembur, mund të kishte edhe viktima. “Ata kanë ardhur me vetëdije të plotë që mund të na vrisnin”, tregon Emiri. Aktorja rrëfen për “Panoramën” protestën e Teatrit prej shkurtit të 2018-ës, netët në ruajtje të tij, përplasjet me Policinë deri te tronditjet e mëngjesit të shembjes së objektit historik. Ajo shpjegon më tej shkaqet se pse po vazhdojnë të protestojnë dhe pse qytetarët duhet t’u bashkohen.teatri

Juli, çfarë të nxiti si artiste dhe qytetare që t’i bashkoheshe kauzës së Teatrit?

E gjitha erdhi shumë natyrshëm dhe zanafillën e ka në 12 shkurt të 2018-ës, kur po diskutohej ligjin për artin dhe kulturën (projektligj), që shkelte shumë të drejta të artistëve. Mandej nisën të hidheshin ide se TKOB duhet të zhvendosej përkohësisht në Teatrin Kombëtar, ndërsa trupa e Teatrit në “arTurbinë”, siç dhe ndodhi më pas. Të gjitha këto hasën kundërshtinë e disa artistëve, mes të cilëve dhe unë. Mandej, kur doli në pah historia e shembjes së godinës dhe rindërtimit me PPP, çështja po rëndohej edhe më shumë. Sigurisht që mund të isha treguar indiferente, por si natyrë jam e ndjeshme edhe për një problem të një rëndësie më të vogël, e jo më kur flitet për diçka të pazëvendësueshme, siç është trashëgimia kulturore.

Ditë pas dite, kur ne nisëm të kundërshtonim rrënimin e godinës, dilnin në pah shumë shkelje ligjore dhe kjo e rëndonte më tepër situatën, pasi një vend mbahet nga ligjet dhe nëse as ligjet s’kanë më peshë, çdo gjë mund të pritet. Për të mos folur për aferën e vendosjes së kullës në qendër të qytetit, duke vjedhur hapësirën e teatrit. Pra, u bënë një sërë faktorësh bashkë, që ditaditës, luftën për godinën e Teatrit e shndërruan në një luftë për dinjitet. Këtë e kuptuan ata qytetarë, artistë, intelektualë, që ngritën zërin e tyre kundrejt pushtetit dhe që pushteti donte t’ua shembte fjalën bashkë me teatrin, që vendi të mos ketë më një zë të lirë qytetar. Nuk do që këta qytetarë që guxuan e ngritën një protestë kundër vendimeve të padrejta, ta çonin deri në fund atë, sepse kjo do të bëhej një precedent për të tjera rebelime, gjatë të cilave pushteti mund t’u shkiste qeveritarëve tanë nga duart.teatri

Dhe në fakt, kjo protestë nxiti rebelime të tjera, njerëzit nisën të marrin zemër dhe menduan se duhet të reagojnë kur u shkelen të drejtat. E theksoj, thelbi i protestës sonë mbetet dinjiteti i njeriut. Tendenca ka qenë jo vetëm të shkatërroheshin muret e Teatrit, por vetë historia, të shkatërrohej arti.

Dhe në fakt, artin e ka shkatërruar në shumë aspekte; qoftë për sa i përket nivelit artistik, për përmirësimin e të cilit nuk investojnë, qoftë edhe me punësimin e njerëzve jo shumë të aftë. Ne kemi dëgjuar gjatë kësaj kohe që pas Teatrit do shembet Muzeu, “Teatri i Kukullave” që ka qenë dhe Parlamenti i parë, pra ai do të zhdukë artin… Nuk ka thënë asgjë për godinat e tjera si Parlament, Kryeministri etj., por fadromat po bien vetëm mbi godinat e artit. Kjo, që diktatori të thotë “historia fillon me mua”, siç kanë thënë dhe të tjerë si ai.

Prej korrikut, ju nisët ta ruanit godinën 24 orë. Ndër anëtarët e Aleancës për të Mbrojtur Teatrin, keni qenë aty në kushte jo të favorshme, natën, në temperatura të larta, në të ftohtë. Si kanë qenë këta muaj në këtë kontekst?

Vendimi për të ruajtur godinën përgjatë 24 orëve erdhi shumë natyrshëm, si çdo vendim tjetër që është marrë nga ne. Kjo, pasi ne nuk kemi pasur dikë apo ndonjë strukturë që të na komandonte. Madje, shumë vendime tonat, për të cilat ka pasur dhe diskutime, kanë lindur si pasojë e veprimeve të paparashikueshme të marra nga kryetari i bashkisë apo Kryeministri.

Kanë qenë të paparashikueshme, pasi, ndërsa ne mendonim se ç’mund të ndodhte, duke iu referuar ligjeve, çdo aksion i tyre vinte nga hiçi. Kështu, një natë para sulmit të korrikut, na sinjalizuan për mësymjen e policëve. Ne i lajmëruam të gjithë, Berti ishte në Kosovë, erdhi brenda natës. Dhe vendosëm të rrinim atë natë aty. Pastaj natyrshëm, pas përplasjes e ruajtëm natë e ditë. Është e vërtetë që kushtet nuk ishin ato të shtëpisë, përpos kësaj na hoqën ujin, dritat, por ne nuk u tërhoqëm. Dëshira për të ruajtur godinën dhe dinjitetin e artistit, të qytetarit qe më e fortë. Gjatë këtyre muajve kam marrë një energji shumë pozitive.

Kam njohur një grup njerëzish të mrekullueshëm, që më kanë bërë të besoj te vlerat dhe që tani i shikoj si familje. Le të themi që çështja e Teatrit bëri një filtrim të mirë. Netët në Teatër, përpos asaj që ne ishim në “luftë”, kanë qenë net të gjata bisedash, diskutimesh… Teatri u bë tamam shtëpia jonë dhe ndihesha si në familje. Për të folur pastaj për Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit, mbi 70 shfaqje, artistë nga vende të ndryshme të Europës, Amerika etj., që erdhën në mënyrë vullnetare për të na mbështetur. Ka qenë e gjitha e jashtëzakonshme.protesta-teatri-3-548x375

Megjithatë, ata nuk u tërhoqën. Çfarë ndodhi konkretisht midis mbrëmjes së 16 majit dhe mëngjesit që shënoi aktin final?

Unë kam fjetur në Teatër përgjatë gjithë javës së fundit para shembjes. Kjo edhe për shkak të vendimeve të përshpejtuara, deklaratave të shpeshta të atij, që nuk e di nëse mund të quhet kryyetar bashkie. Prej gjithë këtij nxitimi, ne u angazhuam të thërrisnim sa më shumë njerëz, qytetarë, politikanë, opozitën. Kishim pasur disa sinjalizime, por mbrëmjen e 16 majit ishin bërë më të forta se zakonisht. Na thanë se kishin bërë gati kangjellat për të rrethuar Teatrin. Ne lajmëruam shumë njerëz, por ndërkohë Policia po i pengonte që të vinin.

I linin të kalonin në pedonale, në të gjitha zonat e tjera, përveçse të hynin në Teatër. Megjithatë, ne ishim shumë persona brenda, mbi 100 që ishim mbledhur. Pastaj, rreth orës 4, sikundër u bënë disa sinjalizime që nuk dolën të vërteta dhe u përhap lajmi që nuk do vijnë, që mund të jetë thënë edhe enkas, sikur u qetësuam disi. Në orën 4 fiks ishte momenti kur hyra në Teatër për të gjetur një vend për t’u shtrirë, çka ishte pak e vështirë, pasi kishte shumë njerëz. Gjatë kohës që unë isha në Teatër, dëgjova ulërimat dhe e kuptova direkt se ishte Policia.

teatri

Si reaguat?

Unë isha diku thellë në skenë. Në atë moment shikoj Tit Seranajn dhe Neritan Liçajn dhe instinktivisht u nisëm për në skenë, por aty pamë disa policë u kthyem mbrapsht. Policët nuk na ndoqën. Madje, as nuk kontrolluan nëse kishte njerëz apo jo në hapësirat e Teatrit, që ishin të shumta, dhomat e provave, palestra etj. Ne u ngjitëm direkt në tarracë. E kishim biseduar dhe më parë që nëse ndodhte, një pjesë do ngjitej atje. Në momentin që u ngjitëm në tarracë, rrinim në qetësi dhe po shikonim se ça po bëhej. Unë tentova të bëja një lidhje ‘live’, ku të lajmëroja, por valët i kishin hequr. Ndërkohë, forcat e Policisë ishin kaq të shumta e të shpejta, saqë në një moment nuk po arrija të shikoja asnjë nga ata që mbronin Teatrin.

Pra, gjithçka po ndodhte me një shpejtësi marramendëse, po vepronin sikur të kishin ardhur për ndonjë akt terrorist. Nga tarraca, pjesa nga fundi prej ku ngjiteshim, po shkonim drejt pjesës ballore. Dhe aty më shkoi ndër mend të bëja ndonjë video, të cilat i publikova më vonë. Në këto çaste dëgjojmë një zhurmë të fortë. “Fadromat!”, bërtet Neri. Aty fillojmë t’u bërtasim edhe policëve. Po ata me qetësi thoshin: Zbrisni poshtë! “Nuk zbresim”, – u përgjigjëm, por ndërkohë po dëgjonim hapat e tyre që po ngjiteshin. Shikoj te dalja në shesh, aty pikas një pjesë të grupit të Aleancës, Bert Budinën, Mirela Karabinën etj. (Këta, siç më treguan më pas, ishin fshehur në një dhomë sa hyn në holl, në katin e tretë, majtas.

Pra, kishin qenë shumë afër, pikërisht aty ku fadromat dhanë goditjet e para. Ndërkohë që po shikoja policët që po u suleshin atyre që ishin jashtë, disa prej tyre erdhën tek unë dhe Neri. Ishin shumë. Neritanit i vunë prangat, ndërsa mua më morën. Gjatë kësaj kohe bërtisja për t’iu kundërvënë. “Po instaloni diktaturën”, thërrisja. Po shqetësimi im më i madh ishte se brenda mund të kishte ende njerëz dhe ua thashë se mund të ketë të tjerë. “Aty të rrinë”, ma ktheu një prej tyre, ndërkohë që ishim duke zbritur. Pas kësaj, ç’tu thosha më. Se në momentin që ai tha ato fjalë, është e dukshme që aty mund të vriteshin njerëz dhe nuk i bëhej vonë askujt, siç duket edhe nga pamjet filmike. Në to duket qartë se këta njerëz nuk e kanë kontrolluar fare ndërtesën. Kanë ardhur me vetëdije të plotë që mund të na vrisnin. Në momentin që zbres, hyj menjëherë në skenë dhe ulëras: Nëse ka njeri, të dalë se kanë filluar fadromat!

(Dhe këtë s’donin të më linin ta bëja) Me Neritanin dolëm kështu të fundit nga godina, po ndërkohë më rrinte mendja se mos kishte njerëz të tjerë brenda. Pastaj na çuan në furgonin e Policisë për të na shoqëruar në komisariat. Aty kam ndenjur rreth pesë orë. Kur bëra deklaratën, mësova se ishin të shumtë ata që ishin arrestuar dhe ishin shpërndarë nëpër komisariate. Neritani ndenji rreth 3-4 orë më tepër.

Ka dëshmi, pamje që tregojnë dhunë, ju çfarë mbani mend?

Siç thashë, ne vetëm na tërhoqën. Neritanin e prangosën, por goditën të tjerë. Bert Budinës brenda i drejtuan kallashnikovin. Astrit Seranajn e rrahën, dëshmitë janë, ka edhe video. Jashtë Teatrit pashë që shtynin, godisnin njerëz pa u bërë gjë. Ka shumë dëshmi që tregojnë se janë rrahur.

Kanë dalë tanimë pamjet që, ndërsa shembet fasada, njerëzit janë duke dalë prej Teatrit. Në këto kushte, sipas jush, a ka mundësi të ketë nxjerrë gardërobën, rekuizitën e të tjera objekte me vlerë?

Absolutisht jo. Madje edhe në filmimet tona të fundit, duket qartë se ato janë brenda. Ata filluan shembjen pa nxjerrë absolutisht asgjë dhe kjo është një tjetër pikë që kërkon hetim urgjentisht. Se aty është varrosur rekuizita. Tani thonë që i kanë marrë, por rekuizita dhe gardëroba, të cilat kishin vlera të jashtëzakonshme, qoftë historike dhe monetare, është varrosur aty. Edhe nëse përmend vetëm goditjen ballore, fadroma nisi punën aty dhe ata s’e dinin se ç’ka pasur brenda. Ka pasur shumë materiale edhe në holl, mund të kishte qenë dhe dikush poshtë derës, por ata nuk kontrolluan absolutisht.

Si ndiheni kur pas 27 muajsh qëndrese paqësore, kryetari i bashkisë dhe Kryeministri flasin me të njëjtin përçmim si për Teatrin, ashtu edhe për këtë rezistencë?

Sigurisht që ata kanë shumë mllef. Mllef veçanërisht ndaj së vërtetës, që tani s’mund ta fshehin më. Edhe sikur njerëzit të mos kishin dëgjuar kurrë për godinën e Teatrit apo për protestën tonë, pas sulmit që ata bënë e vërteta nuk mund të fshihet më. Mjafton që njerëzit të shikojnë mënyrën se si ata erdhën dhe e shembën Teatrin, për të kuptuar se kush është në anën e drejtë dhe kush në anën e krimit. Sepse ky është krim. Është një tentativë për vrasje.

Ne u folëm me art, me kulturë, me argumente. Ata nuk e njohën këtë gjuhë. Nuk patën asnjë argument për të na u kundërvënë, se përndryshe nuk kishin pse në orën 4 të mëngjesit, në kohë pandemie, të shkelin aktin normativ, për shkak edhe të pandemisë, duke sjellë më shumë se 1500 trupa policore në Teatër. Ata erdhën me armë, me dhunë, sepse nuk kishin argumente dhe e dinin fort mirë se asnjë rrugë e drejtë dhe ligjore s’do t’i çonte te shembja e Teatrit. I përdorën të gjitha metodat: atë të propagandës, atë të përçarjes së komunitetit të artistëve, peticionet duke përdorur emrat e tyre dhe në fund u mbetën armët.

Po kësaj gjuhe, si t’i përgjigjeshim? Ne si të mbroheshim, vetëm të merrnim armët. Por të mendosh kundër kujt u ngritën ato armë. Në atë ndërtesë në mbrojtje të Teatrit kanë qenë të moshuar, gra, njerëz me shkollë, pedagogë, vajza e djem të rinj. Ishin gra myslimane që na mbështesnin në Ramazan. Orari që policët zbarkuan ishte orari i tyre i syfyrit. Atë natë, sikundër net të tjera, ato u falën aty në Teatër. Kjo është vetëm një pjesë e asaj panorame, që tregon për të disatën herë se ata kanë bërë krim. Krim dhe për orarin në të cilin erdhën. Përçmimi i tyre, mllefi që kanë është ndaj kësaj të vërtete të madhe. Ne nuk kemi përdorur kurrë as armë, as dhunë dhe kjo ka qenë protesta më paqësore që ky vend ka njohur. Përdorëm vetëm forcën e intelektit, fjalën, sensibilizimin e një numri të konsiderueshëm personalitetesh, artistësh, qytetarësh të thjeshtë. Kundrejt gjuhës sonë të paqes, artit, kulturës, ata erdhën dhe përdorën armët. Sigurisht që ata do të flasin me përçmim ndaj kësaj të vërtete, tashmë të qartë për të gjithë.

Ndërkohë protestat po vijojnë. Çfarë kërkoni konkretisht përmes tyre?

Siç e ceka, prej kohësh çështja i ka kaluar kufijtë e godinës së Teatrit. Ky akt ishte tej rrënimit të një godine historike… Kjo shembje tregoi se në vend është instaluar diktatura. Ky është momenti më kulmor, ku njerëzit nuk duhet të presin për të reaguar. Duhet të reagojnë qytetarët, Prokuroria, SPAK duhet të hetojë në mënyrë urgjente shkeljet që janë bërë. Nga më e vogla, që ata s’na lanë as të merrnim sendet personale, deri te tentativa për vrasje. Tanimë lista e shkeljeve ligjore është bërë e gjatë, duhet hetim kombëtar e ndërkombëtar. Mbetet beteja jonë që Teatri të rindërtohet ashtu siç ishte, duke ruajtur kontaktet me “Europa Nostra”-n.

Jemi përpjekur dhe për sensibilizim të ndërkombëtarëve, por duhet të kuptojmë se askujt nuk i dhemb “shtëpia” me shumë se të zotëve. Ndaj, mbi këtë qeveri që tani s’njeh limite duhet ushtruar presion. Asgjë nuk zgjidhet duke ndenjur në shtëpi e duke treguar ndjeshmëri nëpër rrjete sociale. Nuk duhet humbur kohë. O tani, o kurrë! Përndryshe rrezikojmë që të mos ketë më asnjë lloj zëri individi apo grupi qytetarësh që mund të fitojë pas kësaj. Dikush sot mund të thotë “ç’lidhje kam unë me Teatrin”, por bëhet fjalë për më shumë. Flitet që, nëse protesta e Teatrit, më e gjata e më paqësorja bie, atëherë si do mund të rezistojnë apo të arrijnë objektiva të tjera. Nëse nesër do të protestosh kur të shembin shtëpinë, nëse mbyllet kjo protestë sot, do të jetë e kotë, pasi ai mund të bëjë çfarë të dojë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura