Intervista/ Amaneti, piktori s’donte të varrosej në Ishëm

Feb 8, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Tanimë Fatos Faslliu mund të marrë frymë i lehtësuar. Maestro, siç i thotë ai, e kishte trajtuar gjithnjë si një bir, aq sa i besoi edhe menaxhimin e veprave të tij dhe ekzekutues të testamentit, dhe mosçuarja deri në fund e amanetit ishte një barrë e rëndë për Faslliun.

Fatos Faslliu dhe Ibrahim Kodra në vitin 2001
Fatos Faslliu dhe Ibrahim Kodra në vitin 2001

Por tashmë, më në fund, pas 10 vjet përpjekjesh, ai shprehet i kënaqur që Ibrahim Kodra do të prehet “në një vend të bukur”, ashtu siç donte ai.

Në prag të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të piktorit, ndërsa banorët e Ishmit janë ngritur në protestë kundër zhvarrosjes, duke pretenduar se vullneti i Kodrës ishte ta kthenin në vendlindje, Faslliu, njeriu që i ka ndenjur afër deri në çastin që mbylli sytë, tregon se cili ishte në të vërtetë amaneti i tij.

Por Faslliu gjithashtu pretendon se fondacioni “Ibrahim Kodra” do të ngrejë në Ishëm një shtëpi muze me objekte personale të piktorit, duke nderuar kështu edhe vendlindjen e tij.

Pas dhjetë vjetësh merr fund “telenovela” e zhvarrimit të Ibrahim Kodrës. Si ia arritët kësaj dite?

Ashtu siç është bërë edhe e njohur tashmë, ne kemi depozituar pranë Ministrisë së Kulturës kërkesën për zhvarrosjen e eshtrave të Kodrës dhe sjelljen e tyre në Tiranë. Më në fund, ministria e mori parasysh kërkesën tonë dhe jemi të gjithë të kënaqur me këtë vendim.

Ka më se tri ditë që banorët e Ishmit po protestojnë kundër zhvarrimit, me pretendimin se amaneti i Mjeshtrit ishte të varrosej në vendlindje, ju i keni qëndruar atij pranë deri në momentin e fundit, si qëndron e vërteta?

Jam vënë në dijeni për këtë reagim, por jam i bindur se banorët e Ishmit nuk janë të informuar për dëshirat e Maestros. Më vjen sinqerisht keq, pasi kështu i bëjnë dëm imazhit të Kodrës, por edhe vetë Ishmit. Ne kemi menduar që në vendin ku ai lindi, në bashkëpunim me komunitetin dhe me institucionet përkatëse, të ndërtojmë një shtëpi muze e ta pajisim me objekte origjinale të tij.

Cili ka qenë amaneti i Kodrës?

Ibrahim Kodra nuk ka thënë që kur të vdes, më varrosni në Ishëm, por fjalët e tij kanë qenë: “Kur të pushoj, dua që të jem në një vend të bukur, mundësisht në Tiranë ose në Durrës”. Këtë gjë e thoshte gjatë bisedave të ditëve të fundit me time shoqe, Lulin, dhe mua gjithashtu, që nuk donte të varrosej në Ishëm. Edhe pse Maestro vdekjen s‘e pranonte.

Nëse amaneti i tij ishte të varrosej në Tiranë ose në Durrës, si ndodhi që u vendos në Ishëm?

Kur Kodra u nda nga jeta, në Shqipëri, pas homazheve të bëra në Brera të Italisë, nuk na priti askush. Madje, ardhja jonë është bërë me shpenzimet e Behgjet Pacollit, ndërsa varrimi i Maestros ka qenë shtetëror. Unë nuk kam folur atëherë për të mos prishur opinionin e gjithë asaj çka ishte organizuar nga shteti për Mjeshtrin. Ndaj për të mos prishur atmosferën e krijuar, homazhet dhe nderimet madhështore që iu bënë Mjeshtrit (të cilat ishin të tilla), si nga presidenti, kryeministri dhe zyrtarë të lartë të shtetit, nuk e ngrita zërin. Por një arsye më e fortë se kjo ishte se unë nuk kisha të drejtë të flisja për aq kohë sa nuk ishte hapur testamenti i Kodrës, ku thuhej se unë isha kurator i testamentit të tij. Por ditën e varrimit i kam thënë komisionit të varrimit që dëshira e tij nuk ka qenë të varrosej në Ishëm.

Besoni se te Kodrat e Liqenit do t’i bëhet nderi deri në fund Kodrës?

Besoj se është edhe në nderin e banorëve që një qytetar i tyre të pushojë përkrah figurave të shquara të kombit shqiptar, siç janë vëllezërit Frashëri e Faik Konica.

Kush i ka marrë përsipër shpenzimet e zhvarrimit dhe të ceremonisë?

Edhe pse Ministria e Kulturës po na mbështet në këtë nismë, më duhet të sqaroj opinionin publik se asnjë cent nuk do të shpenzohet nga shteti shqiptar. Të gjitha shpenzimet janë marrë përsipër nga fondacioni “Ibrahim Kodra”.

Si ndiheni tashmë që po e çoni amanetin e tij deri në fund?

Jo vetëm unë, por të gjithë ata që e kanë dashur Maestron janë gëzuar që mbas 10 vjetësh po merr fund kjo çështje.

Testamenti, si e ndau Kodra pasurinë

“Nuk mendoj se asnjë nga kushërinjtë e mi, të afërt apo të largët, e meriton trashëgiminë e pasurisë sime. I lë të gjitha burimet e mia, në pjesë të barabarta dy fondacioneve ekzistuese, njërës që ndodhet në Lugano dhe tjetrës në Tiranë, të dyja, me qëllimin për të vazhduar traditën time kulturore dhe artistike, në emrin tim”, shkruan në testamentin e tij Ibrahim Kodra.

testamenti kodra

Ndër të tjera ai thotë se detyra e fondacioneve është ta hapin ekspozita e të ndihmojnë të rinjtë e talentuar të çajnë në botën e artit, të japin bursa studimi dhe të krijojnë lice artistikë në Itali e Shqipëri.

Si ekzekutues dhe organizator të të dy fondacioneve ai ka ngarkuar Fatos Faslliun. “Miku im Fatos Faslliu, i lindur në Shkodër, Shqipëri, 10 janar 1955, banues në Milano në Rrugën teodolinda n.6 emërohet nga ana ime si ekzekutor i testamentit dhe organizator i dy fondacioneve”, shkruan Kodra.

Në pozicionin e ekzekutuesit ligjor të testamentit, Fatos Faslliu ka ngulur këmbë që të plotësojë edhe ato dëshira që Ibrahim Kodra i ka shprehur me gojë e jo me shkrim, si në këtë rast, prehja e eshtrave të tij.

ANILA MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura