Sulmi me armë ndaj vëllait, reagon kandidati i PD-së, Zef Hila: Porosi e qartë politike, keqardhje që s’reagon policia

May 23, 2015 | 17:20
SHPËRNDAJE

UPDATE/Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila, ka reaguar pas sulmeve me armë ndaj vëllait të tij, duke thënë se ato nuk janë të qëllimshëm dhe janë bërë me porosi politike. Përmes një deklarate për shtyp, ai i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme dhe të largojnë banditët me uniformë nga Vau i Dejës. 

 

Kandidati i PD per Vaun e Dejes, Zef Hila

“Shpreh keqardhjen për mos reagimin e Policisë së Shtetit  pas denoncimeve të njëpasnjëshme që unë personalisht kam bërë për dhunën dhe terrorin që militantë e banditë të veshur me  uniformën e Policisë së Shtetit ushtrojnë në zonën e Vaut të Dejës.  Edhe pse unë e kam denoncuar për javë të tëra dhunën dhe terrorin policor, nuk është  marrë asnjë masë deri mbrëmë kur u qëllua në drejtim të vëllait tim. Ky akt i rëndë dhe i paprecedent, kur një punonjës me uniformë policie përdor armën kundër vëllait të një kandidati, është rezultat i drejtpërdrejtë i qëllimit dhe misionit që i është ngarkuar policisë nga kjo qeveri”,-thuhet në reagimin e nisur nga Partia Demokratike.

Gjithashtu ai shton se mosmarrja e masave në kohë rëndon më shumë situatën dhe e bën transparente në sytë e kujtdo se ky nuk është një rast i izoluar, por një porosi e qartë politike. “Dua dhe njëherë sot t’i kërkoj Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe kryeministrit të tërheqë nga Vau i Dejës banditët e veshur me uniforma policie dhe të mos provokojë qytetarët. Shqiptarët e kanë larguar frikën 24 vjet më parë, sot dhuna dhe terrori tregojnë vetëm dëshpërim dhe mjerimin e atyre që e urdhërojnë.”,-ka thënë Zef Hila.

Më herët, Ministria e Brendshme ka njoftuar se punonjësi i policisë i denoncuar për sulmin me armë ndaj vellait të kandidatit të PD në Vaun e Dejës është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria.

“Deri në përfundimin e plotë të hetimeve, punonjësi i Policisë do të qëndrojë i pezulluar nga detyra dhe në rast se hetimi do të provojë fajësinë e tij, padyshim do të ndëshkohet njësoj siç janë ndëshkuar për shkelje në detyrë, penalisht apo administrativisht, 11 % e trupës policore, që në filllim të këtyre tetëmbëdhjete muajve e gjetëm rrugëve, siç gjetëm rrugëve vetë shtetin e rrënuar nga keqqeverisja e Partisë Demokratike”- njofton Ministria e Brendshme, duke reaguar pas deklaratës së Palokës.

Sipas MB, me kandidatin jo vetëm Ministri i Punëve të Brendshme, por edhe vetë Kryeministri kanë qenë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, për të dëgjuar versionin e tij për ngjarjen, si edhe për ta informuar mbi veprimet e menjëhershme të ndërmarra për zbardhjen e plotë të incidentit. 

“Të mbetur pa drejtim, pa program, pa skuadër dhe pa asnjë mundësi për ta kthyer vendin në drejtimin e gabuar, kundështarët politike të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë zgjedhur të bëhen kundërshtarë të Shtetit e të Policisë së Shtetit. Aq më keq për ta”- njofton ministria.

Deklarata e Palokes 

Kreu i grupit parlamentar të PD-se, Edi Paloka ka akuzuar qeverinë për implikim të policisë në fushatën elektorale të PS-së.

Duke iu referuar ngjarjes së një dite më parë, kur vëllai i kandidatit të PD për Vaun e Dejës, Zef Hila denoncoi në polici sulmin e bere ndaj tij nga inspektori i Policisë Bushat, Paloka ka se Dodani po i bën presion votuesve demokratë.

“Qeveria e nisi fushatën zyrtare me dhunë policore. Banditë, militantë të veshur me uniforma policie i kanë ndërprerë rrugën Alfred Hilës, vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.Inspektori i policisë Gjergj Dodani, ka qëlluar me armë në drejtim të Alfred Hilës duke u kërcënuar”- tha Paloka.

Sipas tij, më dt. 8 maj, Partia Demokratike e Shkodrës kishte denoncuar me një deklaratë implikimin e policisë së shtetit në fushatën e PS-së.

Po ashtu, kandidati i Partisë Demokratike z. Zef Hila, ka denoncuar tek Drejtori i Policisë së Shkodrës, pikërisht Gjergj Dodanin për angazhimin e tij në fushatë duke bërë presion ndaj votuesve demokratë.

“Edhe pas ngjarjes dhe denoncimit të djeshëm të Partisë Demokratike, Ministria e Brendshme hesht, Drejtoria e Policisë hesht. Asnjë masë ndaj autorit të kësaj ngjarjeje duke vërtetuar kështu, katërcipërisht implikimin e drejtpërdrejt të shtetit në dhunën ndaj opozitës. Tashmë janë denoncuar dhe raste të tjera si ai i Malësisë së Madhe që demaskojnë faktin se policia e shtetit, në fakt policia e Ramës dhe Tahirit po përdoren në fushatë kundër opozitës”- tha Paloka. 

Sipas tij Partia Demokratike i bën thirrje misionit të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këtë përshkallëzim të dhunës dhe terrorit qeveritar. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet dhe të venë para përgjegjësisë dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës policore.

Sipas 40-vjeçarit Alfred Hila, Inspektori i Policisë së Bushatit, Gjergj Todani, i ka dalë përpara teksa ai po ecte me makinë, dhe ka qëlluar me armën e shërbimit.

Hila ka pohuar gjithashtu se inspektori e ka kërcënuar me fjalë dhe gjatë konflikti ka nxjerrë armën duke qëlluar dy herë në ajër. Mësohet se Todani ka qenë me makinë dhe felinë policie. 

Kandidati Hila thotë se për ngjarjen ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, teksa e quan sulmin të nxitur nga motive politike.

Zef Hila është në garë për Bashkinë e Vaut të Dejës përballë kandidatit të PS Gjok Lleshi.

Partia Demokratike e Shkodrës e ka quajtur ngjarjen sulm politik, ndaj i ka kerkuar organeve te drejtesise hetimin sa me te shpejte dhe nxjerrjen para drejtesise se autorit. 

Ja deklarata e PD-së:

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e sotme në Vaun e Dejës kur një efektiv i policisë hapi zjarr me armën e shërbimit kundër vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike në bashkinë e Vaut të Dejës. Duke dënuar me forcë këtë akt, Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të marrë të gjitha masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien e autorit para drejtësisë.

Policia: Nuk gjetëm asnjë gjurmë

Ndërkohë nga policia e Shkodrës mësohet se në vendin e ngjarjes, nga forcat e shumta të policisë që po hetojnë mbi këtë rast, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë, apo gëzhojë e armës së zjarrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura