Inflacioni dhe normat e interesit do të frenojnë rritjen ekonomike

Dec 3, 2022 | 23:21
SHPËRNDAJE

Rritja e inflacionit dhe shtrenjtimi i normave të interesit pritet që të ndikojë negativisht në ecurinë e ekonomisë së vendit.

inflacioni

Një analizë e Bankës së Shqipërisë për ndikimin e politikës monetare evidenton se ajo ka kontribuar mesatarisht me 0.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike në pesë vitet e fundit. Gjatë periudhës 2020-2021, efekti pozitiv i politikës monetare vlerësohet ndjeshëm më i lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit, me rreth 1.3 pikë përqindje.

Në mungesë të efektit të stimulit monetar, sipas vlerësimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rritja ekonomike e vitit të kaluar supozohet se mund të ishte rreth 7.3%, nga 8.5% që është vlerësim më i fundit zyrtar i INSTAT.

Efekti pozitiv i politikës monetare në rritjen ekonomike është përcjellë nëpërmjet uljes së normave të interesit dhe kostos së shërbimit të borxheve ekzistuese, të primeve më të ulëta të rrezikut, kreditimit të vazhdueshëm të ekonomisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.

Megjithatë, pozicioni ultrastimulues i politikës monetare nuk mund të qëndrojë i tillë për periudha shumë të gjata kohore, sepse mund të bëhet premisë për lindjen e inflacionit të gjeneruar nga kërkesa agregate.

Tashmë, rritja e normave të interesit pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm edhe në nivel makroekonomik. Një kosto më e lartë e huamarrjes për bizneset dhe individët pritet të sjellë  ngadalësim të financimit për konsum dhe investime, duke ulur kërkesën e brendshme në ekonomi.

Shpenzimet më të larta për interesa të kredive do të sjellin ulje të konsumit të familjeve huamarrëse, duke dhënë  efekt të mëtejshëm negativ në kërkesën e brendshme. Përballë rritjes së shpenzimeve për interesa, bizneset mund të jenë të detyruara të rrisin çmimet, për të ruajtur marzhet e përfitueshmërisë.

Në këtë mënyrë, rritja e normave të interesit, të paktën në afatin e shkurtër, mund të prodhojë efekt të ri inflacionist në ekonomi.

Në momentin kur përcjellja e kostove të shtuara në çmim do të jetë e pamundur, efekti i radhës do të jetë shkurtimi i vendeve të punës për të ulur kostot e biznesit. Në teorinë ekonomike, rritja e papunësisë mund të jetë një ndër efektet kryesore negative të rritjes së normave të interesit.

Banka Botërore parashikon që në dy vitet e ardhshme, ritmet e rritjes së PBB-së të jenë ndjeshëm më të ngadalta, përkatësisht 2.3% dhe 2.5%, nga 3.2% që është parashikimi i fundit për vitin 2022.

Megjithatë, ndikimi direkt i rritjes së normave të interesit në ekonomi supozohet të jetë afatshkurtër. Me stabilizimin e pritshëm të inflacionit pranë objektivit dhe të normës bazë të interesit pranë nivelit neutral, bizneset dhe familjet do të ekuilibrojnë buxhetet e tyre në përputhje me kushtet e reja monetare.

Një nga problemet teorike të periudhave të zgjatura me norma të ulëta interesi është se mund të ulin eficiencën e alokimit të burimeve në ekonomi dhe të bëjnë fizibël projekte apo sektorë që, në kushte normale, nuk do të ishin të tilla.

Një epokë e gjatë interesave afër zeros mund të bëhet premisë për zhbalancime edhe në tregun financiar dhe për investime të gabuara, të marra në kushtet kur kostoja e parasë është tejet e ulët. Të paktën në një masë të caktuar, “fryrja” e re e tregut të pasurive të paluajtshme mund të shpjegohet edhe në këtë këndvështrim.

Nga ana tjetër, në kushte monetare “normale”, nuk do të ishte e pritshme të shihnim fenomene të ngjashme me ato të epokës së interesave minimale historike. Në ekonominë globale, paraja e lirë ndikoi në “fryrjen e tregjeve të aksioneve, por pjesërisht edhe të pronave.

Duke qenë se Shqipëria nuk ka një treg kapitali, efektet mund të priten kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme. Paraja e lirë, mes të tjerash, nxiti investimin në pasuri të paluajtshme dhe rritjen e çmimeve të pronave.

Në mungesë të kredive kaq të lira, teorikisht një cikël rritje kaq i shpejtë i çmimeve do të ishte i vështirë për t’u arritur, megjithëse ky treg vazhdon të ndikohet shumë edhe nga burimet informale.

Në kushtet e reja monetare, në teori duhet të presim që çmimet e pronave do të jenë më të mbështetura në një ekuilibër normal të kërkesës dhe ofertës, si dhe aftësisë së familjeve për të gjeneruar kursime dhe për të paguar kredi./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura