Idrizaj: Blindojmë vendin e dytë, gati të thyejmë edhe Luftëtarin

Dec 7, 2017 | 16:03
SHPËRNDAJE

Kamzalinjtë edhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar me përgatitjet për takimin e radhës kundër Luftëtarit që do ta zhvillojnë në Kamzë ditën e diel në orën 13:00, në stadiumin “Kamza”.

Idrizaj Kamza

Ka qenë i gjithë grupi në stërvitje, duke qenë se nuk ka dëmtime apo pezullime për kartonë për këtë ndeshje, përveçse disa lëndimeve të lehta të mbrojtësit Idrizaj, që ka shkëlqyer në ndeshjen e kaluar kundër Teutës në Durrës. Ai, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, shprehet se ekipi është i gatshëm për të mos e lëshuar vendin e dytë as në përfundim të sfidës me Luftëtarin.

Hektor, fitorja kundër Teutës ishte e rëndësishme për Kamzën, e cila e ngjiti në vendin e dytë…

Sigurisht që po, ishte e rëndësishme, pasi luanim kundër një skuadre pretendente për zonën europiane, e kësisoj ishte një sfidë që duhet të fitohej me çdo kusht, pasi ishte dhe një shans i vetëm për t’u afruar me kreun e renditjes. Ia arritëm qëllimit dhe mendoj se jemi më mirë tani. Ky takim duhet lënë pas tashmë, pasi do të shohim përpara për ndeshjen e radhës kundër Luftëtarit.

A ishte Teuta kundërshtar më i vështirë se sa e kishit parashikuar?

Po, ishte shumë e vështirë dhe ne ishim përgatitur për një sfidë të tillë. Mund t’ju them me bindje të plotë se Kamza dhe Teuta janë dy ekipe që do të ecin deri në fund të sezonit pranë njëratjetrës në luftën për zonën europiane.

hektor idrizaj

Pas këtij trepikëshi, a është më afër vizës “Shengen” skuadra juaj?

Kemi tri pikë më shumë në renditje dhe jemi në vendin e dytë për momentin, e vetëm kaq! Janë ende javë të shumta përpara dhe nuk mund të flasim që tani se jemi më afër kësaj zone europiane se ekipet e tjera. Duhet të shohim ndeshjen e radhës dhe t’i ngjisim shkallët një nga një.

Pas Teutës, një tjetër sfidë e fortë në Kamzë, ndaj një skuadre të cilën e mundët në transfertë. Do ta ruani ritmin e fitoreve?

Është një ndeshje e vështirë si të gjitha që luajmë në Superiore. Mendoj se do të jetë një përballje shumë e fortë mes nesh dhe Luftëtarit. Gjithashtu mendoj se vërtet ka ardhur koha që të fitojmë përsëri. Na duhet kjo fitore për të mbajtur vendin e dytë dhe synojmë që ta mbyllim këtë vit kalendarik në këtë pozitë.

Do të mungojë Idrizaj, kundër Luftëtarit, apo do të jetë në fushë?

Sigurisht që nuk do të mungojë, pavarësisht stërvitjes së diferencuar, për arsye të një dhimbjeje muskulore. Unë jam në formë dhe nuk kam probleme serioze. Besoj se, ashtu si dhe me Teutën, do të jap gjithçka nga vetja për të bërë më të mirën për skuadrën. Kërkojmë të dalim me ballin lart e të gëzuar me një fitore që na stampon në vendin e dytë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura