Homofili kushtetuese

May 14, 2016 | 12:29
SHPËRNDAJE

redi shehuREDI SHEHU

Pjesë e paketës së Re formës në Drejtësi është edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 ‘Kushtetuta e Shqipërisë’ të ndryshuar”, e cila parashikon një ndërhyrje në Kushtetutën tonë.

Përveç debatit politik mbi dobinë e kësaj reforme dhe ndryshimeve që ajo kërkon, tërheq vëmendjen neni 4 i këtij projektligji, i cili kërkon të ndryshojë nenin 18 të Kushtetutës aktuale duke shtuar se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht edhe për shkak të “orientimit seksual”.

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët kanë hartuar këtë projektligj, do të duhen të japin një arsye mjaftueshmërisht justifikuese se pse një ndryshim i tillë i Kushtetutës së vendit do të kishte lidhje me procesin e Reformës në Drejtësi. Po ashtu, do të duhet të japin arsye të vlefshme se pse një shtesë e tillë duhet t’i japë kësaj kategorie atribute kushtetuese.

Kështu, Kodi ynë i Familjes, futet në rrugën e relativizimit dhe ndryshimit të detyrueshëm për shkak se Kushtetuta e re e kërkon, duke ndryshuar të gjithë konceptin që ne kemi për familjen, të drejtat dhe përfitimet që ajo mbart. Ky është rasti tipik kur retorika e diskriminimit kthehet në të kundërtën, në promovim të fenomenit. Tri kolonat e qytetërimit janë: objektet e kultit, qeverisja dhe martesa -thotë shkrimtari Frank Turek.

Në Shqipëri, dy të parat kanë njëfarë kohe që kanë dalë nga thelbi i tyre dhe ajo që ka ngelur si kolonë mbajtëse e qytetërimit tone në nivel më të gjerë është martesa. Modifikimi i sipërpërmendur hap rrugë drejt martesave gay në Shqipëri dhe përdorimi i një nevoje qytetare, si Reforma për Drejtësi, për të infiltruar në kategoritë e të drejtës njerëzore që duhen mbrojtur nga Kushtetuta, të martesave homoseksuale, në kohën kur ato janë sanksionuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut si jo e drejtë e njeriut, është sulm direkt ndaj sistemit imunitar kombëtar, i cili mbrohet nga martesa si kolonë e qytetërimit, si vlerë morale dhe kuptim kulturor.

Dëshirat nuk justifikojnë sjelljet dhe qytetërimi nuk është gjë tjetër në thelb, veçse disiplinim ndaj dëshirave destruktive. Metodologjia e homoseksualizimit të perceptimit publik, më shumë se me të drejtat e qytetarëve, ka synimin drejt pranueshmërisë së qytetarëve ndaj këtij fenomeni.

Tiparet themelore të martesës tradicionale, sipas Jonathan Rauch, janë: Bashkimi i përshtatshëm i një çifti heteroseksual, lidhjet speciale me fëmijët dhe ekskluziviteti. Pra, sipas tij, martesa duhet të ketë tiparin e ekskluzivitetit heteroseksual bashkëshortor që të konsiderohet e tillë dhe e shëndetshme shoqërisht.”Harvard Journal of Law & Public Policy”, dhe “McGill Centre for Medicine, Ethics and Law” konsiderojnë se martesat homoseksuale edhe ato tradicionale heteroseksuale janë bashkime mendjesh dhe vullnetesh mbi bazë tërheqjeje seksuale, duke sjellë një bashkim organik të trupit.

Mirëpo, te martesat tradicionale, bashkimi trupor përfshin koordinimin trupor me qëllimin për të përftuar një ”të mirë trupore” dhe e mira biologjike e bashkimit trupor është riprodhimi. Riprodhimi si ”e mirë trupore” është jo vetëm i tillë, por është edhe e mirë publike. Kjo e mirë publike nuk mund të sillet në hapësirën publike, veçse përmes bashkimit mes një burri dhe një gruaje, të cilët janë të vetmit që mund ta konceptojnë dhe ta formësojnë atë.

Te bashkimi i personave të të njëjtit seks, nuk mund të arrihet ”e mira trupore” si e mirë publike dhe meqë riprodhimi, fëmijët pra, si e mirë trupore, janë domethënia e vetë martesës, atëherë në rastin e homoseksualëve bashkimi nuk mund të konsiderohet martesë pikërisht prej paaftësisë për të sjellë ”një të mirë trupore”.

Dallimi mes të mirës trupore te martesat heteroseksuale është se ajo ka veti trashëgueshmërie, pra përfundon me një trashëgimtar dhe produkt që është e mirë publike, ndërsa martesat homoseksuale maksimumi mund të prodhojnë një soj “kënaqësie”, e cila nuk ka vlerë trashëgueshmërie dhe si e tillë del nga tipologjia e bashkësisë bashkëshortore.

Pra, ajo që e dallon martesën tradicionale nga forma të tjera të të njëjtit seks, është aftësia riprodhuese. Partnerët homoseksualë, pavarësisht statusit të tyre, nuk mund të prodhojnë martesë sepse u mungon çfarëdolloj orientimi për të pasur fëmijë. Bashkimi i tyre nuk vuloset nga akti riprodhues.

Me pak fjalë, martesa duhet merituar. Nëse do ta mbështesnim martesën vetëm tek emocioni dhe seksi, atëherë automatikisht do të binte arsyeja për t’u martuar, jo vetëm kaq, por duke qenë se ana emocionale nuk është stabile, atëherë edhe martesa po të mbështetej vetëm mbi këtë element nuk do të ishte gjithashtu e qëndrueshme.

Që të jetë e qëndrueshme, duhet një faktor stabiliteti dhe përgjegjësie, i cili përmblidhet me riprodhimin. Prandaj, përpjekja për të ripërcaktuar martesën mbi “bashkimin emocional” dhe jo prokrijimit, përmes sjelljes në jetë të fëmijëve, është përpjekje që kurorëzohet me ndryshimin e kuadrit ligjor për sa kohë ky i fundit formëson edhe normat kulturore të një shoqërie, atëherë në thelb, kjo iniciativë synon ndryshimin e tabanit kulturor dhe tronditjen e një prej kolonave të rëndësishme të shoqërisë që ka ngelur ende në këmbë, siç është martesa.

Ka gjithashtu një pretendim nga lobet homoseksualiste se “orientimi seksual” duhet të konsiderohet si kategori e mbrojtur nga dokumenti themelor i shtetit (një veçanti shqiptare kjo) për shkak se homoseksuali është i lindur dhe e ka këtë atribut njësoj si gjinia, raca, etnia, origjina, gjuha, përkatësia prindërore etj. Ky në fakt, është pretendim për të ndërtuar një shoqëri abstrakte në terrene psikologjike problematike, sepse homoseksualët gëzojnë nga e gjithë paketa e të drejtave të njeriut për shkak të të qënurit njerëz, por nuk përfitojnë për shkak të seksualitetit të tyre, sepse seksualiteti njerëzor nuk konsiderohet e mirë publike, por e mirë vetëm në sferën private.

Rasti gay, është tipikisht përpjekja për ta transformuar sferën private vetjake në sferë publike si gjoja e mirë publike për të përfituar nga paketa e të drejtave themelore të një shteti. Duke iu kthyer pretendimit të parë, dr. Neil Whitehead, një kërkues eminent i cili ka punuar për Kombet e Bashkuara dhe për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si biokimist dhe statisticien, në një studim të publikuar nga NARTH (National Association for Research & Therapy of Homosexuality) ku janë përfshirë studimi i fëmijëve binjakë identikë nga SHBA, Australi dhe vendet skandinave, arrin në konkluzionin se homoseksualët nuk janë të lindur të tillë.

Ai e bazon këtë përfundim duke u mbështetur pikërisht në këtë sipërmarrje, e cila ka analizuar gjenet dhe ADN-në e binjakëve identikë. Nënat e binjakëve gjatë barrave u ushqyen me ushqim të njëjtë dhe u trajtuan me kushte të njëjta paralindjeje. Dr. Whitehead thotë se nëse pranojmë se homoseksualiteti zanafillon që në strukturë gjenetike dhe një nga binjakët është gay, atëherë edhe binjaku tjetër duhet të jetë gay për shkak se ata zotërojnë AND identike në 100%.

Por kjo nuk ndodh me binjakët të cilët nuk janë verifikuar të jenë të dy të tillë. Nëse njëri ka rezultuar gay më vonë, shanset që tjetri të bëhet i tillë kapin vetëm 11% të mundësive edhe pse AND-ja e tij ishte identike me të parin, çka rrëzon teorinë e homoseksualizmit që në lindje. “Askush nuk është i lindur gay- thekson shkencëtari- faktorët që krijojnë homoseksualizmin në njërin nga binjakët identikë, janë faktorë që lidhen me shkaqe postlindje. Po ashtu -vazhdon ai- numri i homoseksualëve të kthyer në hetero, është më i madh se numri i homoseksualëve dhe biseksualëve të marrë së bashku. Pra ish-personat gay, e tejkalojnë numrin e homoseksualëve aktualë”.

Nëse do të ishin të lindur që në strukturë gjenetike, një fenomen i tillë nuk do të ndodhte -e përmbyll konkluzionin dr. Whithead. Pra, në kërkim të arsyeve të vlefshme se pse duhet t’i japim atribute kushtetuese një marrëdhënieje e cila nuk gëzon vetitë dhe as ka produktin e një martese, të një fenomeni i cili nuk është as edhe i lindur, konstatohet një homofili kushtetuese e një natyre ekskluzivisht shqiptare, e cila ngre dyshime se pse duhet futur në kolonat e një shteti “orientimi seksual” duke i dhënë homoseksualizmit natyrë shtetformuese.

Në një vend si i yni ku mbijetesa është tipar kryesor i ekzistencës së qytetarit, në një vend si i yni ku qytetari betejën e përditshme e ka me barkun dhe jo me mendjen dhe ku pushteti mbijeton pikërisht prej kësaj gjendjeje të plebenjve të vet, atëherë luksi për të ruajtur kolonat e qytetërimit, kthehet në një pamundësi dëshpëruese. Vështirë të ketë rezultate në një reformë shoqërore kundër korrupsionit kur thelbi i saj korrupton themelet e kësaj shoqërie, siç është rasti i familjes.

Eksperienca jonë me ndryshimet kushtetuese ka qenë e hidhur dhe kjo prirje ka të gjitha gjasat të kthehet në traditë. Partitë e djathta shqiptare, të cilat esencën e vet e ndërtojnë mbi vlerat konservatore ku përfshihet edhe familja, të paktën për një herë të vetme të tregojnë se janë vërtet të djathta dhe të kundërshtojnë aprovimin në Kuvend të këtij neni kushtetues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura