Hiqini armët “popullit”!

Sep 7, 2018 | 11:35
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ/ Ndue-DedajNuk thuhej më kot ndër të vjetrit: “Armën e mbush shejtani”, që nënkuptonte ruajtjen prej saj, kurse tashti e mbush… Ritvani në Selenicë dhe vret tetë vetë, duke shuar me një breshëri dy familje të “fisit” të tij Zykaj. Alarm më të madh nuk mund të ketë. Edhe në përplasjet mafioze në Italinë e Jugut nuk janë vrarë kaq njerëz njëherësh. Deri te plumbat që fluturuan tri ditë më parë mbi dritaret e shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala. Krahas kolegëve të saj dhe shoqatave të gazetarëve, ka vlerën e tij solidarizimi njerëzor e shtetëror me gazetaren investigative i institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Prokurorja e Përgjithshme, Gjykata e Lartë etj.. Ama, këto institucione kanë përgjegjësinë të heqin armët nga duart e popullatës. Me ligj të ri, me sanksione më të forta penalizuese, me aksion disamujor, vjetor apo të vazhdueshëm, kjo është çështje e tyre, porse me vendosmëri, në bashkëpunim me shoqërinë civile, komunitetin etj.. Nuk mund të flitet për siguri të jetës publike kur armët i ka në dorë cilido shtetas që dëshiron, qoftë dhe i sëmurë mendor, që tek e fundit nuk është ai fajtor për krimin që mund të kryejë, por ne.

Në këto 25 vite disa herë qeverive u është dashur të përballen me këtë problem madhor të sigurisë publike, duke ndërmarrë mbledhjen e armëve, në këmbim të projekteve të zhvillimit etj.. Mbledhja e armëve nga duart e popullsisë ka nisur pas Kongresit të Lushnjës. Në një artikull të tijin në “Koha Jonë”, Qerim Vrioni shkruan se në mbledhjen e datës 06. 02.1922 Këshilli Kombëtar miratoi ligjin e paraqitur nga qeveria për dorëzimin e armëve nga popullsia civile, neni i parë i të cilit ishte formuluar si më poshtë: “Mbajtja e armëve të gjata ose e municioneve të tyre, përveç atyre të gjuetisë, pa leje të autoriteteve kompetente, është krejt e ndalume. Të gjithë janë të detyruem me i dorëzue në komandën e Gjindarmërisë kompetente”. Për zbatimin e ligjit u ngarkua ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili do të ndërmerrte masa ligjore për çarmatosjen e popullsisë dhe më vonë kur do të zgjidhej President. Mbledhja e armëve në popull është kryer dhe nga qeveria e pas Luftës II Botërore. Qeveritë nuk mund të mos veprojnë për këtë gjë, në cilëndo kohë, përderisa armët “shëtisin” lirisht në duart e gabuara. Në janar të vitit të kaluar, qeveria “Rama 1” ndërmori aksionin publik për grumbullimin e armëve dhe pati qytetarë që i dorëzuan ato, pas premtimit se nuk do të ndiqeshin penalisht. Por duhen kërkuar forma dhe më të suksesshme e jo sezonale. Në vend që të rrimë e përpilojnë statistikat e vrasjeve nga viti në vit, duke i krahasuar ato, kaq më pak këtë tremujor se atë tjetrin, heqja e armëve nga duart e asaj pjesë të publikut, që i mban, duhet parë si një mision human, qytetar dhe shtetëror. Meqë jemi ende në sezonin turistik të verës, për çfarë sigurie të turistëve mund të flitet, kur në një nga qendrat më të zhvilluara të turizmit, në Vlorë, vriten tetë vetë njëherësh? Ndërkohë që nuk është larg kur dy turistë çekë janë vrarë në një nga rrugët malore të Shkodrës për t’i grabitur? Natyrisht, rreziku më i madh nuk janë mbajtësit rastësorë të armëve, si të thuash për “hobi”, por trafikantët e armëve, drogës dhe prostitucionit. Kjo e bën sipërmarrjen armëheqëse të shtetit tepër të vështirë, por jo të pamundur. Mjafton vullneti i plotë për ta “çliruar” vendin nga pushkët vrastare të mafies.

Ia vlen të përfshihen në këtë mision gjithë aktorët e jetës shqiptare, përfshi dhe institucionet fetare që kanë ndikimin e tyre të ndjeshëm në publik. Thirrja në emër të jetës do të çonte në më pak armë në duart e njerëzve të dëshpëruar apo kriminelë dhe rrjedhimisht në më pak krime si vrasje, plagosje, kanosje, shantazhe e kërcënime paralajmëruese për të mbyllur gojën, biznesin konkurrues etj.. Ta bëjmë këtë gjë një orë e më parë!

Mundësisht, me një problematikë të tillë ta nisë Parlamenti sezonin e vjeshtës. Atëherë do të kemi më pak lajme të bujshme me vrasje, plagosje, panik të shkaktuar nga breshëritë e plumbave mbi banesat e gazetarëve, biznesmenëve, oficerëve të Policisë, nëpunësve që merren me pronat etj.. Mirë që shtrëngohen masat për drejtuesit e mjeteve që kapen duke folur në telefon, duke u dhjetëfishuar gjoba, apo kur nuk mbajnë rripin e sigurimit, por a nuk është dhe më e rëndësishme që këto masa të dhjetëfishohen për ata që mbajnë krahaqafë rripin e pushkës?… Veçse kjo nuk mund të bëhet pa një pakt kombëtar pozitë – opozitë. “Llogoret” e politikës do të vazhdojnë të funksionojnë, pasi kjo është demokracia, por jo duke luajtur me zjarrin, që nuk kursen as demokratë e as socialistë. Qeverisë i duhet bërë opozitë e fortë për sigurinë e njerëzve, pronave etj., ndërkohë që për grumbullimin e armëve, me apo pa fushatë, lypet konsensusi i të gjithëve.

Të shpresojmë!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura