Hipotekat, bord me 5 anëtarë për të monitoruar regjistrimet

Nov 3, 2012 | 12:56
SHPËRNDAJE
Qirjako, kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Vendimi i qeverisë: Për pronat, raportim te Drejtësia një herë në 4 muaj.

Një bord me 5 anë-tarë do të kontrollojë fondet dhe zbatimin e legjislacionit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.  Vendimi i qeverisë vjen pas kthimit të këtij institucioni me vetëfinancim dhe miratimit të tarifave të reja të shërbimeve për qytetarët. Bordi Drejtues do të përbëhet nga 5 anëtarë, prej të cilëve 2 të caktuar nga Kryeministri, 2 nga ministri i Drejtësisë, dhe 1 i caktuar nga ministri i Financave. Në vendimin e qeverisë përcaktohet mënyra si do të përzgjidhen këta anëtarë. Bordi Drejtues do të funksionojë si organ kolegjial, me kohë të pjesshme dhe në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale të administratës publike. Anëtarët do të kenë mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Po dje qeveria miratoi vendimin për përcaktimin e rregullave të hollësishme të bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, që trajtojnë çështjet e të drejtave të pronësisë. Sipas këtij vendimi, çdo institucion shtetëror që trajton çështjet e të drejtave të pronësisë paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar prej saj. Vendimi përcakton edhe afatet e dorëzimit të këtij dokumentacioni.  Ai do të dorëzohet brenda 5 (pesë) ditëve nga data e nxjerrjes së aktit apo e disponimit të informacionit, në rastet kur vlerësohet se ky informacion është i nevojshëm për përmbushjen nga Ministria e Drejtësisë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim në rrugë zyrtare nga Ministria e Drejtësisë. Institucionet duhet të raportojnë, me ose pa kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, çdo 4 muaj sa i përket ecurisë së proceseve që lidhen me të drejtat e pronësisë. Nëse gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, Ministria e Drejtësisë konstaton shkelje të afateve të përcaktuara, ajo merr një sërë masash. “Për institucionet në varësi të saj i raporton ministrit të Drejtësisë, me qëllim disiplinimin apo përmirësimin e veprimtarisë së tyre, si dhe marrjen e masave disiplinore për personat përgjegjës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim. Për institucionet që nuk janë në vartësi të saj, njoftohen eprorët të marrin masa. Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë evidenton problematikat e konstatuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve shtetërore që trajtojnë çështjet e të drejtave të pronësisë. Ky dikaster kujdeset për grumbullimin, përpunimin, transmetimin e ndërsjellë të informacionit apo dokumentacionit ndërmjet institucioneve shtetërore që trajtojnë çështjet e të drejtave të pronësisë, në kuadër të procesit të njohjes, kthimit e kompensimit të pronave, të reformave në fushën e të drejtave të pronësisë, si dhe të zbatimit të masave strategjike.

Shpërblimi
Masa e shpërblimit për kreun e bordit do të jetë 30.000 lekë. Sipas vendimit të qeverisë, anëtarët e bordit do të paguhen me 25.000 lekë. Sekretari teknik do të shpërblehet me 5.000 lekë. Shpenzimet për Bordin Drejtues do të mbulohen nga buxheti i Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura